Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi i parë Trump-Merkel

Pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kancelaren Angela Merkel, Presidenti Donald Trump tha se ai mbështet NATO-n, por përsëriti thirrjet që vendet anëtare të rrisin kontributin financiar për të mbështetur Aleancën.

Zoti Trump shprehu një “mbështetje të fortë për NATO-n” por u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare “që kanë borxhe të mëdha” të “paguajnë atë që u takon”.

Presidenti amerikan i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, të cilën më parë e kishte akuzuar se me politikën e saj të pranimit të refugjatëve sirianë po e shkatërronte Gjermaninë.

Ky ishte takimi i tyre i parë që kur zoti Trump erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump tha se marrëdhënia mes SHBA dhe Gjermanisë bazohet “në vlera të përbashkëta” dhe se aleanca është “simbol force” për botën.

Përveç NATO-s kishte edhe një numër temash të tjera me interes të përbashkët për të dy vendet. Zoti Trump tha se e vlerësonte mbështetjen e Gjermanisë për të gjetur një zgjidhje për situatën në Ukrainë.

Zoti Trump tha se të dy vendet do të vazhdonin luftën kundër radikalizmit islamik duke thënë se “siguria në imigracion është siguri kombëtare”.

Presidenti aludoi përsëri gjatë konferencës se është përgjuar në Kullën Trump gjatë administratës Obama. Ai në fakt foli me humor se ai dhe Kancelarja gjermane Merkel, siç u shpreh zoti Trump “të paktën kanë diçka të përbashkët”, duke kujtuar faktin që zonja Merkel zbuloi se ishte një ndër udhëheqësit që ishin përgjuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë administratës Obama.

Tregtia ishte një ndër temat kryesore që u prekën në konferencën për shtyp. Presidenti i Shteteve të Bashkuara theksoi disa herë se partnerët tregtarë të Amerikës nuk janë treguar të drejtë në shkëmbimet e tyre dhe se tregtia ndërkombëtare ka rënduar negativisht mbi punëtorin amerikan. Presidenti përmbendi se që nga ardhje e tij në Shtëpinë e Bardhë janë hapur mijëra vende të reja pune dhe se synimi është që të kthehet aktiviteti i prodhimit industrial në Shtetet e Bashkuara.

Tregtia me Gjermaninë, ekonomia e tretë më e madhe në botë, do të jetë temë diskutimesh mes dy udhëheqësve në një takim pune pas konferencës së shtypit.

Please follow and like us: