Albspirit

Media/News/Publishing

Merkeli kërcënon me ndalimin e aktiviteteve elektorale turke në Gjermani

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i kërkoi prerazi Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që të heqë dorë nga krahasimet naziste në grindjen për fjalimet elektorale në Gjermani të ministrave të tij. Kjo duhet të marrë fund, “pa asnjë diskutim”, theksoi Merkeli në kuadër të vizitës së saj në panairin CeBIT në Hanover. Qeveria Federale nuk do të pranojë që të shkelet çdo tabu pa ia ditur për vuajtjet e viktimave të nacionalsocializmit, tha Kancelarja.

Merkeli foli për notën verbale të Ministrisë së Jashtme ndaj Turqisë, pak ditë më parë. Në të qeveria Federale pati bërë të qartë pa ekuivoke se pjesëmarrja në aktivitete elektorale e politikanëve turq në Gjermani mund të ndodhë vetëm po të bëhet në kuadër të parimeve të kushtetutës gjermane. Përndryshe, qeveria gjermane i rezervon vetes një verifikim të leje për pjesëmarrje në aktivitete elektorale.

Ministria e Jashtme gjermane kërkon përmbajtje

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer paralajmëroi që provokimeve nga Ankaraja në Gjermani të mos u “përgjigjen me të njëjtën monedhë”. Kjo vetëm do ta ndihmonte Erdoganin që t’i zbatojë planet e tij për kushtetutën. Sa më shumë të përgjigjet Gjermania “me të gjithë forcën”, “aq më shumë biem në kurthin e kësaj taktike të Presidentit turk dhe të partisë në pushtet në Turqi”, tha Schäfer para gazetarëve në Berlin.

Pas anulimit të disa aktiviteteve elektorale në Gjermani të ministrave turq, Erdogani i akuzoi për “metoda naziste” autoritetet gjermane, duke shkaktuar zemërim në Berlin. Të dielën, kryetari i shtetit turk e sulmoi personalisht Merkelin dhe i tha “se vepron me metoda naziste kundër vëllezërve të mi në Gjermani dhe ministrave”, të cilët duan të bëjnë në Gjermani publicitet për futjen e sistemit presidencial në Turqi.

Në 16 prill në Turqi do të mbahet një referendum për aplikimin e sistemit presidencial të synuar nga Erdogani. Me këtë sistem, Presidenti i shtetit do të marrë pushtet thuajse të pakufizuar. Të drejtë vote kanë edhe rreth 1,4 milionë turq që jetojnë në Gjermani.

Please follow and like us: