Jorida Tabaku: Bashkëfajtorët nuk mund të jenë bashkëvuajtës!
Mazhoranca e sotme është bashkëfajtore në të gjitha krimet kushtetuese ose jo. Të gjitha vendimet, të gjitha ligjet e miratuara, që janë kryer në emër të shqiptarëve por që nuk i kanë shërbyer askujt përpos rilindësve. Nuk ka pasur asnjë ligj për rritje taksash, asnjë koncesion e asnjë vendim që mos të jetë votuar bashkërisht nga të gjitha partitë e koalicionit. Kështu që sot përpjekja për të gjetur shkaqe na shpalos një shfaqje ironie përmes “grindjes” që kinse i ka ndarë në dy kampe të ndryshme.
Reforma në Arsim, është një prej atyre reformave të gatuara në laboratorët e universiteteve private dhe drejtuesve të tyre që sot janë mbrojtësit më të flaktë të rilindjes dhe që u votua bashkërisht nga ato të cilët sot përpiqen t’ia hedhin fajin njëri tjetrin. Për asnjë moment, asnjë nga forcat e mazhorancës nuk u angazhua të diskutonte me pedagogët, maturantët, studentët dhe grupet e interesit. Jo vetëm kaq, por në asnjë çast dhe në asnjë moment edhe pasi e votuan reformën me gjithë protestat e grupeve të interesit dhe opozitës, asnjë prej anëtarëve të mazhorancës nuk u angazhua të kërkonte aktet nënligjore që ende janë në tavolinat e shtrenjta të ministrisë të rikonstruktuar.
Për këdo, që sot ndjehet i mikluar nga batutat që shkëmbejnë anëtarët e koalicionit qeverisës dua t’i sjell në mendje një ngjarje të ndodhur ditën e miratimit të kësaj reforme.
Pak minuta para se të miratohej ligji po vija re lëvizje në kuvend, shpresova se ndoshta LSI nuk do ta miratonte Ligjin e Arsimit të Lartë. Anëtarë të mazhorancës të dy partive kryesore ndaluan seancën për rreth 30 minuta duke u takuar në prapaskenë. Shpresova shumë mos të kishin rënë dakord, por dolën të kënaqur e të gëzuar nga takimi. Gjatë atyre minutave, deputetët e LSI kishin insistuar për shefat e Universitetit të Mjekësisë si dhe për disa kritere që preknin kandidimin e rektorëve e dekanëve. Në fund PS kish lëshuar në këto kërkesa në këmbim të votave për ligjin. Pazar i shëmtuar dhe për arsimin. Për asnjë moment askush nuk u kujtua për maturantët, për të ardhmen e tyre, për rininë.
Sot, për hir të një spektakli të gatuar në emisione dhe televizion, aktorët që votuan reformën janë duke u grindur gjoja për fatin e maturantëve që bashkërisht i dërguan në këtë gjendje. Bashkëfajtorët sot po luftojnë duke hequr peshën e fajit. Duke u shitur se janë me ato që kanë vuajtur e që janë ndëshkuar madje në mënyrë të shëmtuar marrin flamurin e një çështje që nuk e besojnë dhe që kishin në dorë për ta shpëtuar. Por e rrëzuan përmes një pazari ndërsa sot na prezantojnë me shfaqjen e fundit të shëmtuar të një koalicioni që është bashkëfajtor me gjendjen e shqiptarëve!
Nuk kanë pse zihen fare, e as të debatojnë. Reforma në Arsim do të jetë një nga të parat e qeverisë së Partisë Demokratike, do të jetë një nga të parat që anulohet. Këtë e kam si angazhim timin personal, si pedagoge prej vitesh në Universitetin e Tiranës, e kam angazhim politik si, e kam angazhim në emër të të rinjve që besojnë tek Partia Demokratike!