Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma në Drejtësi duhet të përfshijë shoqërinë shqiptare

Arnida Çapi

Deri tani lufta është bërë nga klasa politike me nxitjen dhe ndërhyrjen e faktorit të jashtëm politik. Kështu ka ndodhur në të gjitha vëndet europiane lindore. Dhe nga përvojat e këtyre vëndeve në zbatimin e reformës në drejtësi raportet vlerësuese kanë vënë në pah se si është lidhur suksesi i reformës nga mënyra e përdorimit të kartave nga BE. Kur anëtarësimi ka ndodhur para Reformës, si në Rumani, ato nuk kanë patur nxitje politike të jashtme të fortë për zbatimin e saj. Të kundërtën provoi Kroacia, si një shëmbull suksesi, të cilin me më tepër vështirsi, BE kërkon ta përdorë me politikën shqiptare: Përdorimin e kartës së anëtarësimit dhe dhënies së fondeve.

Pra, në të gjitha rastet, faktori nxitës dhe veprues është i jashtëm: BE, USA.

Faktori i brëndshëm politik është i ndarë dhe në luftë mes përkrahësve të reformës dhe penguesve të saj të cilët mbrohen prej zbatimit të kësaj reforme.

Kjo nuk ka rëndësi. Sepse politika është mandat. E rëndësishme është të nxjerrim mësim dhe përvojë, ndërgjegjësim për të përmirësuar politikën, pra mandatuesin.

Kur flasim për klasë politike flasim për shoqërinë.

Rasti i Rumanisë ishte impreisionues për përmasat që mori. Ajo protestë masive, për të cilën nuk u transmetua shumë, ishte emancipim politik i një shoqërie që rivendos vlerat e saj.

Ky është qëllimi i Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Një emancipim dhe një zhvillim i gjithëanshëm. Pse nuk e kërkon shoqëria shqiptare me vullnet të shprehur në protestë? Pse kanë zënë sheshet e protestës penguesit e epokës europiane shqiptare? Pse, frika e tyre është interesi primar i Shqipërisë? Pse fatet e tyre janë më të rëndësishme se fati i Shqipërisë?

Shqiptarët kanë dalë masivisht kur ra komunizmi. Shqiptarët kanë luftuar për pavarsinë e Kosovës. Pas komunizmit e shovinizmit, ky është momenti historik që do ndajë Shqipërinë nga mbetjet komuniste të korrupsionit dhe tranzit-demokracisë. Ky është momenti që shqiptarët të kërkojnë drejtësinë, si moralitet të tyre, që nuk e kanë gjetur nga ky sistem dhe t’a kërkojnë deri sa ta kenë. Ky ka qënë në cdo kohë procesi i demokracisë: Kërkim i të drejtave. Ky është vet procesi i europianizimit.

Shqiptarët duan drejtësi, kanë vuajtur nga padrejtësia dhe duan të jenë qytetarë europian. Të punojnë e jetojnë në një ekonomi të zhvilluar në një shtet të sigurtë të lirive dhe të drejtave. Prandaj, shqiptarët duhet të shprehin moralitetin e tyre, vlerat e tyre dhe vullnetin e tyre politik në kohën e duhur, sot, në protestë. Populli rumun na impresionoi. Nuk duhet të impresionohemi, por të ndërgjegjsohemi e të bashkohemi për të treguar vlerat, moralitetin dhe qëndrimin tonë ndaj Drejtësisë.

Please follow and like us: