Albspirit

Media/News/Publishing

Skandali mediatik në Rai: Meshkujt italianë preferojnë femrat e Europës Lindore

Televizioni publik italian Rai është përfshirë nga një skandal mediatik në qendër të të cilit janë akuzat për banalitet e vulgaritet të përdorur gjatë një emisioni të kanalit Rai 1 transmetuar ditën e shtunë më datë 18 mars 2017.

Në rubrikën “Flasim të shtunën” të emisionit “La vita in diretta” drejtuar nga prezantuesja e njohur Paolo Perego,  merret në analizë tema se pse meshkujt italianë preferojnë gjithnjë e më shumë femrat nga Europa e Lindjes.

Në një material të përgatitur nga autorët e këtij programi, ilustrohet me anë të një grafiku “avantazhet” që kanë femrat e Europës Lindore në krahasim me femrat italiane.

Nën titullin “Kërcënimi vjen nga lindja. Pse meshkujt preferojnë të huajt” e me nëntitulin “Janë grabitëse burrrash apo bashkëshorte perfekte?”, autorët e programit “La vita in diretta” rendisin 6 motivet pse italianët zgjedhin femrat e lindjes;

  1. Janë të gjitha nëna e pas lindjes rekuperojnë një trup të mermertë.
  2. Janë të gjitha seksi e nuk përdorin as pizhima e as tuta.
  3. Falin tradhëtinë.
  4. Janë të gatshme të komandohen nga burri i tyre-
  5. Janë shtëpiake përfekte e që të vogla kanë mësuar punët e shtëpisë-
  6. Nuk ankohen, nuk të vihen pas e nuk varin turinjtë.

Këto 6 arsye u komentuan në studion e programit nga të ftuar të rëndësishëm si drejtorë mediash, gazetarë, aktorë e modele.

Por menjëherë pas transmetimit të emisionit, në rrjetet sociale u kritikua ashpër, banaliteti e vulgariteti me të cilët u identifikuan femrat e lindjes e marrëdhëniet e tyre me meshkujt italianë.

Një shembull i keq i klisheve e stereotipeve të një shoqërie feudale që hedh poshtë shekuj të tërë betajash civile për të emancipuar figurën e femrës u shpreh mbi këtë ngjarje senatori Francesco Verducci, zëvëndës president i komisionit të mbikqyrjes së RAI.

Të bëhen publik emrat e autorëve të e të largohen nga puna së bashku me prezantuesen Perego replikon përmes Twitter shkrimtarja e njohur italiane Silvia Ballestra.

Ndjehem e turpëruar, e nervozuar dhe e habitur nga niveli i ulët e tonet seksiste e raciste të përdorura në emision ka deklaruar gjithashtu dhe Rita Borioni, historiane arti dhe anëtare e këshillit administrativ të RAI.

Ndërsa drejtori i kanalit televiziv RAI 1 me një notë zyrtare i ka kërkuar të falur publikut italian për ç’kanë dëgjuar e parë në emision.

 

Please follow and like us: