Albspirit

Media/News/Publishing

Elvi FUNDO: Basha të hapë dosjet e deputetëve dhe kandidatëve të PD

Partia Demokratike po vazhdon protestën e saj në çadër dhe sot bën plot një muaj që vazhdon pa ndalim. Kreu demokrat Lulzim Basha ka folur për Republikën e Re, lëvizje politike, qeverinë teknike, ka sulmuar ashpër qeverinë, ka ngritur tonet dhe ka kaluar deri në kërcenime, por këto janë pjesë e retorikës dhe skenarit të tij politik për të dëmtuar qeverinë dhe fituar sa më shumë pikë në prag të zgjedhjeve.

Basha trashëgon një parti të dobët dhe të përçarë, edhe për vetë faktin sesi i zgjodh në krye të saj, por sot ai për shumicën e demokratëve është kryetari i pranuar që po kryen aksion politik, i cili në fakt i mungoi në katër vite.

Ky aksion po shoqërohet me teza dhe premtime të ndryshme, por ka lënë mënjanë vetë PD. Pra çfarë do bëjë dhe si do sillet vetë Basha me Partinë Demokratike. Dje i ka shkruar një propozim për dekomunistizimin e PD dhe Republikës të Re. Një aksion që duket disi parimor, por sot pas 27 vitesh vlen për të ndezur gjakrat e atyre të persekutuarve që janë gjallë, flas për ata politike, sepse ka me dhjetra ordinerë të kthyer më pas në politike.

Por problemi thelbësor në PD nuk është dekomunistizimi, por hapja e dosjeve. Kjo e dyta është problemi thelbësor i kësaj force politike e cila beson se është ndryshe nga kundërshtari i saj siç është PS-ja, sikur PPSH, e më herët PKSH-ja e diktatorit Enver Hoxha.

Basha duhet të ketë një qëndrim dhe reagim publik. Ai duhet të flasë pa asnjë mëdyshje dhe të vendosë një kusht të fortë për kandidatët e ardhshëm për deputetë. Një nga kriteret duhet të jetë hapja e dosjes nga individi publikisht.

Pra Basha duhet tju kërkojë të gjithë prentendentëve për kandidatë të tërheqin dosjet e tyre dhe ti bëjnë ato publike në faqen zyrtare  të PD. Kush i publikon dhe është i pastër mund të vazhdoje, kush ka gëlltitur “lugën me çorbë” të ish-sigurimit nuk mund të jetë deputet përfaqësues i demokratëve.

Kjo fillimisht për deputetët më pas për të gjitha nivelet politike të qeverisjes së administratës shtetërore. PD nuk mund të bashkëjetojë më me ish-sigurimin.

Kjo do të bënte një diferencë të madhe me kundërshtarin. Se pari PD nuk do kishte në lista ish-bashkëpuntorë, së dyti do pastronte nga akuzat ata që përfliten në mënyrë abuzive si lojë nga kundërshtari, së treti do qetësonte shpirtrat e palcës së demorkatëve siç janë ish të përndjekurit politikë.

Lulzim Basha duhet ta hedhë këtë hap, ai duhet të vendosë si kriter për kandidimin, hapjen e dosjes personalisht nga cdo individ që pretendon. Dosjen e djeshme, pasi dosjen e sotme e kap Dekriminalizimi. Pa folur për të tjera kritere që lidhen me pasurimin apo korrupsionin. Ato duhet të jenë kolona të forta në rast se Basha vërtet mendon të themelojë Republikën e Re./Citynews

Please follow and like us: