Albspirit

Media/News/Publishing

Nikolla i përgjigjet Kryemadhit: Po cënon arritjet për vota

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, i është përgjigjur deputetes së LSI, Monika Kryemadhit, pas akuzave që ajo lëshoi në drejtim të Maturës Shtetërore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nikolla shkruan se i vjen habi nga prononcimi i Kryemadhit. Ajo thotë se Matura Shtetërore është fryt i punës së përbashkët dhe se ka qenë një proces gjithëpërfshirës.

Sipas Nikollës, deklaratat e sotme po kryhen për disa vota më shumë për 18 qershor.

Postimi i Nikollës

E dashur Monika,

Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të Maturës Shtetërore!

E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit.

Asgjë nuk është perfekte dhe gjithshka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cënojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive.

Miqësisht,

Lindita

Please follow and like us: