SHBA dhe Kina premtojnë një epokë të re bashkëpunimi
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe presidenti kinez, Xi Jinping thanë sot se dy vendet po fillojnë një fazë të re të mirëpritur bashkëpunimi.
Pas një takimi të shkurtër në Pekin, Tillerson tha se “ne e dimë se përmes një dialogu të mëtejshëm, ne do të arrijmë më shumë mirëkuptim që do të sjellë forcimin e lidhjeve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti kinez, Xi tha se kur bisedoi me Presidentin Donald Trump muajin e kaluar, dy udhëheqësit ranë dakord për nevojën e përpjekjeve të përbashkëta për përparimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryediplomati amerikan shprehu gjithashtu dëshirën e Trump për të vizituar Kinën në të ardhmen.
Në komentet e tyre nuk u përmendën çështjet delikate të rajonit, apo ato mes dy vendeve.
Kina ishte ndalesa e tretë dhe e fundit e turneut të tij të parë në Azi, që përfshiu gjithashtu vizita në Japoni dhe Korenë e Jugut.