Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeministri nxit komentuesit kundër analistëve dhe gazetarëve

Kryeministri Rama komenton, dialogon dhe shkruan me simpatizantët e tij. Eshtë normale në epokën digjitale. Natyrisht që ai ka një staf të madh që ia menaxhojnë profilin e tij në Facebook. Deri këtu prapë mbetet normale, sepse kryeministri nuk ka kohë të merret me të gjitha. Ka plot komente që fshihen (delete) të cilat nuk i pëlqejnë Ramës, ka të tjera të cilat ai gjen kohë ti komentojë. Edhe kjo normale. Por që kryeministri të vendosë në krye të sms-ve apo komenteve dhe ta lërë kastile gjithë ditën, një koment fyes e denigrues për gazetarët, bile me fjalor aspak dinjitoz për cilindo qytetar të thjeshtë, e jo më për kryeministrin, tregon se urrejtja për njërëzit e medias ka kapur tone shqetsuese. Aq me tepër që vetë Edi Rama ka qenë ndër vitet 1992-1997 analist në median “Koha Jone” dhe nuk është se ia ka kursyer tonet e sulmit ish-presidentit të asaj kohe Sali Berisha.

Shikoni komentin e mëposhtëm të komentuesit në profilin e kryeministrit të Shqipërisë, të cilin e ka vendosur në krye dhe qëndron aty stoik, si koment:

Vladimir Koçi: Mos dëgjo (i drejtohet Ramës) analistët, opinionistët, politikanët, zagarët, tradhtarët apo pisët… ec përpara dhe bëje këtë vend ta kenë zili vendas e të huaj. Bravo Edo….

Edi Rama:Unë kam kohë që s’i dëgjoj, po shqetsohem për ju që i dëgjoni! Respekt.

Ky është dialogu që Edi Rama ka  lenë në krye të komenteve të profilit të tij zyrtar.

Edi Ramën duhet dikush ta këshillojë se kështu nuk shton pikë, por përkundrazi. Ka plot analistë, gazetarë, etj që nuk janë dakort me kryeministrin. Prapë normale në një shoqeri të lirë. Ka që mashtrojnë dhe që sajojnë për kryeministrin. Kjo nuk është normale. Por jetojmë në një shoqeri në zhvillim dhe duhet durim. Sidomos nga kryeministri i vendit. Nëse lenë nervat dhe i ikën durimi kryeministrit, atëhere si mund të mbajnë nervat një popull që jeton mes skamjes dhe dëshirës për të qenë në mirëqënie.

Edi Rama do të bënte me mirë që disa media të mos i trajtojë me leje ndërtimi dhe leje kioskash, kurse të tjerat i lufton, do të bënte mirë kryeministri të çonte në parlament ligjin për median e portaleve, natyrisht jo me tendenca kontrolluese, por monitoruese dhe ku ligji të jetë mbi të gjithë. Rama ka nevojë të mos dëgjojë e darkojë me pronarë mediash, ku mediat e tyre i kanë kthyer në zyra pazaresh  dhe përfitimi nga qeveria në mënyrë të paligjshme. Edi Rama nuk kishte pse gjysmën e fjalimit të sotëm e ka me shumë kundër mediave kundër apo portaleve që nuk i kontrollon dot. Kishte kundër mediave , por nuk kishte kundër krimit dhe mafias.

Kryeministri edhe punon. Nuk është siç e përshkruajnë disa. Por prapë e drejtë e medias të tregojë pjesën e medaljes ku nuk punohet, ashtu sikurse disa tregojnë anën tjetër të medaljes ku duket “dielli Rama”. Por nuk  mundet të përdorë fjalor urrejtje ndaj medias. Apo të reklamojë pjesën e pisët populiste antimedia. Endri Fuga, këshilltari i kryeministrit, nuk duhet t’i thotë vetëm se “mirë ua bëre!”, por edhe ti sugjerojë të jetë i kujdesshëm.

Kryeministri nuk duhet të flasë me forcën e pushtetit, por të arësyes dhe durimit. Edhe të Edit, të dikurshëm.

Please follow and like us: