Albspirit

Media/News/Publishing

Mithat Havari: Kështu ka ndodhur

 

Ish kryeministri Ilir Meta në vitin 2001 në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, me një lloj dashamirësie më propozoi të kandidoja për deputet në Partinë Socialiste, duke më garantuar dhe fitoren time në listat zgjedhore.

E dëgjova me vëmendje dhe i ktheva këtë përgjigje: “Të falenderoj për konsideratën, zoti kryeministër, por unë nuk mund të jem deputet i kësaj force politike që ka të instaluar persekutorët e regjimit komunist brenda saj, nuk mund të kompromentoj vehten politikisht duke shkelur mbi idealet e mia, ndërkohë që ish gjykatësi ushtarak i diktaturës Artan Gjylbegu punon këtu në kryeministri.

Është ky Gjylbeg që më dënoi pa drejtësisht 16 vjet, them pa drejtësisht për faktin se vetë regjimi i tij më dha pafajsinë, pra i bie që përgjegjësi për fatkeqësitë që mu krijuan bien mbi këtë ky person”.

Meta heshti një çast, siç duket nuk e priste këtë përgjigje dhe ma ktheu: “Përse ai të tha të flisje”?!

“Jo, nuk më tha ai të flisja, më tha e kaluara e zezë imja dhe e popullit që vuajti nën diktaturë”, i thashë.

Këtu mbaroi biseda, i dhashë dorën dhe u ndamë miqësisht. Sigurisht ai nuk bëri pyetjen e duhur në kohë, por unë ja fal për moshën e tij krejt të re që kishte atëhere.

Dikush nga ju miq pasi të ketë lexuar sa sipër të vërtetën time do më drejtohej: Po pse nuk ke pranuar të bëheshe deputet zotëri, ke bërë shumë gabim!

Përse do kompromentoheshe politikisht? Pse vetëm e majta kishte persekutorë të regjimit komunist në strukturat shtetërore, e djathta nuk kishte?

Kjo e djathtë që në fillimet e saj ka pasur brenda ish hetues, gjykatës, prokurorë, oficerë të Sigurmit të Shtetit që i shërbyen me shumë zell diktaturës enveriane dhe i përdori për gjueti shtrigash brenda llojit.

Kjo e djathtë bëri deputet Kastriot Islamin, deputet i majtë që nga viti 1992 dhe një ish ektremist i rregjur kur deklaroi se do ju thyente “kafkat”; e kishte fjalën për të përndjekurit politikë.

Kjo e djathtë zotëri do më thoshte lexuesi dërgoi ambasador në Zvicër Mehmet Elezin, ish funksionar i lartë i regjimit komunist, që është po aq përgjegjës ç’ka ndodhi në diktaturë, ndoshta më shumë se Fatmir Xhafa.

Përse nga këta kishe problem ti që nuk pranove propozimin e kryeministrit të kohës?!

Përse ka ndonjë dallim politik midis dy forcave politike, ajo që i ndan janë vetëm logot PD dhe PS.

Po e kupton more mik vazhdon lexuesi, se dhe lufta që i bëjnë Xhafës tani ka vetëm interesa politike, interesa pushteti se nuk ju “plasi” për atë të gjorën që akuzoi Xhafën se ka ushtruar dhunë ndaj saj kur ishte hetues.

Fatmir Xhafa ka qenë dhe herë të tjera ministër përse nuk reaguan atëhere por sot?

Edhe unë i përgjigjem në mes të bisedës lexuesit, po Fatmir Xhafa duhet të tërhiqet nga kandidatura, nuk ka të drejtë morale, është akuzuar publikisht, meqënë se viktima e tij akuzonte dikë tjetër e jo Fatmirin e Enver Hoxhës.

Përse nuk reaguan kur në qeverinë e tyre Ministri i Brendshëm Bujar Nishani kishte zëvendës ministër, njeriun që kishte kryer të njëjtën detyrë me Simon Stefanin, ish Ministër i Brendshëm në diktaturë?!

Po e di përse e mbanin more naivë këtë zyrtar të ish diktaturës?!

E mbanin për interesa pushteti, se zyrtari vinte nga LSI që ishte aleate në qeveri me PD.

Eh more mik sa naiv paske qenë dhe vazhdon të jesh më duket!

Dhe unë pak i hutuar nga këto pyetje “ngatërrestare” me qetësinë e kësaj të shtune me diell i përgjigjem zonjës apo zotërisë: “Epo ky është ndryshimi. Ata janë ata, kursë unë jam Mit’hat Havari”.

Please follow and like us: