Gjermania hedh poshtë deklaratën e Trump: Nuk kemi borxhe ndaj NATO-s
Gjermania ka hedhur poshtë pohimet e presidentit amerikan, Donald Trump se Gjermania i ka borxh “shuma të mëdha parash” NATOs dhe Shteteve të Bashkuara. Deklarata e ministres gjermane të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, vjen si kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Trumpit, i cili të shtunën shkroi në Twitter, se Gjermania duhet të paguajë borxhin për mbrojtje, shkruan rel.
“Nuk kemi borxhe ndaj NATOs”, ka thënë von der Leyen, duke shtuar se objektivi i aleancës për shpenzimet e mbrojtjes nga vendet anëtare nuk është i lidhur ekskuzivisht me kontributet financiare ndaj NATOs. Më 2014, NATO është pajtuar për një plan, sipas të cilit, çdo vend anëtar do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për 2 për qind të GDPsë më 2024. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se Berlini është i përkushtuar për këtë qëllim. Në deklaratën e von der Leyen thuhet se rritjet e shpenzimeve të mbrojtjes së Gjermanisë nuk janë vetëm ndaj NATOs por edhe ndaj OKBsë dhe përpjekjeve paqeruajtëse të BEsë, si dhe për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik.