Greqi, thellohet diferenca midis Demokracisë së Re dhe partisë së Tsipras
Nga java në javë sondazhet në Greqi rezultojnë me një thellim konstant të diferencës ndërmjet partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re dhe partisë SYRIZA të kryeministrit Aleksis Tsipras.
Në sondazhin më të fundit, të publikuar të dielën, Demokracia e Re prin me 31,2% kundrejt 15% që merr SYRIZA në pushtet.
Në vend të tretë rezulton partia Komuniste me 7,1% dhe fare pranë, neonazistët e Agimit të Artë, me 7%.
Në vend të katër dhe të fundit ndodhen socialistët e PASOK-ut, me 6%.
Tre nga partitë aktuale parlamentare vazhdojnë të mbeten larg cakut të 3 përqindshit që është kushti për hyrjen në Parlamentin 300 vendesh. Këto parti janë To Potami, Unioni i qendrës dhe Grekët e Pavarur, që janë aleatët e vetëm të kryeministrit Tsipras në koalicionin qeveritar.
Sipas të përjavshmes Proto Thema, që ka publikuar sondazhin, kuotat e SYRIZA-s kanë një rënie të vazhdueshme, “për arsye të zhgënjimit të thellë që ka shkaktuar qeverisja e tanishme tek qytetarët”.
SYRIZA erdhi në pushtet në janar 2015 duke premtuar shfuqizimin e masave të ashpra që i ishin imponuar Greqisë në kuadër të planit të shpëtimit të vendit nga falimentimi.
Por shumë shpejt u detyrua edhe vetë të merrte masa të tjera, që shkaktuan pakënaqësi madje edhe tek votuesit e partisë së zotit Tsipras.
Edhe pse përflitet vazhdimisht si një skenar i përshtatshëm për daljen nga situata e keqe ekonomike, mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, duket se i ka ndarë më dysh qytetarët.
Dhe kjo rezulton edhe tek sondazhi i fundit. Rreth 46% e tyre shprehen se qeveria duhet ta përfundojë mandatin e plotë, ndërsa 45% preferojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
/Robert Goro nga Athina për Ora News/