Albspirit

Media/News/Publishing

Trump: Unë dhe Merkel jemi përgjuar nga Obama, SHBA mbështetje NATO-s

NATO, tregtia, emigracioni dhe lufta kundër terrorizmit ishin në fokus të takimit të parë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

Duke kujtuar miqësinë shumëvjeçare që lidh të dyja vendet, ata e vunë theksin te vlerat e përbashkëta të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Numri një i Uashingtonit rikonfirmoi mbështetjen për aleancën e NATO-s, duke përsëritur kërkesën e tij që të gjitha vendet anëtare të paguajnë pjesën e tyre të kontributeve.

“Një Amerikë e fuqishme është në interes të të gjithë botës”, tha Trump, duke iu referuar planeve të tij për të përqëndruar prodhimin brenda kufijve. Ai këmbënguli se nuk kërkonte izolim, por një politikë të drejtë tregtare, pasi siç tha, shumë vende kanë përfituar deri më tani nga SHBA-të.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane pohoi se takimi ishte i frytshëm dhe se ishin përpjekur të gjenin pika takimi lidhur me çështjet për të cilat nuk binin dakord. Sa i përket emigracionit, Merkel tha se pavarësisht përkushtimit për t’i mbrojtur kufijtë, nuk mund t’i linin në baltë emigrantët.

Merkel, e cila shoqërohet nga disa sipërmarrës të kompanive të mëdha gjermane, duhej të mbërrinte në kryeqytetin amerikan të hënën, por vizita u shty për shkak të një stuhie bore që goditi verilindjen e vendit.

Takimi mes dy udhëheqësve ka qenë i shumëpritur për shkak të përplasjeve publike mes tyre për çështje të rëndësishme. Në muajin janar, Trump pohoi se kancelarja gjermane kishte bërë një gabim katastrofik duke i hapur dyert qindra mijëra refugjatëve dhe emigrantëve në Gjermani.

Ndërsa Merkel nuk i ka kursyer kritikat për planin e Trump për të ndaluar udhëtimet nga 7 vende me shumicë myslimane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u ka qëndruar prapa pohimeve të tij se ishte përgjuar nga Barack Obama, megjithëse SHBA i kërkoi më herët falje Britanisë për akuzat. E përbashkëta e fundit, sipas Trump, është se të dy ata, së bashku me Kancelaren Merkel, janë përgjuar nga administrata e kaluar amerikane e drejtuar nga presidenti Barack Obama.

Please follow and like us: