Albspirit

Media/News/Publishing

Rama i rikujton 1997, Basha i përgjigjet: Kë kërcënon more surratsez, kujt i kujton 1997 ti?

Kryeministri Rama rikujtoi dje nga Shkodra vitin e mbrapshtë 1997, duke theksuar se PD-ja është parti anti-shtet dhe se Shqipërinë e kishte kthyer në çadër.

“Ju e dini që nuk është se e morëm shtetin, shtet, e morëm shtetin çadër. E tani ata janë futur aty që ta bëjnë çadër prapë. E janë po ata që (se jemi në mars të 2017) – aty brenda keni po ata që në mars të 1997, e kujtoni mirë se çfarë i bënë shtetit. Se ata vetëm atë dinë të bëjnë. Po se patën ta kërkojnë duke i vënë zjarrin, po e morën ta çmontojnë pa i qarë hallin.  Vetëm një gjë është e sigurtë, zgjedhjet do bëhen në 18 qershor“, tha Rama.

Basha ka shfrytëzuar takimin me artistë dhe pedagogë në çadrën e opozitës për t’iu përgjigjur Ramës.

Basha tha se Rama po kërcënon me destabilitet për të mbajtur pushtetin, por kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme do vijojë. Basha i bëri me dije Ramës se nuk duhet të kujtojë 1997, pasi lëvizja e PD është lëvizje evropiane dhe paqësore. Kryedemokrati e quajti të pafytyrë Ramën, ndërsa u shpreh se nuk do ketë zgjedhje me krimin dhe drogën. Ai tha se vendimi për qeveri teknike është marrë dhe Rama duhet të bëjë gati valixhet e të dalë nga zyra.

Turpi i Shqipërisë kërcënon shqiptarët se do bëjë zgjedhje me krimin, me xhelatët e diktaturës ose ndryshe do ketë destabiliet… kë kërcënon more surratsez? Po ja themi në gjuhën popullore që do të thotë i pafytyrë. Kujt i kujton 1997 ti? Kjo është lëvizja më popullore. Shqipëria nuk do rrëshqasë në destabilitet për surratin tënd dhe nuk do ketë zgjedhje fasadë. Vendimi është marrë ti do shporresh dhe do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rrugë tjetër nuk ka. Këtu jemi mbledhur për Shqipërinë demokratike dhe për vlerat e saj. Do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk digjet asnjë organ për ëndrrën tënde për të mbajtur pushtetin. Dil nga zyra jote. Kjo lëvizje nuk dorëzohet dhe nuk lodhet. Këtu do jemi gjithmonë e më shumë derisa të largohet qeveria e krimit dhe të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Dita po vjen”-tha Basha.

Please follow and like us: