Albspirit

Media/News/Publishing

Ulpiana Lama drejt diplomacisë, me sytë nga kultura

Ulpiana Lama po bëhet gati për një tjetër sfidë në jetën e saj. Ish-moderatorja e “Pasdite në Top Channel” niset shumë shpejt drejt Francës, si zv/ambasadorja e Ambasadës Kosovare atje.

Konica.al zhvilloi një bisedë të shkurtër me të në Kosovë për të kuptuar më shumë rreth detyrës së saj të re dhe mbi të gjitha se si Ulpiana e shikon veten në misionin e saj të fundit.

Ulpiana, a je e gëzuar për detyrën e re?

Nuk kam asnjë emocion të ekzagjeruar. E konsideroj si një fazë në karrierën time. Çdo njeri i përgjegjshëm mendon që do të ketë shumë punë, nuk shkon për turizëm, ke një mision për të përmbushur. Kosova është një vend i vogël ndaj duhet punuar shumë. Duhet menduar se çfarë vlerash do të sjellim, sidomos në një treg shumë konkurrues. Duhet të jemi inovativë, të investojmë në marrëdheniet njerëzore.

A të mungon ekrani? Apo nuk e ke më ambicie?

Nuk më mungon ekrani në daljet e përditshme. Asnjëhere nuk më ka munguar. Më vjen mirë kur rikthehem prapa dhe takoj njerëz e kuptoj se kam lënë diçka te ta. Tek e fundit të gjithë ne këtë dëshirojmë, të kemi lënë përshtypje të mirë, të kemi ndikuar tek publiku, të kemi frymëzuar dikë.

Jo te të gjithë, gjithmonë ka njerëz që të pëlqejnë e të tjerë jo. Mua më vjen mirë që si rezultat i një emisioni të përditshëm  arrita te kem akses në zona nga veriu në jug. A kam krijuar ndonjë kapital që mund ta shfrytëzoj në një mënyrë tjetër? Jo, por kam dëgjuar aq shumë histori njerëzore. Kjo është një pasuri më vete.

Mendon se edhe nga Franca do të punosh për kulturën e artin kosovar, shqiptar? Apo përqëndrimi do të jetë vetëm te diplomacia politike?

Ne nuk i ndajmë dot më këto gjëra. Diplomacia ka kohë që përpunon disiplina si p.sh. diplomacia publike “soft power” pushteti i butë. Kjo do të thotë të fitosh mendjet dhe zemrat. Çfarë mund të ketë një pasaportë me të mirë për vendet tona sesa eksportet kulturore? Ne kështu na njohin, si vendet e Rita Orës,  Dua Lipës, Bebe Rexhës, Era Istrefit, Inva Mulës, Shkëlzen Dolit, Ermonela Jahos, Ismail Kadaresë e shumë të tjerë. Sot flasim për tregje të përbashkta ekonomike, por barrierat e para i theu kultura dhe arti. Unë nuk mund të tërhiqem nga kjo, e dua profesionin tim, ndaj besoj se do punoj sa të mundem.

Please follow and like us: