Albspirit

Media/News/Publishing

LSI, e kapur në çarkun e ngrehur

Enkel Demi

Nëse bastvënësit shqiptarë do i kishin dy pare mend në kokë, duhet të nisnin të hidhnin në lojë fatin e qeverisë dhe marrëdhënien e PS-së me LSI-në. Të gjitha të dhënat janë që ka për të patur mjaft qarkullim parash, sepse gjithkush ka një mendim të vetin për këtë bashkëjetesë gërrnjare. Ditët e fundit, nëse e sheh nga jashtë, të krijohet ideja që lufta ka nisur, madje armët nuk janë më të lehta. Saimir Tahiri ia ka dalë mbanë të ngjizë tezën e tij se largimi nga detyra e ministrit të Brendshëm, ka ardhur si pasojë armiqësisë së gjatë me Ilir Metën. Polemikat e ashpra me Luan Ramën, në fakt i drejtoheshin kreut të LSI-së. Historia e hienave që kërkojnë kreun e PS-së, është një konspiracion që ka nisur qysh në 1 prillin e katër vjetëve më parë, por asnjëherë nuk ishte thënë kaq copë nga një drejtues i rëndësishëm i PS-së. Më tej, patëm polemikat mes Monika Kryemadhit dhe Lindita Nikollës për maturën shtetërore, debat i cili në fakt është më i hershëm. LSI kurrë nuk e ka pëlqyer këtë reformë të maturës dhe në vigjilje të mbarimit të vitit shkollor, ka gjasë që popullariteti të anojë nga Monika. Kjo e fundit, nga ana tjetër duke lartësuar idenë që të mbjellim shafran në vend të hashashit, është kujdesur që të hedhë shigjetat me helm qysh përpara raportit të Departamentit të Shtetit.

Gjithsesi, një takim pothuaj i fshehtë i fundjavës mes Edi Ramës dhe Ilir Metës nuk duket se i ka shtënë ujë zjarrit. Urat e sherrit tashmë janë të ngritura. Në mërinë e Saimir Tahirit mëkohen edhe Ilir Beqaj, Bledi Çuçi, Blendi Klosi, madje edhe Fatmir Xhafaj, i cili e di mirë që biografinë nuk po ia bën vetëm doktori, por edhe ai që nuk e votonte qysh në vitin 2003.

I gjithë ky ajër i rëndë që frymohet në shumicën qeverisëse, është bërë shkak për parashikime dhe kombinime të komplikuara që me ç’duket po mbajnë peng Lulin në Çadër. Petrit Vasili thotë që duhet folur me opozitën, madje nuk e hedh poshtë idenë e qeverisë teknike. Është e para herë që një ministër i rëndësishëm të shprehet me simpati për rrëzimin e qeverisë, ku vetë merr pjesë. Një gjë e këtillë nuk ndodh as gjetkë, jo më në Shqipëri. Kjo rrëfen më së miri që këtë qeveri nuk e duan as ata që janë të ulur në tryezën e saj, as ata që e shohin nga jashtë. Por, në fund të tërë i bien lapsit dhe ky është ngërçi i vërtetë që ka kushtëzuar vendimarrjen si në qeveri, si te kryesia e Kuvendit, si në rrugën midis. LSI duket ashiqare që nuk ka asnjë dëshirë të dalë në një koalicion me PS-në. Nga ana tjetër Çadra nuk është bindëse si rezultat elektoral. Mallkimet e Lulit: “Ju ngectë dreka në grykë!” nuk bëjnë jehonë në katet e treta buzë bulevardit.

LSI, nëse do të qëndrojë në koalicionin e sotëm fiton po aq pushtet sa ka, sido që të shtojë mandatet apo t’i pakësojë ato. Sërish do të nisin qejfmbetjet, sërish i njëjti sherr. E vetmja mënyrë që të jetë guri i qoshit është të sakrifikojë mandate dhe të dalë më vete, por me kë? Blushi është veç një fjalaman me metafora mediokrre, tëpkë si shkrimtari që ka sajuar.

Në fakt, kapja pas kësaj llogarie, nuk ka për të prodhuar asnjëherë një formulë të shëndetshme. Ndoshta politikanët që janë zënë sot si miu në çarkun që vetë kanë ngrehur, mund ta gjenin zgjidhjen vetëm po të bënin politikë. Nëse ndryshojnë fare pak ligjin zgjedhor, ata mund t’i japin vetes mundësinë që të shkojnë në zgjedhje pa patur nevojën e krijimin të një aleance. Ky ligj i sotëm është persekutues. Një parti është e detyruar të dalë në një koalicion ose të krijojë një koalicion. Nëse kjo padrejtësi mjekohet, atëherë partitë shpëtojnë nga hesapet me makinë llogaritëse në dorë dhe dalin e mbledhin votat tek e tek, duke i shoshitur aleancat pas zgjedhjeve.

Por, për këtë me siguri luftojnë si luanë në të njëjtën barrikadë edhe Çadra e “Rama ik!” dhe qeveria e “Rama rri!”. Ndaj presioni duhet ushtruar tek ky ligj, jo në luftën trup me trup, sepse dëshmorë përherë do të ketë, por asnjëherë lavdi.

Please follow and like us: