Albspirit

Media/News/Publishing

YLLI MANJANI/ Parlamenti vetëm çirret se do reformën, por nuk do që të ndryshojë asgjë, as qeverinë!

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që po përgatiten të miratohen në Kuvend, nuk reformojnë thuajse asgjë! Thjesht mbyllin ndonjë shteg për të “pandehurit e ardhshëm” të SPAK.
Që në fillimet e Reformës në Drejtësi kam folur për nevojën e ndryshimeve themelore në procedurat e gjykimit. Janë procedurat ato që përmirësojnë apo përkeqësojnë jetën e çdokujt që kërkon drejtësi në gjykatë! Kam pasur dhe kam bindjen se reforma reale në drejtësi është ajo që përmirëson shërbimin, prandaj theksova me forcë nevojën për procedura të reja. Nisëm edhe punën për hartimin e tyre, madje.
Por Komisioni i Ligjeve ne Kuvend nuk ka vullnet për ta reformuar shërbimin gjyqësor. Janë ndalë gjatë te çështje periferike (për sistemin, por të rëndësishme për zullumqarët) që prekin më së shumti “garancitë” që i duhen dhënë politikanëve për t’u mbrojtur nga SPAK dhe asnje zgjidhje për mijëra shqiptarë të thjeshtë që kërcënohen nga: arresti pa prova, zvarritja e gjykimeve, trajtimi i diferencuar për raste te ngjashme, etj, etj…, janë marrë gjerë e gjatë me përgjime e dëshmi anonime, që mund të bëhen “shqetësim” për të hetuarit e ardhshëm të SPAK.
Reforma duhet të ndërtonte një shërbim hetimor që shkon tek autori vetëm nëpërmjet Provës dhe jo nga autori të shkohet tek prova! Kështu e kemi sistemin edhe sot! Kështu e do ta ruajë ende Komisioni i Ligjeve! Pra s’ka reformë!
Njerëzit kishin nevojë për këtë reformë shumë më tepër sesa; kush emëron apo shkarkon gjykatësit e prokurorët! As kush i Vetton ata! Nuk kishin e as kane nevojë për të bërë tifozllëk se cila çadër do fitojë, ajo e zgjedhjeve apo ajo e vetting! Jo, sepse ato janë çadrat e politikës që nuk ndryshojnë asgjë në shërbimin gjyqësor!
Kodet e Procedurave ishin thelbi i reformës që kërkojnë njerëzit me shumë sesa ligjet që ndajnë kompetencat e pushtetit mbi gjyqësorin! Dhe këto kode nuk po ndryshojnë asgjë nga ky realitet!
E njëjta filozofi, po ndiqet edhe te ndryshimet e Kodit Penal dhe te procedurës civile! Asgjë e re! Nuk jemi gati të ndryshojmë sistemin- thonë deputetët! Ky është Parlamenti që vetëm çirret në media se do reformën! Por, në fakt nuk do të ndryshojë asgjë! Madje as qeverinë!
Ndoshta ky ishte qëllimi i kësaj reforme, të vendoset autoriteti i pushtetit te ri mbi gjyqësorin dhe jo të ndërtohej një gjyqësor që shërben shpejt dhe drejt!
Me dhimbje të pa masë e konsideroj këtë nismë të tyre për ndryshim të procedurave si:
Dështim! Dështim zhgënjyes madje!

P. S. Për të gjithë ata që kanë ende prirje të shohin tek mendimet e mia qëndrime të caktuara politike, i ftoj të heqin dorë, sepse në këtë çështje kam qenë dhe mbetem thjesht një jurist që desha të bëj diçka të mirë për sistemin! Për këto çështje as kam marrë, as marr e as kam ndërmend të marr izëm politik!

Please follow and like us: