Komuniteti i artistëve në çadrën e lirisë: Rama ik!
Në ditën e 29-të të qendrës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Sheshit të Lirisë iu bashkuan artistë të njohur. Përmes një ekspozite fotosh nga qendresa e artistëve 17 vite më parë, ku ata u detyruan të futen në grevë urie në mbrojtje të teatrit, sot artistët apeluan se ndodhemi në të njëjtën krizë të madhe vlerash me të njëjtin përgjegjës, Edi Rama. Edmond Tullumani, një producent i njohur koncertesh, ishte një nga organizatorët e qendrës së artistëve 17 vite më parë kundër Edi Ramës. “Para 17 vjetësh, greva e artistëve tronditi qeverinë dhe atë që ishte ministër Kulture. Artistët ishin largpamës në ato vite që kërkonin jo Edi Ramën në qeveri. Por, kur ne kërkonim të mbronim Teatrin e Operas dhe Baletit ne na dhunuan. Përfunduam të papunë. Shumë artistë ikën e lanë vendin. Më vonë serish na dhunoi, madje duke na larguar edhe familjarët nga puna. Sot, ne protestojmë sërish në çadrën e lirisë. Arti njeh vetëm një rrugë. Arti nuk e njeh drogën, nuk e njeh dhunën dhe nuk e njeh arrogancën. Edhe sot Teatri i Operas dhe Baletit po dhunohet dhe po shkatërrohet dhe artistëve u bëjnë kontrata në mënyrë që t’i largojnë nga puna. Edhe Bibloteka u dogj dhe këtu po shemben tempujt e kulturës. Zoti Basha, po tingëllon një simfoni e re dhe notat e re të muzikës po tingëllojnë dhe ju lutem dirigjojeni sa më mirë”, tha Tullumani. Pedagogu Ilir Mërtiri u shpreh se është fatkqësi që situata është njësoj si 17 vite më parë. “Në 17 vite më parë u detyruam të protestojmë dhe të shkojmë deri në grevë urie për arsye, se edhe atëhere ishte po ky binom që është sot, ishte Meta-Rama. Ndjehem keq që shoh që pas 17 vitesh të njëjtin binom në pushtet dhe kjo është e tmerrshme”, tha ai. Pedagogia dhe regjisorja, Taulanta Aliaj, apeloi për qendresë nga artistët deri në rrëzimin e kësaj republike. “Pas gjithë këtyre përpjekjeve, artistët gjenden në të njëjtën situatë. Artisti në Shqipëri nuk ka statusin e artistit dhe mungon miratimi i ligjit për teatrin. Zoti Basha, unë ju ftoj që të mos i lini më artistët në mëshirë të fatit dhe ata nuk do i ndahen kësaj çadre. Unë sot këtu përfaqësoj edhe zërin e studentëve të mi që sot janë më të papunë se kurrë dhe më e keqja ështe se, janë më të pashpresë dhe më të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë realitet. Sot, këtij vendi po i largohen mendjet e ndritura. Ne u kemi bërë një pyetje prindërve tanë 17 vite më parë dhe sot, unë fëmijëve të mi do u them që unë isha në çadrën e lirisë ku u fol për republikën e re”, tha Aliaj. Artisti i mirënjohur Osman Mulaj akuzoi qeverinë për korrupsion dhe denigrim të artistëve të rinj. “Këta nuk mendojnë më për artin. Arti ka rënë në rrugë. Nuk ka më institucione. Të shikosh artistin nder të kombit rrugëve me 30 lekë në xhep është e pafalshme. Nuk ndodh kjo asgjëkundi. Ky vend nuk afron asnjë artisti asgjë dhe duke qenë se ky ka qenë pedagog dhe mban këtë qendrim ndaj artistëve është fyese. Nuk shkohet kështu asgjëkundi. Në art ka një komision me njerëz të nderuar dhe bën konkurs para tyre. Nuk duan tia dinë ata se çfarë teser partie ke. Kështu është bota. Këtu duhet të kesh teser me vete, nja 5 mijë euro me vete dhe të fusin në punë. Kështu ndërtohet radiotelevizion?! Edhe pastaj dhuruan këtë festival skandaloz që bënë. Dua të them diçka të fundit, që ky kryeministër ka luajtur 10 vjet basketboll, por nuk bëri asnjëherë një kosh 3 pikësh”, tha Mulaj. Komuniteti i artistëve në çadër kërkuan të shtohen financimet për artin, jo për të bërë vepra për fasadë, por për të ndihmuar artistët që të shprehen dhe të kenë mundësi dhe liri shprehje. Lulzim Basha garantoi mbështetjen për artin dhe artistët në republikën e re. “Ne do të financojmë artistët shqiptarë, artin shqiptar, kulturën shqiptare si një detyrim madhor ndaj nderit, dinjitetit dhe përfaqësimit të kombit shqiptar. Ndaj fytyrës së vërtetë të shqiptarëve para njëri-tjetrit, para Europës dhe para gjithë botës. Arti shqiptar dhe kultura shqiptare do të mbartin vlerat më të mira të shqiptarëve. Ky është problemi, nuk mund të financohet arti, nuk mund të ngrihet arti në piedestalin që i takon, sepse atë piedestal e ka zënë krimi, e kanë zënë narkotrafikantët, e kanë zënë tutorët e prostitucionit dhe vrasësit. Në republikë ka vetëm një piedestal: o do jenë vlerat, o do jenë antivlerat”, tha Basha. Basha u shpreh se në republikën e re, artistët do të jenë përgjegjës për menaxhimin e fondeve të tyre. “Ky erdhi në pushtet me ta dhe i ngriti në piedestal. Në republikën e vjetër, në republikën e kalbur të krimit dhe korrupsionit, sigurisht nuk mund të lartësohet arti dhe as artistët, as kontributi i një jete të tërë. Osman Mula me shokë në artin shqiptar nuk lartësohen, sepse vendin ia kanë zënë krimi dhe kriminelët, të gjitha janë nënproduktet e krimit dhe kriminelët. Edhe arti, pseudo arti i shfrenuar, pothuajse pornografik është shprehje e krimit, e drogës në pushtet, në piedestal, është tjetërsim i kulturës dhe vlerave kulturore. Por kjo do të marrë fund. Dhe do të jenë arti dhe artistët, sporti dhe sportistët që do të marrin në dorë administrimin e tyre, për t’ia kthyer financimin taksapaguesve shqiptarë me art të vlerave, me art të vërtetë, me art shqiptar, me art kombëtar, me art europian, me art perëndimor, si fytyra e vërtetë e Republikës së Re që po lind”, tha Basha.