Pesha: Më sulmojnë sepse flas për plehrat. Balta e tyre është medalje për mua
Çadrës së opozitës, ku po protestohet prej 20 ditësh i janë bashkuar shumë personazhe të njohura shqiptare, gazetarë, analistë, aktivistë.
Armand Shkullaku, Sonila Meço, Mark Marku, Alfred Lela, Alida Tota, Basir Çollaku etj dhe së fundmi dhe Besjan Pesha, aktivist i ”Nisma Thurje”.
Pas pjesëmarrjes së Peshës në një debat për lëndët kimike, menjëherë qarkulluan lajme në disa portale se Pesha, nga ”ish-drejtor i Metës”, kishte nisur të mbështeste Bashën. Pikërisht sot në një intervistë për ”Shuplaka”-n, aktivisti Pesha, i cili ideoi edhe protestën e Zharrëzës, banorët e së cilës dolën fitues, thotë se të gjitha janë shpifje dhe sulme.
” Jo, nuk i jam bashkuar Bashës ne kuptimin politik, por i jam bashkuar qëndrimit të tij kundër importit të plehrave.”, thekson Pesha.
Besjan, të pamë që more pjesë në një diskutim në Çadrën ku PD-ja prej ditësh po proteston. Kush të ftoi?
Problemi me importin e plehrave nuk lindi sot. Ka lindur fillimisht në vitin 2004, kohë kur Fatos Nano kërkonte të ndërtonte një incenetaror në Kashar, i cili të digjte gjithë plehrat e Italisë. Në atë kohë, unë kam qenë një nga themeluesit e AKIP-it dhe kam drejtuar protestat kundër këtij projekti. Kam besuar në atë kohë dhe vazhdoj të besoj edhe sot se Shqipëria nuk mund të jetë destinacion plehrash por turistësh. Këtë e kam bindje dhe unë luftoj për bindjet e mia. Në atë kohë ia dolëm edhe falë ndihmës që dhanë qarqet politike. Edi Rama në atë kohë na ka mbështetur, siç ka bërë Koço Kokëdhima etj. Dhe kanë bërë shumë mirë.
Le të vijmë në ditet e sotme. Rolet kanë ndryshuar. Ata që ishin kundër sot janë pro dhe ata që ishin pro sot janë kundër. Kjo është politika në Shqipëri, për fat të keq. Shumica e premtimeve bëhen sa për sy e faqe dhe askush nuk mban përgjegjësi.
Por ne nuk kemi ndryshuar. Unë nuk kam ndryshuar. Vazhdoj të jem kundër dhe do luftoj me gjithë forcat qe ky vendim te ndalohet dhe uroj që kështu të bëjnë edhe gjithë kolegët e tjerë.
Për këtë arsye e pranova ftesën e PD për të shkuar dhe për të folur për këtë çështje. Më ka telefonuar Ervin Salianji, të cilin e kam mik dhe më ka ftuar. Nuk kam asnjë kompleks të shkoj jo vetëm te çadra e PD-së por edhe te selia e PS-së, LSI-së apo çdo partie tjetër (siç e kemi bërë) dhe të jap argumentet e mia se përse importi i plehrave është një rrezik. Se përse ne duhet ta marrim seriozisht edhe çështjen e 1300 konteniereve.
Dhe jam shumë i kënaqur që Basha në atë diskutim atë ditë mori angazhim të fortë kundër plehrave. Për mua kjo është një arritje. Sepse nëse një ditë ai do të vijë në pushtet, me siguri që nuk do të guxojë të marrë një vendim për import plehrash. Ai e di se do përballet me këtë që përballet Rama sot.
Pse vendose të marrësh pjesë, a do të thotë kjo se je pozicionuar?
Unë e kam një experiencë të mëparshme politike. Kam qenë i angazhuar pranë LSI-së për disa vite dhe ajo eksperiencë më ka vlejtur të kuptoj më mirë se si funksionon politika nga brenda, si merren vendimet dhe si janë të lidhura interesat. Kam një botëkuptim të gjerë tashmë për politikën shqiptare në përgjithësi. Por nuk kam më interes për t’u anëtarësuar në një parti politike.
Më pelqen kjo që bëj. Me pëlqen të jem i lirë dhe e shijoj shumë lirinë time. Më pëlqen të them atë që mendoj vetë dhe jo atë që mendon shefi. Më pëlqen t’i shoh gjërat me sytë e mi dhe jo me syzet e partisë. Më pëlqen edhe puna që sot bëj.
Pra nëse i vëmë në peshore ato që pëlqej dhe nuk pëlqej me angazhimin direkt politik, peshorja anon dukshëm nga negativja. Por kjo nuk do të thotë që unë të mos marr pjesë në aktivitetet e partive, kur ato përkojnë me axhendën time si qytetar i angazhuar.
Nëse PD flet për plehrat dhe më fton unë sigurisht që do të shkoj. Siç kam shkuar në takimet që ka bërë qeveria për këtë çështje. Siç kemi qenë dje në takimet që bënte PS për këtë çështje. Opozita është institucion siç është edhe qeveria. Ata që e shohin problem komunikimin me opozitën apo me politikën në përgjithësi, janë problem i këtij vendi. Unë besoj se duke folur e duke diskutuar i zgjidhim problemet. Jo duke luftuar.
Menjëherë, ashtu siç ka ndodhur edhe me personazhë të tjerë që i janë bashkuar çadrës, rreth teje qarkulluan lajme se ke qenë ”ish-drejtor i Metës” që iu bashkove Bashës. Unë vetë nuk e mendoj por jam e detyruar të të pyes për një pjesë që e mendojnë, si iu përgjigjesh këtyre pretendimeve?!
Angazhimin politik unë e konsideroj aset. Këta duan ta mbajnë monopol angazhimin dhe i hidhën në fyt çdo të riu që guxon. A nuk ka qenë Rama anëtar i PD dikur? A nuk kanë qenë disa nga analistët lëpirës profesioniste të palëve që sot anatemojnë? Po kanë qenë. A është ky motiv për t’i ikur thelbit të problemeve që ata shtrojnë dhe qëndrojnë? Jo. Këta janë mësuar që ju bëjnë biografinë njerëzve dhe nuk merren me atë që ne artikulojmë. Kështu heqin vëmendjen e publikut nga hallet reale, nga vjedhjet, nga plehrat dhe degjenerojnë debatin. Për të vazhduar grabitjen të qetë.
Unë nuk kam qenë drejtori i Metës, por i AKBN-së, një institucion i qeverisë në varësi të Ministrisë së Energjitikës. E kam për nder që kam shërbyer për rreth 1 viti e gjysmë aty dhe besoj se kam lënë një shenjë në atë institucion.
Së bashku me profesorë dhe inxhinierë të nderuar kemi reformuar institucionin jo vetëm fizikisht (një nga godinat më të mira që ka sot një institucion i tillë) por edhe gjithë sistemin e të dhënave, nga dosjet relike i kemi hedhur online, i kemi kthyer reputacionin institucionit duke ndëshkuar të gjithë ata që shkelnin ligjin për vite me rradhë, pa pyetur se kujt partie apo klani i përkisnin.
Jam krenar në veçanti për nje fakt. Unë kam anulluar të parën dhe të vetmen (deri tani) kontratë koncesionare të naftës, atë me ”Sky Petroleum”. E kam marrë këtë vendim kur isha vetëm. Kisha kundër të gjitha institucionet e tjera. Edhe Ministrinë, edhe Avokatin e Shtetit. Të gjithë më sugjeronin qe ta zgjidhja me marrëveshje sepse kompania do të fitonte në arbitrazh, por unë vendosa të shkoj përpara sepse isha i bindur në të drejtën. Doja edhe të krijoja një precedent të rëndësishëm për të ardhmen. Dhe licenca u hoq. Kompania na çoi në Arbitrazh dhe unë e kam mbrojtur qëndrimin tim edhe aty dhe ia kam dalë të fitoj. Kompania pretendonte 1 miliard dollarë demshperblim. Gjykata e Arbitrazhit vendosi që kompania t’i dëmshpërblente AKBN-së rreth 300 mijë dollarë. Një fitore e paparë ndonjëherë.
Në atë kohë, mediat që sot më sulmojnë me shpifje, më kanë sulmuar duke me akuzuar se po i shkaktoja dëm shtetit. Kane hedhur mijera rradhë me akuza dhe shpifje duke mbrojtur nje kompani si ”Sky Petroleum”, e cila ishte futur në Shqipëri dhe operonte me metoda të çuditshme. Çuditërisht askush, përveç ”Vizion Plus”, nuk bëri një artikull dhe të kërkonte ndjesë kur fitova. Por unë s’dua famë.
Jam krenar pra, për këtë vendim që kam marrë atëherë. Siç edhe jam krenar që pavarësisht se puna ime, edhe për shkak të angazhimit të vazhdueshëm publik, është superaudituar nga të gjitha institucionet audituese më shumë se një herë, asnjëherë, askush nuk ka patur asnjë akuzë për gabime në drejtim. Kam qenë korrekt dhe i drejtë.
E sërish sot, të njëjtat media që dje mbronin ”Sky Petroleum”, që mbrojnë apo heshtin për ”Bankers”, që mbrojnë apo heshtin për koncesionet korruptive, hedhin baltë ndaj meje e mbi te gjitha mbrojnë plehrat, ato fizike dhe politike.
Ju them se balta e tyre është medalje për mua. Më sulmojnë sepse them të vërtetën dhe e mbroj atë deri në fund!
Për ta përmbledhur: Jo, nuk i jam bashkuar Bashës ne kuptimin politik, por i jam bashkuar qëndrimit të tij kundër importit të plehrave. Do i bashkohem kujtdo në të tashmen dhe të ardhmen që artikulon qartë qëndrim kundër importit të plehrave.
Mendon se opozita do dalë e fituar nga protesta që po realizon?
Unë besoj se do të kemi qeveri teknike. Shoh një zbehje të mbështetjes ndërkombëtare karshi Ramës, i cili për hir të së vërtetës dështoi në angazhimin që ka marrë para tyre dhe shqiptarëve, që të zbatojë reformën në drejtësi.
Ajo që ne shohim (ne që lexojmë letrat dhe dokumentet) është që reforma nuk po dështon për faj të mospjesëmarrjes së opozitës, siç e shet qeveria, por për faj të gabimeve fatale që janë bërë në konceptimin e saj. Për shkak të këtyre gabimeve nuk po ngrihen dot komisionet e vetingut dhe sot që flasim janë djegur edhe afatet kushtetuese.
Vendi ka nevojë për një pakt të madh politik. Ka nevojë për një marrëveshje të madhe, e cila të shkojë përtej dëshirës së Ramës për të mbajtur zyrën me vizatime të Kryeministrisë. Dhe unë besoj se kjo marrëveshje është duke ardhur. Nuk ka rrugë tjetër. Se kush i fiton zgjedhjet, kjo mbetet për t’u parë. Uroj që shqiptarët të mendohen mirë kësaj here kur ta hedhin votën.
Dhe në fund dua të të pyes për protestën e banorëve të Zharrëzës të cilët ia dolën mbanë. Ka një perceptim në publik se ata ia dolën edhe për shkak të protestës së opozitës, qeveria nxitoi të plotësonte çdo kërkesë për të mos vështirësuar pozitat, edhe nga frika e bashkimit të dy protestave. Ti si e mendon?
Unë kam qenë në kontakt me Qaniun, Eltonin, Alketin, Renaton etj që prej ditës së parë të grevës së urisë. Ata njerëz më kanë bërë përshtypje për qartësinë e tyre në atë që kërkonin dhe vendosmërinë për t’ia arritur. Por vetëm greva e urisë nuk do të mjaftonte. Media po i izolonte dhe politika e policia po ushtronin presion mbi fshatin dhe familjen. Duhet të dilnin që aty dhe të ndërmerrnin një akt më të fortë.
Aty më lindi ideja e marshimit, të cilën jua përcollëm së bashku me Adriatikun dhe ata e përqafuan menjëherë. Frymëzimi lindi nga Gandi. Mendova kur ai ia doli duke ecur e në rrugë paqësore të zbythte një perandori si Anglia e atëhershme, pse të mos ia dalin këta njerëz? Rezultoi e vërtetë. Mbështetja për ta erdhi duke u rritur dhe ata në fund mbas 130 kilometra në këmbë dhe një qëndrese shembullore ia dolën.
A pati rol protesta e opozitës? Padyshim. Zharrëza u kthye në një pisqollë të dytë në kokën e qeverisë. Pisqollë, të cilën ata nuk do e donin aty për një kohë të gjatë. Mbështetja që pastaj opozita dha, edhe mbas incidentit që ndodhi me Bashën, e nxiti qeverinë të reagojë më shpejt e të japë zgjidhje të plotë.
Por në qendër të kësaj proteste shembullore për të cilën jam shumë krenar, ishte dhe do të mbetet gjithnjë vendosmëria dhe sakrifica e atyre burrave nga Zharreza, të cilëve unë ju përulem me shumë respekt. /Valmora Gogo-SHUPLAKA