Ivanov: Zgjedhjet janë zgjidhje
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, flet për herë të parë për mundësinë e mbajtjes se zgjedhjeve te reja si një rrugë për daljen nga kriza politike dhe institucionale që e kane lënë vendin për më shumë se tre muaj pa qeveri. Në drejtim të tij po bëhen apele nga komuniteti ndërkombëtar për dhënien e mandatit kreut te LSDM-se Zoran Zaev, i cili ka dëshmuar se ka shumicën parlamentare. Ivanov nga Hungaria, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, i është bashkuar linjës se VMRO-DPMNE-se.
Sipas tij, në këto zgjedhje, qytetarët do të deklarohen dhe mbajnë qëndrim për të gjitha çështjet që dolën në periudhën pas-zgjedhore, duke iu referuar kështu platformës se partive shqiptare. Ne lidhje me këtë, Ivanov ka ritheksuar se ishte ky dokument qe thelloi krizën politike dhe se ai është bërë pengesë për krijimin e qeverise së re.
“Si president nuk mundem dhe nuk do të lejoj që dikush të beje pazar me Kushtetutën dhe interesat shtetërore të Maqedonisë dhe të luajë me ndjenjat e qytetarëve të Maqedonisë. Mendoj se mbajtja e zgjedhjeve te tjera është një nga opsionet e mundshme pë zgjidhjen e këtij ngërçi.”
Lidhur me mosdhënien e mandatit për Qeverinë e re liderit të LSDM-së Zoran Zaev, Ivanov ka theksuar se problem ka qenë afati kur janë dorëzuar firmat si argument për shumicë parlamentare dhe fakti se Zaevi nuk ka hequr dorë nga Platforma shqiptare.