Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare: Të ruhet gjuha dhe kultura e pastër shqipe

Në kuadër të vizitës së zëvendësministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, në Francë, ku realizoi takime të shumta, vizitoi edhe shkrimtarin e mirënjohur shqiptar me famë kombëtare e ndërkombëtare, Ismail Kadare.Hoti i përcolli autorit të veprave të shumta letrare artistike, Ismail Kadaresë, interesimin e Qeverisë së Kosovës, konkretisht të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shëndetin e shkrimtarit, pas një operimi të suksesshëm që ka kaluar.

Zëvendësministri i uroi shëndet dhe vazhdim të krijimtarisë edhe më tej.Hoti dhe Kadare biseduan se si kultura shqiptare të fuqizohet si një trung i vetëm dhe të rritet bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor mes shqiptarëve. Tutje, u bisedua edhe për orientimin dhe identitetin properëndimor dhe europian të shqiptarëve. Kadare porositi që t’i kushtohet rëndësi ruajtjes së gjuhës dhe kulturës së pastër shqipe si vlerë fondamentale e shqiptarëve.

Gjithashtu, zëvendësministri Hoti e informoi shkrimtarin e madh shqiptar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare të kulturës, duke përfshirë edhe planet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Kadare shprehu gatishmërinë e tij të plotë për ta ndihmuar Republikën e Kosovës që ajo të jetë sa më parë anëtare e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara.Kadare u ftua që të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt. Ai e pranoi me kënaqësi ftesën, duke e cilësuar edhe si një mundësi të takimit me lexuesit e tij për të kontaktuar drejtpërdrejt me ta.

Please follow and like us: