Qeveria legalizon 50 xhami në Elbasan
Myftinia e Elbasanit ka marrë në dorë 50 leje legalizimesh për xhamitë e ndërtuara pa leje në këtë zonë. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm, Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, deputeti i Elbasanit, Taulant Balla, Drejtori i ALUIZNI-t Mariglen Disha dhe besimtarë myslimanë. Në fjalën e marrë me këtë rast deputeti Balla shprehu kënaqësinë që i dorëzon lejet e legalizimit për objektet e kultit komunitetit të nderuar mysliman elbasanas.
Drejtori i ALUIZNI-t Mariglen Disha u shpreh se shpërndarja e 50 lejeve të legalizimit do të shoqërohet së shpejti me dhënien e titujve të pronësisë. Brenda muajit që vjen, nënvizoi ai do të mundësohet kalimi në pronësi i këtyre xhamive me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ai ka falënderuar veçanërisht zyrën e ALUIZNI-t në Elbasan për punën e bërë gjatë kësaj periudhe që për një kohë rekord mundi që të përfundojë kjo procedurë. Ai theksoi gjithashtu se në Elbasan nuk ekziston asnjë xhami jashtë juridiksionit të KMSH dhe se edhe xhamia e Cërrikut është bërë pjesë e xhamive të ligjshme.