Zana Çela: Sfidat, bashkëudhëtare të jetës sime
(konica.al)-Është cilësuar si një nga ikonat e ekranit shqiptar. Me bukuri natyrale, talent elegancë, elokuencë skenike, kulturë të rafinuar dhe bravurë intelektuale ajo përfaqson denjësisht modelin më modern të femrës shqiptare. Atë që ka guxuar të jetësojë ëndrra gati të pamundura e ti kthejë në realitet, dhe pse jo të guxojë të pushtojë territore të pashkelura më parë. Ka lëvruar shumë fusha arti duke qenë një nga këngëtaret më të mira të repertorit shqiptar për fëmijë, një gazetare e suksesshme, menaxhere televizioni, producentja e parë televizive në Shqipëri, një nga prezantueset më dinjitoze të ekranit shqiptar dhe përsëri drejtoreshë e teatrit të Operas dhe Baletit. Me një karrierë që ka qenë bashkëudhëtare e suksesit dhe famës.
“Nuk e di nëse është arritur gjithnjë suksesi. Vërtet e them këtë që nuk e di, por formula është pasioni, që të shtyn drejt punës. Është pasioni i shoqëruar me një punë shumë ritmike dhe sigurisht aftësia dhe mundësia për të zgjedhur stafin e duhur, që bashkë me ty do të realizojë të gjitha projektet, të gjitha spektaklet. Një staf i nivelit të lartë është garanci absolute për të realizuar projekte të mëdha”,- deklaron ajo.
Ishte në moshën 3 vjeçare kur familja e saj u tranferua në Shkodër. Në atë qytet ku tradita muzikore ishte injektuar në gjakun e çdo fëmije. Kujton se çdo pallat organizonte koncerte të përmuajshme dhe ato do ishin skena e parë e improvizuar për të. Do të ishte shoqja e saj e ngushtë Rozi Nenshati që do i bëzante në vesh që po bëhej një audicion për talentet në shtëpinë e pionierit në Shkodër dhe menjëherë pas provës ajo do të zgjidhej si soliste për të kënduar dy këngë. “Me libra në duar” dhe “Kënga e kukullës” që do interpretoheshin në festivalet e fatosave.
Kënga u kthye në një nga lajtmotivet më të ëmbla të jetës së saj.
“Të gjithë mësuesit që ne na mësuan si të këndojmë, kanë qenë artistë të niveleve të larta dhe njerëz të mrekullueshëm. Profesor Pjerin Gjyshja ishte i pari që ka qenë mësuesi im i muzikës. Më pas erdha në Tiranë. Isha në klasën e tretë dhe profesor Robert Radoja, sapo më dëgjoi, më përqafoi fort dhe më ftoi të frekuentoja pallatin e pionierit. Nëse do ndjekësh kursin e këngës në mënyrë sistematike, ne do realizojmë gjëra shumë të bukura bashkë”,- thotë me bindje profesori. Një parashikim më se i saktë.
Fillon kështu eksperienca artistike e Zana Çelës. Në vitin 1976-t do të këndojë këngën “Një tufë lule” të Pjetër Gacit në festivalin e Shkodrës dhe më pas “Pranverë e Shqipërisë”, “Ishe yll e mbete yll”, “Fëmijët e botës përshëndetin””Na llogarisni dhe ne”, të gjitha këngë që kërkonin shtrirje vokale dhe teknikë prej të rrituri.
“Këngët e Pjetër Gacit kanë qenë me të vërtetë këngë të mrekullueshme, këngë të mëdha, këngë që të mësonin sesi duhet të këndohej. Dhe në fakt këto kanë mbetur si këngë model për brezat e fëmijëve, model në kuptimin e përdorimit të zërit. Ishin këngë të gjera, me fraza të mëdha që të trajnonin diafragmën, me regjistër të madh dhe shtrirje. Ishin shumë lart dhe arrinte kënga deri në mbinatyral. Ishin këngë shkollë”,- thotë ajo me krenari
Talenti i saj i padiskutueshëm u vlerësua me çmime të shumta por dhe me përzgjedhje në aktivitetet më të rëndësishme të kohës.
“Nga festivalet e Shkodrës unë kam kujtimet më të bukura të fëmijërisë sime. Qyteti i Shkodrës dhe qytetarët e saj janë shijuesit më të mirë të muzikës dhe të artit. Dhe kjo nuk është për për kompliment. Mënyra si n’a prisnin ishte diçka e magjishme. Ne sot kemi parë se si priten artistët e mëdhenj të Hollivudit që kalojnë në tapetin e kuq. Vërtet atje nuk kishte tapet të kuq në rrugë, por kishte kaq shumë njerëz majtas dhe djathtas, dhe ne na dukej vetja vërtet yje, sepse kishte ovacione nga njerëzit. Thërrisnin emrat tanë, këndonin fragmente nga këngët tona. Na mbushnin me emocione të bukura që të shtynte të jepje maksimumin në skenë”,- kujton ajo dhe sytë i mbushen me lotë nostalgjikë.
Ëndrra e saj më e madhe e jetës ishte të bëhej këngëtare. Ndoqi studimet në lice, po për shkaqe të jashtme nuk mundi të vazhdonte Konservatorin. Fakti që studioi për gjuhë letërsi e pasuroi me kulturë letrare dhe i dha mundësinë të shpalosej në gazetari. Që studente do të fillojë bashkëpunimin e saj të parë në televizionin shqiptar, me emisionin “Fëmijët dhe muzika” që rezultoi shumë i suksesshëm. Mbas studimeve do emërohet si redaktore krijuese e muzikës në Radio Tirana ku mbulonte të gjitha programet dhe emisionet e muzikës, nga ajo klasike, e lehtë dhe popullore. Një sukses të madh do të cekte në atë kohë meHit- parade, që e transmetoi jo vetëm në Radio Tirana por dhe në televizionin shqiptar.
Të bluash një ide, ta realizosh atë me fjalë dhe imazh dhe mbi të gjitha ta realizosh në të gjitha detajet, ishte një nga armët më të forta të Zanës. Një eksperiencë që ajo e fitoi mbas realizimit të shumë spektakleve, dokumentarëve, përballjeve direkte dhe menaxhimit të televizioneve më të rëndësishme të kohës. Si drejtoreshë e përgjithshme e “Koha television”, drejtore artistike dhe programacioni në Klan dhe zëvëndësdrrejtore e televizionit publik shqiptar. Një eksperiencë që u shkri me talentin e saj dhe u kurorëzua me festivalin internacional operistik “Marije Kraja “, ku ajo për herë të parë në Shqipëri do të përshfaqej si producente e këtij eventi televiziv.
Ishte janari i vitit 1999-t, kur Shqipëria dilte nga një krizë e jashtëzakonshme politike dhe të realizoje një event të përmasave të tilla ishte gati-gati një çmenduri. “Kur na lindi ideja për të realizuar këtë festival , Opera shqiptare kishte divat e saj. Zëra që vinin nga një traditë e shquar. Por, historia kishte mbetur tek emrat e mëdhenj, pa gjetur trashëgimtarë mes brezave të rinj. Në atë gjendje amullie, kur publiku kërkonte vazhdimësinë, së bashku me një grup artistësh të shquar nisëm këtë event të madh”, -kujton ajo. Dhe në fakt suksesi dhe jehona që pati, i dhanë producentes së parë shqiptare idenë e vazhdimësisë. Festivali “Marije Kraja” është pasuruar nga viti në vit me personalitet më të spikatura të fushës, që vijnë nga të gjitha kontinentet, dhe me një juri ku marrin pjesë drejtuesit e operave më të rëndësishme të botës.
Mbas mbarimit të edicionit të parë “Marije Kraja” drejtohet në krye të Teatrit të Operas dhe Baletit” dhe për katër vjet drejtoresha e re do ti krijonte një imazh të ri institucionit më të madh të kulturës në vendit, lënuar nga koha dhe indiferentizmi. Zbulimi dhe promovimi i talenteve u bë një nga qëllimet e jetës së Zanës. Dhe pa dyshim nuk munguan kurorat e dafinës dhe për një produksion të rëndësishëm si “Star Academy” që numëroi pesë vitet e realizimit, dhe ka qenë një sukses tjetër në karrierën e producentes. Për të vazhduar me shkollën “Performance”, një shkollë artistike për talentet e rinj të Tiranës.
Prej pak muajsh drejton Teatrin e Operas dhe Baletit, që ka filluar turet nëpër Shqipëri me operën “Traviata”. Një sfidë tjetër në karrierën e saj. Sepse në fakt kush e njeh së afërmi dhe ka punuar me të, nuk ka si të mos habitet me kërkesat e saj rigoroze në lidhje me punën.
Në fund të bisedës, Zana nuk harron të përmendë një projekt që i fle prej vitesh në mendje. Ti rikthehet këngës. Dhe pa dyshim që do jetë një imazh i ri në spektrin e saj artistik që kjo femër në karrierë ka krijuar me aq dashuri e përkushtim në jetën e saj.
Pyetjes:Këngëtare apo drejtoreshë, i përgjigjet me buzëqeshje. “Të dyja rrinë mirë tek unë. Nuk do pengojnë njëra-tjetrën”.