Albspirit

Media/News/Publishing

Pse “Piramida” e rrënuar duhet kthyer në Bibliotekë Kombëtare

Nga Ben Andoni

Kur pak vite më parë, qeveria Berisha mëtoi se do të prishte ish-muzeumin e Enver Hoxhës, që në popull njihet me emrin “Piramida”, pati një reaksion gati publik. Paçka mëtimeve për të, shumica bashkoheshin në një pikë, ngrehina nuk duhej të prishej. Por, djegja e një seksioni të vogël të Bibliotekës Kombëtare solli edhe njëherë për vëmëndjen e publikut, destinacionin e pakryer të saj në qendër të Tiranës, që për hir të së vërtetës, tashmë është kthyer në një shurrtore publike.

A nuk mundet që kjo ngrehinë voluminoze të merrte atributet e Bibliotekës Kombëtare apo të Tiranës? Me këtë do të mbylleshin të gjithë debatet për të, por edhe do t’i shërbente një atraksioni, që i mungon në vlerat e saj kryeqytetit. Si një nga dy ngrehinat përfaqësuese të Tiranës, i pari Hotel “Tirana” lëngon nën pronësinë e Bankës së Shqipërisë dhe paqartësinë e të ardhmes prej vetë amullsisë së drejtuesve të saj, ajo ka mbledhur pak aktivitete në vitet e fundit, por asesi nuk arriti të kishte atributet e një qendre kulturore. Megjithë propozimet e sotme për një qendër rinore është e pamundur që ajo të luaj këtë rol, pikë së pari si trend ngrehinë dhe pastaj gjykojmë nga raportet asnjëherë të zgjidhura me pushtetin dhe pretendimeve të saj arkitektonike gjigandomane faraonike. Një qendër rinore është shumë më moderne se kanonet që janë bërë për këtë ndërtesë. Nëse s’do të bëhej Biblioteka Kombëtare apo mund të bëhej Bibliotekë e Tiranës, pasi qyteti nuk ka një bibliotekë metropolitane, që mund të shfryj interesin e gjerë të publikut, kurse duke e plotësuar edhe me atë të një qendre kulturore qytetëse, ngrehina do të fitonte rëndësinë e duhur në këto vite tranzicioni pafund.

I ndjeri Kolaneci, arkitekti i saj, në debatet publike për të ardhmen e saj parashtronte hapur se forma e saj ishte një gabim përfytyrimi viziv, pasi “ në pamje ballore […] ajo ngjason me krahët e shqiponjës, e s’ka lidhje me emërtimin e marrë”.Do mjaftonte një modifikim i vogël, shumë vende e kanë bërë për ndërtesa të rëndësishme, që ajo të kishte rëndësinë e peshën e një ngrehine të dobishme për qytetin.

Në atë që tashmë dihet shumë mirë është se i gjithë sistemi arkitektonik, që përmbledh Stadiumin, anash formën imituese të një Forumi romak, godinën e Fashos (Universitetin) dhe pjesën ku qëndron Akademia e Arteve, përbënte kokën e sëpatës së Liktorit, por edhe mbishkrimin, që mund të kundrohej nga qielli si DUXE dhe vazhdonte me bishtin e Sëpatës që u modifikua nga planet në socializëm, por që në përgjithësi sistemi i mbijetoi të gjithë ndryshimeve prej funksionalitetit. Pra, Tirana i ushtron veprimtaritë e saj brenda kësaj “ujdhese” urbanistike, një pjesë e të cilës është edhe “Shqiponja-piramidë”.

Të gjitha si Sëpata, Duxe edhe Shqiponja (dy të parat janë gjysmake, kurse shqiponja është e plotë, paçka se edhe ajo e paidentifkueshme për njerëzit) kanë nevojë për një Qendër Kulturore moderne, që të përballen në shekullin e ri.

Është e vërtetë që “Piramida”, paçka shumë përfytyrimeve të jep idenë e një lloj pushteti autokratik. Porse me një modifikim, që sot është lehtësisht i realizueshëm prej mjeteve dhe materialeve të ndërtimit, kjo ngrehinë mund të bëhej realisht, një pikë referimi e Tiranës si bibliotekë. Prej kohësh autoritetet e Bibliotekës e kanë kërkuar ndryshimin dhe gjetjen e një mundësie të tillë. Edhe njëherë, mjafton një prekje fare e vogël, pa e cekur kurrsesi godinën (kujtojmë këtu Rajshtagun), që kjo godinë të bëhej realisht një strehë dhe një tempull kulture e njerëzve të metropolit.

Është koha të kuptohet sesa më shumë ta zgjasim agoninë e saj, paçka pretendimeve për destinacionet e saj, aq më shumë tani pas alarmit që na dha djegja e bibliotekës që ajo të ketë karakter funksional. E më mirë se një strehë për librin, asgjë nuk mund ta transformoj godinën që ka mbetur si sfinks ogurzi për qytetin.

Please follow and like us: