Albspirit

Media/News/Publishing

Ikja e LSI-së nga qeveria në prill: me “qetësi e dashuri” apo duke bllokuar zgjedhjen e Presidentit?

Kontrata PS-LSI mbaron në prill dhe socialistët janë të paduruar që aleati i tyre gërrnjar t’i japë fund bashkëjetesës së vështirë dhe të dalë nga qeveria. Por, pavarësisht kundërshtive të hapura mes tyre zgjedhja e presidentit të ri është një moment vendimtar për rolin e partisë së Metës: a do të jetë ajo pjesë e zgjidhjes apo do të çojë vendin në një krizë institucionale?!

 Në zyrat e kryeministrisë dhe të gjitha ministrive ka pothuajse 2 muaj që pritet largimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës. Në zyrat e selisë së Partisë Socialiste shumë më herët kanë nisur të bëhen llogaritë elektorale për të dalë në zgjedhje pa aleatin, partisë që u krijua nga gjiri i PS-së së Fatos Nanos. Po numërohen votat nëçdo qark, në çdo zonë, pa i mbledhur me ato të LSI-së.

Nga ana tjetër, diskursi politik dhe publik i figurave të LSI-së tregon qartë përgatitjen e tyre për të ikur nga qeveria vetëm se e zgjasin agoninë e divorcit.

Luan Rama sulmon Saimir Tahirin, Monika Kryemadhi sulmon Lindita Nikollën, Petrit Vasili i hap derën “qeverisë teknike” që kërkon opozita. Të gjitha këto nënkuptojnë se vendimi për të dalë nga koalicioni është marrë, por vetëm pritet momenti kur do tëbëhet i ditur ose çfarë pazaresh mund të bëjë para se të bëjë këtë lëvizje.

 

Votimi i ministrave dhe zgjedhja e presidentit

Burime nga mazhoranca thanë për tesheshi.com se Meta dhe Rama po bisedojnë për zgjedhjen e presidentit të ri, që bëhet në prill. Nëse LSI del nga koalicioni para zgjedhjes së presidentit rrezikon ta fusë në një krizë institucionale vendin pasi nuk bëhet dot kuorumi i nevojshëm në Kuvend për zgjedhjen e tij në mungesë edhe të opozitës. Duke paralajmëruar këtë bllokim Gramoz Ruçi jo më kot tha para pak ditësh se “ka nga ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentit dhe rrezikojnë një krizë të re”. Burimet nga mazhoranca flasin për negociata për emrin e presidentit të ri, të cilin duket se Rama është gati t’ia lërë aleatit të tij në këmbim të vazhdimit të aleancës, por nuk dihet nëse kjo do t’i kënaqë llogaritë e Metës.

Por para zgjedhjes së presidentit një tjetër test i rëndësishëm është për mazhorancën votimi i 4 ministrave të rinj në Kuvend.

Ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani paralajmëroi supriza në këtë votim. Po cilat mund të jenë këto supriza? Nuk do t’i votojë LSI-ja ministrat e rinj të Ramës?! Nëse ndodh kjo do të sërish krizë ose një “rrëzim” të qeverisë ose në rastin më të mirë krijimi i një mazhorancë të re me 71 vota PS-PDIU dhe ndonjë votë nga e djathta.

4 momente kur LSI është kundër qeverisë

Sjellja e LSI-sëështë më shumë opozitare se sa bashkëqeverisëse. LSI ka akuzuar ministrat socialistë, në veçanti atë të Brendshmin, Saimir Tahirin, për largimin e të cilit thuhet se ka ndikuar pikërisht presioni i Metës.

Së dyti ministrat e LSI-së janë shfaqur më shumë se një herë dyshues dhe bllokues ndaj reformës në drejtësi, kryesisht ndaj rolit të ndërkombëtarëve në bërjen e kësaj reforme.

Së treti, kur Rama këmbëngul se s’do të ketë qeveri teknike sipas oreksit të opozitës,Petrit Vasili i LSI-së flet për dialog dhe mundësi për qeveri teknike.

Së katërti, LSI del kundër reformës në arsimin e lartë, edhe pse zv/ministrja e saj, Nora Malaj është arkitektja dhe mbrojtësja e kësaj reforme.

Pas këtyre qëndrimeve kundër dhe faktit që lideri i opozitës Lulzim Basha e “kursen” Ilir Metën nga akuzat e tij ndaj qeverisë, nuk do shumë mund për të kuptuar se bashkëjetesës PS-LSI i ka ardhur fundi. E vetmja gjë që pritet të shihet është nëse LSI do të dalë nga qeveria ‘me dashuri e qetësi’ (siç thotë kreu i saj Meta) apo do të dalë duke krijuar një krizë institucionale me votimin e ministrave apo zgjedhjen e presidentit. /tesheshi.com/

Please follow and like us: