Demokracia e njerëzve me dosje
Nga Ilir Levonja/
1)Në rrjetet sociale ka një denoncim të dhunshëm. Për një njeri që ka qënë aty. Por që sot është zgjedhur të drejtojë dikasterin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ose ai dikaster që është faqja e zezë e historisë së shqiptarve që pas luftës së dytë botërore, Koha kur ngritën shtetin e intrigave dhe të ashtuquajturës luftë e klasave. Pasoja e politikës së shfarosjes. Apo mbytjen e mendimit ndryshe. Që po i vuajmë edhe sot e kësaj dite.
Kjo është më se e dukshme kur sheh në debate, a) gra që shfaqen si bushtra, pavarsisht elegancës trupore. Mëndje tendosura, pa tharmin e natyrës. Por kamikaze të teserës. Plot bllanja nga lufta kur njeriu e hellon njeriun etj. Apo sharmit të ngjyrës së fustanit me kënanë e flokëve butaforikë etj. b) Kur sheh burra fshatarë me kostume firmato. Dhe fatkeqësisht Shqipërisë, këta zëvendsa, këta kollovarë kryeqyteti, i janë bërë shumicë dërrmuese. Mjerë ai komb që është pushtuar nga një katunari kolektive. Nga lukunia fshatare që janë kudo. Dhe që u mjafton një diplomë. Një apartament i blerë me merita rryfsheti. A një vile në periferi, Një grua administrate dhe me biznes. Sa tek triumfi, po aq edhe vdekja kombëtare. Plot me akuza e fajtorë. Po aq edhe duar larë. Dhe u bënë intelektualë. Figura që të flasin për fatet e kombit. Duke ia lënë mutin në derë atdheut.
2) Ministri i ri, i dikasterit të dhunës. Aty ka qënë. Aty si shumë sekretarista të tjerë. Eshtë vonë të indinjohemi. Aty ka qënë, madje i varëm këmborën e reformës në drejtësi. Dhe ai drejtësi ka bërë. Drejtësi, ashtu si dje kur të gëdebte qelive. Apo atyre dhomave gjysëm të errta. Me një legen sipër kokës së të pandehurit. Me një legen dritë përmbysur. Kur t’i fiknin cigaret Rozafa në ballë. Kur të quanin armik i popullit. Vagabond me shfaqje të huaja. Kur të flaknin në internim për punë leshrash të gjata. Pse dëgjoje Zërin e Amerikës. Apo radio Vatikanin. Shihje RAI UNO-n etj. Dhe ne i paguanim. U jepnim rroga të majme. Dhe pas kësaj, ata shkonin e pinin birra në pallatin e oficerëve. Kurse ne kafe elbi. Dhe mbanim radhën tek dera e policisë. Ata festonin suksesin e luftës së përditshme të klasave. Aty ka qënë. Aty është …, edhe sot.
Drejtësia e gëdëpjes do burra të fortë. Si kujtoni ju. Kollaj bëhen reformat. Drejtësia e votës së vjedhur do burra që kanë histori të arshivuara. Do mbrojtur vota e vjedhur. Do mbrojtur listat e manipuluara të regjistrimit. Tashmë legjendë tranzicioni që në çdo kohe zgjedhjesh, do bëhen lista. Ndryshe nuk fitohet mbi kundërshtarin politik. Dhe ne dime mirë si të të rrahim, Dhe që nuk ka dyshim që ka një dosje. Një dosje shqiptare. Me atë thënien popullore, Shqiptarit lëroja nënën të të thojë baba.
Mirëpo kujt ia thua.
Aty ka qënë. Ka votuar si të zgjidhet deputet një pengmarrës. Një kanabist. Një mestar tenderash. Një shantazues. Një dosjexhi. Një koleg që të gëdëpte hetuesive simotra në rrethe. Ka votuar dhe i ka afruar në parti.
Hetuesit ishin pararoja e luftës së klasave. Ajka e dhunës breznore. I kishin tavolinat e Barlulishteve përjetësisht të rezervuara, rrugët, kryqëzimet, hollet e shkolave, spitaleve, burgjeve, ministrive gjithnjë me semafor jeshil.
Kështu edhe tani.
Të gëdëburit të mbajnë nishanet. Të mjaftohen me dekoratat e presidentit. Se pushtetin, as e kishin, as e kanë, as kanë për ta patur. E ka marrë në dorë shoqëria e dosjeve dhe katunaria.
3)Në fakt kjo katunari shqiptare, studiosh. Një inteligjencë e prapambetur nga rakia e zjerë dy herë. Nga pordhët e hudhrave të njoma. Merret sot me një zbulim të ri. Ose me armikun e ri të klasës. Që janë Teto Ollga, Kreshnik Martini, Zëvendësin e grave. Me…, M’susin e Kalcës, Dedën mes borës së Tropojës etj. Dhe jo me armikun real të luftës së klasave. Ose mendon se e ka mundur. E ka mundur, ose ka bërë pakt me ‘të dhe po qeveris. Paktistat janë ata që ua shtojnë rruzaret tranzicionit. Paktistat, jo ata që bëjnë marrëveshje të mëdha. Sy njerëzimit. Paktistat ja familja e skuthave. E katunarisë. Kësisoj nuk kemi pse habitemi që një riosh nga kontigjenti i sekretariateve të shkollave të Enverit. Bëhet sot minister i brendshëm. Nuk është i vetmi. Keni më të kualifikuar. Kemi verë më të vjetëruar aty. Keni strategët e paskuintave. Që dirigjojnë gjithçka. Strategët e punëve të brendshme. Ndërkohë që akuzoni për kriminelë Lulzim Bashën për vrasjet e 21 janarit. E kemi stazhionuar strategun e vrasjeve të 2 prillit në Shkodër. Verën e vjetëruar rilindase Gramozin e Ruçajve.
Vetëm në Shqipëri nuk ka ndodhur tranzicioni.
Vetëm në Shqipëri qeverisin dhe kollondrisin fatet e popullit edhe sot pas 27 vjetësh, xhelatët e viktimave. Dhe hidhuni përpjetë. Mbushini studiot me katunarë. Dëgjojini…
Të rinjtë e Enverit kanë triumfuar. Edhe pse nëpër studio të gjithë janë antienverista. Ta dini të gjithë gënjejnë. Sapo të dëgjoni kur thonë që, e urreja Enverin. Babai im kështu e ashtu. Familja ime kështu e ashtu, por nuk kishim çfarë të bënim etj. Gënjejnë…, ta dini. Një shoqëri që nuk pranon fajin, gënjen. Në mos të gjithë, kemi qënë me shumicë me Enverin. Dhe bëjmë mire të ndjehemi se të hiqemi.
4)Sot shumë njerëz habiten se pse nuk reagojnë ambasadat e huaja. Sidomos ajo amerikane. Për këtë hetues gjirizesh. Kur ka kaq shumë dëshmues si brenda dhe jashtë vendit? Kaq shumë të rrahur që ndihen të indinjuar.
Nuk ndërhyjnë pasi tek ne ka kaq shumë zhurmë sa, ata ndihen të pafuqishëm. Në aspektin e llogjikës. Ne nuk na lë temperamenti. Nga ana tjetër, e dimë mirë se, Fatmiri, nuk është i vetmi. E dinë edhe ata. E dimë mirë se demokracia jonë është e uzurpuar. Dhe e dhunshme. Mjafton një fakt, të shprehesh ndryshe. Të mendosh ndryshe nga njëshi. Dhe je armik. Eshtë një demokraci e uzurpuar. Përkarshi pragmatizmit perëndimor. Ku e bardha është e bardhë dhe e zeza, e zezë.
Tek ne flitet për progres të ekonomisë së tregut. Ndërkohë që vetëm ekonomi nuk kemi. Dhe nuk bëjmë. Ndërkohë që shifrat flasin ndryshe. Ndërkohë bëjmë e zhvillojmë me sukses, ideologji me mbivënie.
Përderisa pajtohen vet shqiptarët më kësi lëshime, me kësi zgjedhjesh. Pse të mos pajtohen edhe të huajt. Që sot janë aty, kurse nesër mund të shpallen persona non grata.
Siç po ndodh sot me Sorosin. Apo me Romana Vlahutinin etj.
Kjo është demokracia e jonë. Demokracia e njerëzve me dosje.