Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Nishani “fali” Xhafën dhe goditi Bashën

Ndryshe nga pritshmëritë e krahut që mbështet Lulzim Bashën në PD, Bujar Nishani ka vendosur të mos e përfshijë presidencën në strategjinë e thellimit të krizës politike. Ai ka mbajtur një qëndrim legjitim, që bazohet në traditën e pararadhësve të tij, për t’i çuar drejt parlamentit dekretet e të gjithë ministrave që kërkon kryeministri.

Në pamje të parë vendimi i presidentit është në respekt të thellë të kushtetutës (bibla dhe kurani i postit të tij sipas vetë Nishanit). Në radhë të dytë ai mbyll një debat që zgjat prej vitesh: në republikën tonë kreu i shtetit nuk mund t’i kundërvi het shefit të ekzekutivit për zgjedhjet e anëtarëve të kabinetit. Së treti ai i lejon presidentit aktual të lërë pas një mandati që shpesh përkoi me interesat e partisë nga vinte, kostumin e njeriut që di të qëndrojë mbi interesat e palëve.

Por edhe nëse të gjitha këto konstatime janë të vërteta, vendimi që Bujar Nishani mori këtë të dielë nuk mund të shikohet jashtë kontekstit të luftës politike që po zhvillohet brenda forcës prej nga ai vjen.

Dhe një pjesë e mirë e demokratëve prisnin që presidenti “i tyre” të mos e dekretone Fatmir Xhafën për ministër të Brendëshëm. Hipotezat e këtij krahu ishin disa. Ata pretendonin se për shkak të së shkuarës të vëllait të tij, Xhafa mund të përbënte një problem për sigurinë kombëtare. Ata këmbëngulnin se për shkak të profesionit që kishte kryer në kohën e regjimit komunist, i poropzuari si drejtues politik i policies, nuk mund të mbante funksione të larta shtetërore. Për të mbështetur këto pandehma “u zbuluan” ditët e fundit histori të vjetra familjare, denoncime të ish të përndjekurve, rezoluta të parlamentit shqiptar dhe të Këshillit të Europës.

Pas kësaj zhurme mediatike erdhën dhe argumentat juridikë. Sipas ekspertëve pranë PD-së presidenti nuk ishte thjeshtë një noter, por ai e kishte tagrin për të mos e dekretuar një ministër. Jo më kot ligji i linte atij shtatë ditë për t’u menduar për kandidaturat. Jo më kot kushtetuta i njihte atij të drejtën për të kthyer edhe ligje me shumicë të cilësuar dhe kur ato ishin konform saj. Jo më kot ajo i jepte të drejtën në një rast, të caktonte vetë dhe emrin e kryeministrit.

Pra argumentat për ta penguar dekretimin e Xhafës megjithëse të kërkuar me tepër vështirësi ekzistonin.

Ato argumenta i mbronte krahu më pranë Lulzim Bashës, që po mbështet me forcë idenë e bojkotit të kuvendit, idenë e rrëzimit të qeverisë Rama, idenë e moshyrjes në zgjedhje madje të shkatërrimit të tyre.

Këtij grupimi që ka zgjedhur rrugën e destabilizimit me çdo çmim, që ka vendosur ta luftojë Ramën me të njëjtat armë sikurse kryeministri ka luftuar këto tre vejt, i duhej ky akt i Nishanit.

Politikisht, ai e mbante zvarrë qeverinë Rama, e linte atë ose sipas precedentit Nano të drejtonte me zëvendësministër, ose më keq akoma hapte një sherr të ri presicencë – kryeministri që mund të fillonte me ankim në gjykatën kushtetuese dhe mund të përfundonte me vënien në punë të mekanizmit të shkarkimit të kreut të shtetit.

Një zgjedhje e tillë e destabilizonte dhe më tepër Ramën dhe i shtonte vatrat e krizës në vend. Ajo i jepte pikë më shumë strategjisë së kreut aktual të PD-së që do të turbullojë gjithçka për të arritur tek një përfundim i kthjellët.

Por kundër linjës “ekstremiste” të Bashës janë shumë nga elefantët e PD-së. Duke nisur që nga Berisha e Topalli e deri tek shumica e anatarëve të qeverisë së vjetër, nuk janë për këtë rrugë të ashpër. Ata i kanë hequr sistematikisht nga dora kryetarit të ri, të vetmen armë që ka për të arrtitur aty ku kërkon: kërcënimin me bojkotin dhe prishjen e zgjedhjeve.

Kjo linjë brenda PD-së duket sikur ndryshe nga objektivat e shpallura, ka për qëllim vetëm pengimin e vettingut. Me tej ajo do zgjedhje që i sigurojnë vendet në parlament, stabilitet dhe status quo.

Pikërisht me këtë linjë u reshtua sot edhe Bujar Nishani. Ai rrefuzoi të dëgjonte thirrjen e kryetarit zyrtar të PD-së për ta penguar hyrjen e Fatmir Xhafës në zyrë, qoftë dhe me trupat e demokratëve.

Ai vendosi t’a interpretojë kushtetutën në mënyrën e tij. Askush nuk mund ta gjykojë për këtë. Ai mund të ketë qenë vërtet i bindur se po i qëndron betimit të pesë viteve më parë. Ai mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm se po bën atë që duhet.

Por ai e ka ditur gjithashtu, se duke hedhur këtë hap e kompromentonte fort rrugën që tashmë ka shpallur Lulzim Basha.

Please follow and like us: