Reforma në drejtësi kthehet në pikën zero, Avokati i Popullit dhe Kuvendi rihapin garën për vetingun, KLGJ dhe KLP
Duket se reforma në drejtësi është rikthyer edhe një herë në pikën zero pasi dje Avokati i Popullit dhe Kuvendi hapën garën për vetingun dhe organet e reja të drejtësisë, KLGJ dhe KLP. Vetëm një ditë pasi Parlamenti nëpërmjet një vendimi në seancën e së enjtes i hapi rrugë riaplikimit për kandidatët që nuk kishin plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë e komisioneve të vetingut, Avokati i Popullit u ka bërë thirrje që të plotësojnë dokumentet në një afat kohor prej 7 ditësh. AP ka hapur në këtë mënyrë edhe një herë garën për ata persona, të cilët u s’kualifikuan gjatë fazës së parë pasi nuk arritën që të dorëzonin në kohë të gjithë dokumentacionin e duhur sipas parashikimeve të ligjit. Avokati i Popullit ka njoftuar dje se këta aplikantë duhet të fillojnë dorëzimin e dokumenteve duke filluar nga data 20 deri në datën 27 mars, pra atyre u është dhënë një javë kohë për të plotësuar dokumentet e nevojshme. Gjithashtu, për mbarëvajtjen dhe mbikëqyrjen e procesit, institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar me një letër kreut të ONM, ku i kërkon vijimin e bashkëpunimit dhe monitorimin e gjithë këtij procesi për të qenë sa më transparent. Avokati i Popullit u ka bërë thirrje kandidatëve që nuk kanë përmbushur kriteret formale, për shkak të mungesës së dokumentacionit ligjor, për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të vetingut, të plotësojnë këto mangësi. Konkretisht, të gjithë kandidatët do të duhet që të dorëzojnë dokumentacionin prej datës 20 mars deri në 27 mars 2017, te institucioni i Avokatit të Popullit. Dokumentet që duhet të dorëzohen janë si më poshtë: Paraqitjes së kandidatëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit në adresën: Bulevardi “Zhan D’Ark”, nr. 2, Tiranë zyra e protokollit,brenda datës 27.03.2017 ora: 08:30-20:30; Plotësimin e dokumentacionit dërguar me postë zyrtare në adresën: Bul. “Zhan D’Ark”, nr. 2, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda afateve ligjore të aplikimit dhe duhet të vërtetohet me fletë-mandatin e lëshuar nga institucioni përkatës postar brenda datës 27.03.2017. Ndërkohë për të pasur një proces sa më të rregullt dhe brenda standardeve të kërkuara, Avokati i Popullit i ka dërguar gjithashtu edhe një letër kryesueses së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Genoveva Luis Calavera, ku kërkon vijimin e bashkëpunimit dhe mbikëqyrjen e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave të komisionit të vetingut. Ndër të tjera në letër Avokati i Popullit thekson se procesi do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe do të zbatohen të gjitha rregullat e përcaktuara. “Për kryerjen e një procesi në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, aneksi për rivlerësimin kombëtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe për të siguruar monitorimin e pandërprerë nga ana e ekspertëve monitorues të ONM-së, del e nevojshme marrja e masave të dyanshme për koordinimin e punës për zhvillimin e mëtejshëm të procesit sipas parashikimeve të vendimit 18/2017, të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në letër.
Gara për anëtarë të KLP e KLGJ
Ndërkohë po dje Kuvendi ka rihapur garën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Ftesa i është drejtuar organizatave të Shoqërisë Civile për të aplikuar për një vend vakant në KLGJ dhe KLP. Aplikimet janë çelur ditën e sotme, 17 mars dhe do të vijojnë deri në datën 1 prill. Aplikantët duhet t’i drejtohen përmes një kërkese me shkrim Avokatit të Popullit. “Njoftohen anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 152, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 1 Prill 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.