Churchill: …Një perde e hekurt ka zbritur në të gjithë kontinentin!
Arthur L. Herman
htatëdhjetë vjet më parë, një burrë i moshuar u ngjit në një podium në Fulton dhe mbajti një nga fjalimet më të mëdha të shekullit XX-të – dhe ndoshta fjalimin e vetëm më të rëndësishëm për kohën tonë. Ai ishte Uinston Çërçilli, dhe ligjërata që ai mbajti në 5 mars të vitit 1946, ka qenë e njohur prej atëhere si fjalimi i Perdes së Hekurt – “nga Ngushtica në Baltik e deri në Trieste në Adriatik, një perde e hekurt ka zbritur në të gjithë kontinentin” – një metaforë e gjetur për të përshkruar përparimin e paepur të perandorisë komuniste të Josif Stalinit pas Luftës së Dytë Botërore. Çërçilli kishte ditur të përmblidhte me mjeshtëri hartën ideologjike por edhe gjeopolitike të botës së Luftës së Ftohtë për 45 vitet e ardhshme.
Sigurisht, qe një moment parashikues. Në mars të vitit 1946 shumëkush në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe disa në administratën Truman, besonte ende se bashkëpunimi me Bashkimin Sovjetik që kishte rezultuar në fitoren e Luftës së Dytë Botërore, do të shndërrohej në një miqësi të përhershme. Çërçilli e dinte më mirë si qëndronin punët.
Edhe para se bllokada e Berlinit dhe grushtet komuniste të shtetit në Çekosllovaki dhe Hungari, të zgjonin më në fund apatikët dhe syleshët ndaj Stalinit, Çërçilli pa se lufta ndërmjet lirisë dhe tiranisë do të vazhdonte edhe pas rënies së Gjermanisë naziste dhe Japonisë Perandorake – për shkak se lufta është e përhershme dhe e pafund.
Pyetja themelore që ai e ngriti atë ditë në Fulton ishte:Në cilën anë do të rreshtoheshin Shtetet e Bashkuara? Amerika do të zgjidhte tërheqjen dhe mosangazhimin përballë tiranisë, sikurse kishte vepruar pas Luftës së Parë Botërore – duke vendosur për rrjedhojë bazat e një lufte të dytë botërore, edhe më të përgjakshme dhe më shkatërruese?
Apo SHBA-ja do të zgjidhte angazhimin dhe mbrojtjen e lirisë, së bashku me aleatët e saj demokratikë? Si kombi më i fuqishëm mbi tokë, sikurse vërejti edhe Çërçilli, zgjedhja e Amerikës në vitin 1946 kishte rëndësi një rëndësi madhore. Sot, 70 vjet më vonë, përgjigja e kësaj pyetje është sërish jetike.
Gjatë 7 viteve e gjysmë të fundit, administrata Obama ka zgjedhur tërheqjen. Si një majtist i mirë, Obama dhe ekipi i tij vendosën se nuk kishte realisht asnjë dallim të madh moral ndërmjet asaj sesi Shtetet e Bashkuara e kanë praktikuar lirinë dhe të tjerëve që zhvilluan tiraninë. Për disa, Amerika ka qenë vërtetë “perandoria e së keqes” e Luftës së Ftohtë që Uinston Çërçilli parashikoi në Fulton.
Dhe pastaj – pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik – Shtetet e Bashkuara vazhduan rolin e tyre përçarës me pushtimin e Irakut. Duke filluar në vitin 2009, mosangazhimi dhe tërheqja amerikane dukej të qe në rendin e ditës – në mos për interesin tonë për hirin e botës, (ose të paktën ky qe argumenti). Dhe ndonëse rezultati mund të jetë kaotik në fillim, jashtë tij do të lulëzojë një botë e re dhe më e barabartë.
Tani ne e dimë më mirë cilat janë pasojat. Kemi parë se kaosi sjell më shumë kaos, dhe tirania më shumë tirani. Ky qe thelbi i mesazhit të Çërçillit. Shtatëdhjetë vjet më parë, Çërçilli e kuptoi se nëse Shtetet e Bashkuara do të zgjidhnin mosangazhimin dhe tërheqjen, atëherë tirania do të mbizotëronte jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën. Ajo që e bëri Amerikën të madhe dhe ende e bën është roli i saj si mbrojtëse dhe avokate e lirisë.
Por në qoftë se Amerika zgjodhi angazhimin dhe u ngrit në mbrojtje të parimeve universale të Deklaratës së Pavarësisë – se “njerëzit e çdo vendi kanë të drejtë, dhe duhet të ketë fuqinë sipas veprimeve kushtetuese” sipas përmbledhjes së vetë Çërçillit, “për të zgjedhur dhe ndryshuar karakterin ose formën e qeverisjes në të cilën ata jetojnë”, ndërsa gjithashtu duke shijuar lirinë e shprehjes dhe të sundimit të ligjit – atëherë liria do të ketë një shans, dhe po ashtu edhe paqja dhe prosperitei në mbarë botën.
Në vitin 1946, edhe pasi sakrifikoi 400.000 njerëz në shkatërrimet dhe kasaphanën e Luftës së Dytë Botërore, Amerika shëroi plagët duke bërë zgjedhjen e duhur. Dhe pas vitit 1980, nën hijen e luftës së Vietnamit, Ronald Regan e përtëriti atë zgjedhje dhe në fund e fitoi Luftën e Ftohtë. Shtatëdhjetë vjet më vonë, ne kemi nevojë për të bërë sërish zgjedhjen e duhur.
Aktualisht ka shumë zhurmë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe – pas shtatë vitesh me Obamën, kjo është e kuptueshme. Por është e rëndësishme të mbahet mend se çfarë e ka bërë dhe ende e bën Amerikën të madhe, është roli i saj si mbrojtëse dhe avokate e lirisë. Ja pse Çërçilli na impresionoi në vitin 1946 me qartësinë e tij të thellë. Kjo është ajo që duhet të njohin kandidatët për president, dhe ta bëjnë pjesë të mesazhit të tyre ndaj elektoratit amerikan, si dhe ndaj mbarë botës./Përgatiti: bota.al/
Shënim: Arthur L. Herman është bashkëpunëtor kryesor në Institutin Hudson dhe autor i librit “Farkëtimi i Lirisë: Ja si biznesi amerikan prodhoi fitoren në Luftën e Dytë Botërore”.