Duma ruse nis hetimet ndaj 3 mediave, 2 prej tyre me shërbim në shqip
Dhoma e ulët e Parlamentit të Rusisë ka urdhëruar fillimin e hetimeve nëse puna e Radios Evropa e Lirë, (shërbimit rus), Zërit të Amerikës dhe CNN-it është në përputhje me ligjet e Rusisë.
Ky vendim vjen disa ditë pasi senatorja amerikane Sheanne Shaheen nga New Hampshire paraqiti ligjin që do t’i mundësonte Departamentit të drejtësisë të hetonte shkeljet e mundshme të Aktit të Regjistrimit të agjentëve të huaj nga RT, një agjenci lajmesh e mbështetur nga Rusia.
Nisma ruse u prezantua nga Konstantin Zatulin, një anëtar i Partisë Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin, që mban shumicën dërrmuese në Dumë.
I miratuar nga ligjvënësit të premten, ky hap e udhëzon Komitetin e Dumas për politikat e informimit, të hetojë përputhshmërinë me ligjet ruse të punës së VOA, CNN dhe Radios Evropa e Lirë, shërbimi rus, i njohur si Radio Svoboda.
Zatulin e ndërlidhi konkretisht këtë hetim me ligjin e Shaheen, duke cituar vlerësimet e shërbimeve amerikane të informimit, se RT në SHBA është shfrytëzuar si pjesë e një fushate të drejtpërdrejtë të Kremlinit për shfrytëzimin e ndikimit publik me qëllim mbështetjen ndaj presidentit amerikan Donald Trump gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.
Edhe RT dhe Kremlini i kanë hedhur poshtë akuzat.
Radio Evropa e Lirë dhe VOA mbikëqyren nga Bordi i Guvernatorëve për Transmetim (BBG) një agjenci amerikane që mbikëqyrë transmetimin civil të operacioneve mediatike.
VOA është një entitet federal, ndërkohë që Radio Evropa e Lirë është një organizatë private jofitimprurëse që financohet me fondet e Kongresit amerikan
CNN u akuzua nga Moska për mënyrën se si ka përcjellë përfshirjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe lidhjet ndërmjet bashkëpunëtorëve të Trumpit me zyrtarët rusë.
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Marija Zaharova, më herët gjatë muajit ka akuzuar këtë rrjet ndërkombëtar televiziv me seli në Atlanta, me të njëjtin fjalor që përdor edhe Donald Trump se janë “lajme të rreme”.