Albspirit

Media/News/Publishing

Për Evropën e Shpresës dhe mposhtjen e Frikës

 

Për këdo që beson në një Evropë të fortë, të bashkuar dhe demokratike, ka ardhur koha të ngrihet, të ndërgjegjësohet dhe të mobilizohet. Kundër nacionalizmit dhe populizmit. Për një Evropë të bashkimit, kundër ndarjeve dhe ndërtimeve të mureve të reja. Për një Evropë të bashkuar, që respekton premtimin e saj për paqe, liri, siguri dhe prosperitet. Për një Evropë të solidaritetit dhe të përgjegjësive të përbashkëta. Për një Evropë të demokracisë, që ia jep pushtetin qytetarëve. Për një Evropë të shpresës, kundër Evropës së frikës. Për një plan rilançimi dhe plotësimi të unitetit politik evropian në mënyrë që Evropa të shndërrohet në një fuqi të vërtetë politike.

Ky është apeli i fundit, që vjen nga një sërë personalitetesh të njohura politike dhe evropiane, mes të cilëve Zhype, Cohn-Bendit, Verhofstadt, Gonzales, Gabriel, Klosa, etj, për të gjithë qytetarët evropianë, për t’iu bashkuar një marshimi të madh në Romë, më 25 mars, ditën e 60 vjetorit të hedhjes së themeleve të Bashkimit Evropian.

Në këtë apel për mobilizim ata rikujtojnë se gjatë 60 viteve, Komunitetet Evropiane, dhe më pas Bashkimi Evropian mundësuan garantimin e paqes, të prosperitetit dhe të progresit në Evropën e konflikteve dhe të luftërave. Dhe se Evropa arriti të krijojë paqen dhe shtetin e së drejtës, pas shekujsh të përshkruar nga luftërat. Se Evropa ka qenë jo vetëm motori i demokracisë për vendet evropiane, që i ikën diktaturës dhe totalitarizmit, por se, ishte thelbësore për progresin ekonomik dhe social të vendeve të kontinentit për dekada me radhë, dhe një burim frymëzimi për rajonet e tjera të botës, në kërkimin e rrugës së tyre për bashkim dhe modernizim. Por, ata ritheksojnë se, Evropa ngelet një ndërtim i papërfunduar, që rrezikon shkatërrimin nëse nuk finalizohet pa vonesa.

“Përballë një ekonomie në vështirësi dhe një influence në rënie, në një mjedis të globalizuar të dominuar nga fuqitë kontinentale, ne Evropianët e tjerë nuk mund të mbyllemi mes kufijve kombëtarë, me shpresën se do të mbrohemi nga problemet. Shtetet evropiane, nuk kanë asnjë të ardhme nëse qëndrojnë të ndarë dhe në konkurrencë, por vetëm nëse ata qëndrojnë të bashkuar. Kthimi në nacionalizëm, do të na dobësojë të gjithëve. Vetëm së bashku ne mund të ri-ngrihemi ndaj sfidave evropiane, duke realizuar bashkimin politik të Evropës…

….Unioni ynë, tashmë ndodhet në një udhëkryq. Statukuoja nuk është më e mundur. Ose ai do të shpërbëhet në dinamikën e krizës së zonës euro dhe të Breksit, ose ai do të rikrijohet për të qenë në gjendje t’i përgjigjet sfidave të epokës sonë. Sfidat nuk janë të reja. Çka është e re, është përforcimi i dimensioneve të tyre trans-nacionale, intensiteti i tyre dhe urgjenca për t’iu përgjigjur, nëse ne nuk duam të asistojmë duarkryq në çintegrimin e lidhjes sociale, në kthimin e paragjykimeve dhe të populizmit, në mbylljen ndaj vetvetes dhe në fundin e shoqërisë së hapur. Me pak fjalë, për minimin e një modeli të bazuar në bashkëpunim shumëpalësh, që lehtësoi përhapjen e shoqërive demokratike.”

…Ne ftojmë të gjithë ata, që në këtë kontinent dëshirojnë t’i japin një hov të ri projektit evropian në një marshim të madh qytetar, më 25 mars në Romë…….Ne ftojmë të gjithë ata, që dëshirojnë t’i bashkohen përpjekjes sonë për daljen e një force të vërtetë qytetare evropiane. Ne kemi vlera, interesa të përbashkët dhe jemi rezultat i një civilizimi të përbashkët, ne kemi sot nevojë për një ndërgjegje evropiane të përbashkët.”

Mobilizime historike 

Personalitet e njohura evropiane që kanë drejtuar edhe apelin e mësipërm, kanë kohë që janë aktivizuar me synim ripërtëritjen e dinamikës evropiane, duke vënë në qendër të këtij projekti, qytetarin evropian. Përgjatë vitit të kaluar, në ditën e Evropës më 9 maj, po në të njëjtin kuadër, ata do të ofronin një Udhërrëfyes me gjashtë akse për avancimin e projektit evropian, me 6 shtylla kryesore të bazuara në përforcimin e demokracisë; iniciativë strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes; zgjidhje evropiane në lidhje me krizën e refugjatëve; fokus ndaj rritjes ekonomike, politikë industriale e përbashkët dhe investim në industritë kyçe, që mundësojnë punësim; përforcim të Eurozonës; si edhe përforcim të programit Erasmus, që mundëson zgjerimin e horizontit kulturor të të rinjve evropianë, për të inkurajuar barazinë e shanseve dhe të ndjesisë së përkatësisë të përbashkët.

Por, nevojës për ndryshim të projektit evropian, i janë bashkuar dhe zëra me kontribut të veçantë në projektin politik evropian. Do të ishte fillimi i vitit të kaluar, ku shtypi evropian u dominua nga reagimet e forta të personaliteteve evropiane. Një prej të urtëve të Evropës, belgu 84-vjeçar, Davinjo dhe ish bashkëpunëtori i ngushtë i një prej baballarëve të Evropës, Pol-Henri Spak, do të lëshonte britmën e alarmit, mbi një Evropë që nuk po funksiononte më. Duke kërkuar dalje nga kriza, nëpërmjet një rimodelimi të projektimit evropian. Rimodelim dhe thellim të integrimit, me ato vende që kanë dëshirë, motiv dhe vullnet për të ecur së bashku. Një skemë, që korrespondon në linja të përgjithshme me projektin e Evropës së thelluar të dy shpejtësive, ku secili vend të mund të aderojë sipas ritmit dhe vullnetit përkatës.

Pas thirrjes për dalje nga kriza të Davinjo, një prej njohësve më të mirë të Evropës, do të ishte ish kryeministri i Italisë, Mario Monti, që do të reagonte publikisht. Një reagim, që përforconte thirrjet e Davinjo, duke kërkuar gjithashtu rimodelim, nëpërmjet një integrimi më të thelluar të Bashkimit Evropian. Në mënyrë të veçantë, ai do të vinte theksin mbi rrezikun e nacionalizmit, duke rikujtuar publikisht, se pa ekzistencën e këtij Bashkimi Evropian, këto nacionalizma do të shkojnë sërish drejt rrugës së pashmangshme të përplasjeve të përgjakshme. Edhe Zhak Delor, një prej figurave franceze me kontribut të veçantë në ndërtimin evropian, do të shprehej në kujtimet e tij, se vizioni mbi një Evropë të bashkuar, fatkeqësisht, nuk ndahet nga të gjithë. Duke shënjestruar si një prej problematikave të mosfunksionimit zgjerimin e parakohshëm, ndaj vendeve të ish kampit komunist.

Mobilizimi qytetar dhe pjesëmarrja e tyre janë të një rëndësie të veçantë, në funksionimin e një demokracie, pasi krijojnë hapësirën e nevojshme për influencim në orientimet e mëdha politike të një vendi, apo një organizmi të tillë politik, siç është Bashkimi Evropian. Dhe Evropa ka shënuar në  historinë e saj të ndërtimit, mobilizime të gjera qytetarësh, siç kanë qenë manifestimet e qytetarëve në vitin ’52 për të mundësuar Evropën pa kufij, manifestimet e mëdha të vitit ’69  dhe ’75 për të mundësuar të drejtën e votës në nivel evropian, manifestimet e viteve ’77-’78, për të demonstruar mbështetjen ndaj krijimit të monedhës së përbashkët, manifestimet e viteve ’85 për bashkimin e Evropës së përçarë, apo edhe të nevojës për krijimin e Kushtetutës Evropiane përgjatë fundit të viteve ‘90 dhe fillimit të viteve 2000. Marshimi  i 25 Marsit në Romë, pritet të shënojë hapjen e një dinamike të re evropiane, duke përafruar qytetarët me përcaktimin e prioriteteve dhe të sfidave, që Unioni pritet të ngrejë. Si edhe do të mundësojë kryerjen e një refleksioni mbi atë çka i bashkon qytetarët evropianë mbi vlerat dhe të mirat e përbashkëta, si edhe mbi interesat, që duhet të mbrojnë. Reflektim, që do të mundësohet nëpërmjet zhvillimeve paraprake të forumeve të diskutimit, para marshimit të përbashkët qytetar.

Please follow and like us: