“Deep State” në gjendje lufte?!
Fat për mediat, përhapja e “Vault 7”, domethënë e 8760 dokumenteve kompromentuese të CIA-s nga ana e WikiLeaks, ka përkuar me Ditën e Gruas, festë botërore e detyrueshme si Shoah Day. Përderisa faqe pas faqesh, kronika televizive pas kronikash televizive lidhur me gratë nëpër sheshe, kronika ndërkombëtare lidhur me një grevë botërore të grave që natyrisht nuk ka ndodhur dhe për “Vault 7” pak ose asgjë. Fakti që CIA na paska një softuer (UMBRAGE) që jo vetëm spiunon kompjuterët e çfarëdo enti në Shtetet e Bashkuara, por edhe lë gjurmë që në mënyrë false bëjnë të dyshohet se kanë qenë “hakerat rusë” legjendarë, nuk i intereson as “Washington Post”, as “New York Times”, që lidhur me historinë e hakerave rusë që kanë falsifikuar zgjedhjet presidenciale, kanë bërë Clinton të humbasë dhe të fitojë “ortaku” i tyre Trump, janë mbushur raportimet për muaj të tërë.
Fakti që CIA ka “porta të prapme” (backdoors) në programet Microsoft që i mundësojnë të futet në të gjitha kompjuterët që përdorin Windows në planet dhe mund të bëjë të njëjtën gjë me Apple dhe me Google; që mund të kontrollojë në largësi makina dhe avionë (e shkëlqyer për vrasjet e maskuara si incidente); që ka krijuar në mënyrë klandestine një aparat kolosal spiunazhi të brendshëm për qytetarët amerikanë, gjë që është e ndaluar me ligj, duke u bërë një lloj NSA-je (National Security Agency) në brendësi me mundësinë e interceptimit të gjithë njerëzit, pa kontroll gjyqësor, nuk ka preokupuar as mediat, as qeveritë e huaja, as senatorët amerikanë. Njëfarë preokupimi është shprehur nga dikush për faktin që, siç ka zbuluar WikiLeaks, CIA për më tepër ka “humbur kontrollin” e të gjithë arsenalit të saj të kibernospiunazhit, domethënë prej neglizhencës ka nxjerrë në rrjet ato programe dhe softe: sepse tani, o Zot i madh, “mund t’i përdorin terroristët”.
Fakti që nga këto dokumente zbulohet se CIA ka një ekspansion të madh, botëror, një fuqi që bën atë që do pa kontrollin më minimal qeveritar – një realitet përballë të cilit fantazitë komplotiste paranojake, më të guximshme, janë vogëlsira – duket se pranohet nga të gjithë sektorët e establishmentit, demokratë, si edhe republikanë, kompani shumëkombëshe, shtete europiane dhe deri nga Shtëpia e Bardhë si diçka paqësore, normale. Justifikimet bipartizane të senatorëve të të dyja partive janë plot respekt: CIA e bën të gjithë këtë për të na mbrojtur nga terrorizmi. Në thelb, kjo është ekuivalente me si të thuash: nuk është e mundur që CIA kërcënon interesin kombëtar, pasi është vetë ajo që e përcakton interesin kombëtar. Kurrë totalitarizmi nuk u përkufizua dhe nuk u pranua më mirë nga subjektet.
NSA-ja hakmerret ndaj CIA-s?
Por ndoshta kjo heshtje ka edhe një motiv më të thellë e më shqetësues. Në këtë mal zbulimesh kundër CIA-s dikush dyshon për dorën e entit rival të inteligjencës, National Security Agency (NSA). Gazetari investigativ Wayne Madsen është i sigurtë. Një prej raporteve të tij të fundit e ka titulluar kështu: “CIA SIGINT disclosure appears to be retaliation for Langley’s involvement with Snowden leak”. “Divulgimi i inteligjencës elektronike të CIA-s duket se është një raprezalje për përfshirjen e Langley [selia qendrore e CIA-s] në rrjedhjen e informacioneve të Snowden”. Duhet pasur parasysh se Madsen ka qenë vetë një agjent i NSA-së dhe tregon sesi në vitet tetëdhjetë, kur punonte në Grupin S (Signal, interception), drejtori i tyre, një kolonel, u rekomandoi ashpërsisht që të ishin shumë të vëmendshëm për të mos nxjerrë asgjë për misionin që po kryenin, të urdhëruar drejtpërsëdrejti nga Shtëpia e Bardhë. “E dimë, i tha Wayne, jemi trajnuar dhe përgatitur për një gjë të tillë, i dimë edhe rreziqet që marrim mbi vete nëse u themi edhe një fjalë të vetme sovjetikëve. Koloneli iu përgjigj: “Nuk e kisha me rusët, po flas për CIA-n”. Megjithëse në teori CIA duhet të kufizohet në spiunazhin e jashtëm dhe në terren, dhe NSA-ja për përgjimet e brendshme, nën një kontroll më të madh (teorikisht) të autoritetit gjyqësor apo të enteve të tjera të autorizuara me ligj, ndarja e territoreve është larg nga të qenit paqësore. Tensioni midis CIA-s dhe NSA-së ka qenë i përhershëm. Për shembull, në thelb është NSA-ja ajo që ka siguruar pjesëmarrjen në ECHELON, programi i përbashkët i përgjimit botëror me Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re.
Në kohën kur punonte Madsen, CIA kishte një zyrë spiunazhi elektronike (Office of Signal Intelligence Operations, OSO) e cila ngjallte dyshime të forta në nivelet e larta të National Security sepse dukej se dyfishonte operacionet e NSA-së. Duke i humbur dy centralet përgjuese në Iran në vitin 1979 prej rënies së Shahut, CIA u ndihmua nga NSA-ja që të ngrinte dy qendra përgjimesh radio dhe telefonike në Kinën Perëndimore, qendra që u menaxhuan bashkë, për një herë të vetme. Pastaj OSO-ja e CIA-s u dorëzua dhe NSA-ja e zgjeroi pushtetin e saj mbi të gjithë inteligjencën nëpërmjet sinjalit apo SIGINT-it.
Kështu, kur më 2013 shpërtheu afera e Edward Snowden, Wayne, ndoshta prej profesionit, nuk e beson as edhe për një çast idenë e një heroi të pastër civil në luftë kundër sistemit. Vëren se biografia e Snowden nënvizon kalimet e tij nga njëra agjenci tek tjetra: fillimisht punonte për NSA-në në Universitetin e Maryland, pastaj rekrutohet nga CIA dhe punon për të në Gjenevë nën mbulim diplomatik nga 2007, më pas punësohet nga “Booz Allen Hamilton” (kompani teknologjie informatike “konsulente” e NSA-së, domethënë një prej fasadave të saj) dhe këtu “tradhton” e nis të nxjerrë male me informacione sekrete. Në atë kohë Madsen qe i pari që shkroi se Snowden kishte mbetur agjent i CIA-s dhe “e gjitha kjo mund të ishte pjesë e një operacioni të Langley” për të ekspozuar dhe vënë në telash NSA-në, duke zbuluar përfshirjen e saj në operacione të ndryshme, të themi, ilegale.
Tani, përhapja masive dhe jo e autorizuar e SIGINT-it të CIA-s do të ishte hakmarrje. Aq më shumë që një gjë e tillë një syri ekspert i zbulon para së gjithash se CIA ka krijuar fshehurazi në brendësi të saj një, si të thuash, NSA gjiganteske dhe në kuptimin e fjalës, një aparat cyber-warfare (lufte kibernetike) që dyfishon NSA-në dhe US Cyber Command, që janë edhe praktikisht e njëjta gjë: edhe kjo e fundit e ka selinë në Fort Meade, pranë NSA-së dhe të dy entet kanë të njëjtin drejtor, Admiralin Mike Rogers.
Brennan i kërkoi Presidentit Obama që ta shkarkonte kreun e NSA-së
Tani, kujton Madsen, ky Admiral Rogers ka pasur një takim “jo të autorizuar” më 17 nëntor 2016 në Trump Tower me kandidatin Donald Trump. “Ky fakt e ka shtyrë James Clapper, drejtorin e National Intelligence, sekretarin e Mbrojtjes, Ashton Carter dhe sipas burimeve të Madsen, drejtorin e CIA-s, John Brennan që t’i kërkojnë Presidentit Obama shkarkimin e Rogers”. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe “sot Rogers vazhdon t’i shërbejë Trump si drejtor i NSA-së dhe i US Cyber Command”. Pse CIA do të donte ta ngacmonte NSA-në duke mobilizuar Snowden që të “cicërojë”? Wayne Madsen kishte shkruar qysh në vitin 2014, më 14 shkurt: “Burimet tona në komunitetin e inteligjencës, në kushte anonime, na kanë thënë se një fraksion brenda CIA-s ishte gjithnjë e më shumë i irrituar dhe i alarmuar për sistemin kolosal të përgjimit të ngritur nga NSA-ja, që në raste të caktuara ishte vënë në dijeni të operacioneve të jashtme sekrete të CIA-s tejet të rezervuara [highly compartmented] për shkak të kapaciteteve të saj monitoruese me “spektër të plotë të komunikimeve dixhitale botërore, midis të cilave atyre të kontrolluara nga CIA”.
Në operacion janë caktuar agjentë të CIA-s në shërbim, në pension dhe contractors. Snowden ka marrë pjesë prej kurrikulumit të tij të jashtëzakonshëm “në Gjenevë si atashe pranë misionit amerikan në Kombet e Bashkuara dhe në Misawa të Japonisë, nën mbulimin jozyrtar të Dell Computer dhe Booz Allen Hamilton”, ishte njeriu ideal për të grumbulluar dokumente të NSA-së që t’ua shpërndante mediave.
Në këtë artikull të vitit 2014, Madsen tregonte si tregues në mbështetje të versionit të tij faktin që NSA-ja sapo kishte pushuar nga puna një civil që punonte në Ishujt Havai, pranë qendrës operative të saj në Kunia dhe që i kishte dhënë Snowden PKI-në e tij, domethënë Public Key Infrastructure Certificate, që të jep aksesin në NSA-Net, internetin e brendshëm dhe të mbrojtur të NSA-së: një akses që vetë Snowden nuk e kishte. Ishte bërë një denoncim tek FBI-ja për këtë civil dhe dy persona të tjerë që punonin me të në Havai, FBI-ja kishte hetuar, por nuk kishte pasur arrestime… Pse?, do të pyesnit ju. Ja përgjigjja e Madsen në artikullin e vitit 2014: “Elementë brenda CIA-s kanë informuar Shtëpinë e Bardhë të Obamës dhe specifikisht John Podesta, këshilltarin e Presidentit për të gjitha çështjet lidhur me rrjedhjen e informacioneve të NSA-së, se në rast se Shtëpia e Bardhë apo Departamenti i Drejtësisë do të kishin vepruar kundër CIA-s për ‘cicërimat’ e Snowden, atëherë kjo e fundit do të shpërndante informacione personale mjaft shqetësuese lidhur me Presidentin”. Madsen shtonte: “Përfshirja e ‘Booz Allen Hamilton’, që është në pronësi të Carlyle Group, e ka paralajmëruar kështu Obamën se operacioni për goditjen e NSA-së drejtohej nga forca politike të fuqishme”.
Madsen shton se pak javë më parë, në muajin shkurt, një ish-contractor i NSA-së nga 1993 më 2016, një oficer marine në rezervë, Harold T. Martin III, është kapur në posedim të 50 terabajtëve fajla elektronikë tejet sekretë, për më tepër material i NSA-së. Edhe Martin kishte punuar për “Booz Allen Hamilton”. Por e veçanta më e “lezetshme” e kësaj është se iniciativa për ta vënë nën akuzë Martin ka qenë e Rod Rosenstein, në atë kohë prokuror i Maryland, të cilin Donald Trump e ka emëruar si zëvendës të Attorney General Federal të zgjedhur prej tij, Jeff Sessions.
Kështu, nëse Madsen e ka kapur siç duhet, kur më 3 mars Trump ka bërë një tweet se, “Obama më ka përgjuar telefonin” pa dhënë prova, ndoshta e dinte qysh nga nëntori (nga biseda me Admiralin Rogers, kreun e NSA-së, të cilin ata të CIA-s donin ta shkarkonin), se shpejt akuza e tij do të përforcohej nga zbulimet e bujshme të “Vault 7”, të cilat zbulojnë turpet e pabesueshme të CIA-s; ka lënë të rriten akuzat e organizuara nga CIA, Clapper dhe “Washington Post” mbi “hakerët rusë”, që do ta kishin ndihmuar të fitonte zgjedhjet, duke e ditur tani nga zbulimet e “Vault 7” se CIA infiltron kompjuterë dhe mund të simulojë ndërhyrjen sikur vjen nga hakerët rusë. Ka lënë që të dalin zbuluar miq falsë apo neutralë falsë si James Comey i FBI-së, deputetët e senatorë edhe republikanë, të bindur se naivi Donald kishte rënë me këmbët e veta…
Trump i jep goditje sistemit
Papritmas, prokurori i Përgjithshëm i emëruar prej tij, Jeff Sessions, i kërkon 46 prokurorëve të Përgjithshëm shtetërorë të emëruar nga Obama që të japin dorëheqjen. Sekretari i ri i Shtetit, Tillerson, e ka shkurtuar personelin e Departamentit të Shtetit, njerëz të epokës Obama e Kerry (dhe Nuland) dhe nuk ngutet aspak që t’i zëvendësojë: i dukshëm vullneti për të ridimensionuar të gjithë ekipin e punëve të jashtme, personelin e ambasadave dhe ndoshta edhe vetë numrin e tyre. Këto janë dy goditjet e para. Ngurrimi i mediave dhe i senatorëve që të flasin për “Vault 7” dhe për bëmat e CIA-s ndoshta shpjegohet me terrorin apo me maturinë: dy gjigantë shumë të rrezikshëm të Deep State, CIA dhe NSA, prej dekadash në luftë okulte, tani janë në luftë të hapur. King Kong lëshohet kundër Goxillës, shpërndajnë andej-këtej të dhëna kompromentuese si grushta, shfaqin sekrete shtetërore dhe krime të përbindshme, nuk dihet se kush do të fitojë. Domethënë vetëm qarkullim, nuk ka asgjë për të parë.
Gjithmonë që Wayne Madsen të ketë parë si duhet dhe të ketë pasur informacionet e duhura. Mjafton të kujtohet se ky personazh i mrekullueshëm është ai që me një investigim të tijin në Chicago ka zbuluar se Barak Hussein Obama, përpara se të garonte për president, ishte frekuentues qarqesh homoseksuale dhe bashkë me kryebashkiakun dhe mikun e tij Rahm Emanuel, ortak i bathouse “Man’s Country” për geit e kamur. Më pas Obama e solli Emanuel në Shtëpinë e Bardhë si shef Stafi midis viteve 2009 e 2010.
Natyrisht, media të rëndësishme të majta kanë provuar të demonstrojnë se informacioni ishte sajesë, një fake news. Hedhja poshtë më e drejtpërdrejtë, që do të kishte konsistuar në paditjen e Wayne Madsen për shpifje, nuk ka ndodhur asnjëherë. Kushedi, ndoshta janë këto informacione “personale dhe tronditëse” për Presidentin që CIA i ka bërë me dije Shtëpisë së Bardhë se i disponon.
“Wayne Madsen Report”, “Reuter”s, “Daily Caller”, “WND.com”
Përgatiti:
ARMIN TIRANA