Albspirit

Media/News/Publishing

Hapet klasa e gjuhës shqipe në një fshat të Ukrainës

Gjatë qëndrimit në Ukrainë, ambasadorja e Shqipërisë në Poloni, znj. Shpresa Kureta, zhvilloi një vizitë në fshatin Priazovski të Komunës së Zaporizhia, ku jeton një pjesë e komunitetit shqiptar.

Në një ceremoni prekëse dhe me pjesëmarrjen e gjerë të banorëve të fshatit, autoriteteve lokale dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar nga krahina të tjera të Ukrainës, ambasadorja Kureta, inaguroi çeljen e klasës së gjuhës shqipe dhe u dhuroi nxënësve librat për mësimin e gjuhës shqipe, dhuratë e qeverisë shqiptare.

Pjesë e ceremonisë ishte, gjithashtu, një inskenim në gjuhën e vjetër shqipe nga fëmijët dhe mësueset. Vizita u mbyll me takimin e përfaqësuesve nga të gjitha vendbanimet e shqiptarëve në Ukrainë (rreth 50 pjesëmarrës), takim i cili konkludoi me themelimin e Unionit të Shqiptarëve të Ukrainës.

Për herë të parë përfaqësuesit e këtyre komuniteteve u takuan mes tyre në ceremoninë e inagurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv, në qershor 2015. Në takim u bisedua gjithashtu edhe për Samitin e diasporës që do të zhvillohet në Tiranë, më 18-20 nëntor 2016.

Please follow and like us: