Sinadinovski: Jemi dy milionë shqiptarë ortodoks jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, mbi 75 mijë në Maqedoni
Ligjëruesi universitar me prejardhje nga Beliçica e Rekës së Epërme nga rajoni i Mavrovës në Maqedoni, ka deklaruar se janë rreth 75 mijë shqiptarë ortodoks vetëm në Maqedoni. Madje sipas tij shumë të tillë shërbejnë edhe nëpër funksione të rëndësishme në institucionet në Shkup.
66 vjeçari që për shumë vite jetoi në Lindjen e Mesme pranoi publikisht preardhjen e tij etnike.
“Unë gjithmon jam ndjerë dhe kam qenë shqiptar. Kjo sepse përkatësia kombëtare, sipas të gjitha kushtetutave në botë, është ndjenjë intime dhe as unë nuk kam pasur nevojë që ta manifestoj publikisht”, ësht shprehur Sinadinovski.
I ftuar në Info Magazine të Klan Kosovë Sinadinovski tregon se edhe përkundër kërcënimeve dhe sulmueve, ky promovues i vlerave të shqiptarëve ortodoks thotë se nuk frikësohet për vete por për familjen e tij.
“Kur Kisha Ortodokse Shqiptare po na ofrohet për mbajtje të liturgjisë në gjuhën shqipe, po vazhdojnë si më parë të na minimizojnë ndërsa vetë mua po më sulmojnë. Krejt kjo është kundërthënëse, sepse ne ekzistojmë dhe do të jemi dhe më shumë në të ardhmen, bile shumë më tepër se ajo shifra prej 75 mijëve, që e thashë më herët”, tha Sinadinovski.
Shqiptarë ortodoks sipas Sinadinovskit ka edhe në Kosovë, kryesisht në mesin e goranëve tek zona e Dragashit. Të cilit do vend qofshin, Sinadinovski i quan gjithë shqiptarët vëllezër dhe motra.
“Ka shqiptarë ortodoksë në Rusi dhe në Ukrainë, ku kam qenë dhe unë. Sipas vlerësimeve, se nuk ka regjistrime dhe të dhëna statistikore, jashtë dy shteteve të njohura ndërkombëtarisht – Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, jetojnë rreth dy milionë shqiptarë ortodoksë, pavarësisht shqiptarëve të Maqedonisë, që janë këtu rreth një milion”, tha Sinadinovski.