Albspirit

Media/News/Publishing

Denion Meidani: Një konferencë presidenciale e panevojshme

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm! 

Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të kënaqem, të kënaqem tu’ u qesh

Pamë dje në një konferencë për shtyp të thirrur nga zyra e Presidentit të Republikës me një farë urgjence dhe në ditë pushimi, ku foli vetë Presidenti Nishani. Shqipëria politike e kohëve të fundit po jetonte jo pak ditë të vështira të saj…

Vetë presidenti iu drejtua gazetarëve përballë dhe mes tyre edhe publikut shqiptar. Po me interes ishte kjo konferencë dhe për klasën politike, në të dy krahët e saj. Krahas individit të propozuar për Ministër të Brendshëm, edhe kryetarët e dy partive, njeri si origjinë e propozimit, tjetri si kundërshtar ekstrem i tij (të paktën në retorikë), po e prisnin me ankth pozicionin konkret të presidentit, si garantues të kushtetutshmërisë, si gardian të ligjshmërisë dhe frymëzues të bashkekzistencës, kompromisit e tolerancës politike, si person mbi palët, por dhe përfaqësues të moralit, paanshmërisë politike, “unitetit të popullit”; dhe bazuar mbi të gjitha këto dhe për gjetjen e zgjidhjes sa më të pranueshme. Por, gjatë kësaj konference për ditë të diele, ai u qa se “nuk kishte një grusht të fuqishëm” dhe nëpërmjet tij ta arrinte të zgjidhte krizën ashtu siç ia ndjente zemra dhe ia thoshte mendja; dhe, në radhë të parë, që të garantonte moralin qytetar dhe zgjidhjen e duhur politike…

Të gjithë ne qytetarët e Republikës pamë e dëgjuam sesi ai pranoi pa fare dyshime dëshmitë publike kundër kandidaturës për Ministër të Brendshëm. Në njëfarë mënyre  ai pranoi ato që thuheshin në media e portale për vetë kandidaturën si për sjelljen e veprimet e tij antinjerëzore si hetues në kohën e komunizmit, po ashtu dhe për lidhjet e përfshirjen e familjarëve të tij të afërt me krimin e organizuar evropian. Por, në vend që të reagonte me firmën e tij, pretendoi dhe deklaroi për pamundësi kushtetuese. Madje, ai ia kaloi topin Kuvendit dhe i bëri thirrje pikërisht atij që të reagonte për të mos e votuar këtë kandidaturë për mos plotësim të kritereve kualifikuese, sipas tij. Në thelb, siç shkruhet në nenin 98 ku: “1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit brenda 7 ditëve. 2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.”;  zoti Nishani e interpretoi më së keqi kushtetutën e vendit tonë, duke krijuar një precedent tjetër negativ në shndërrimin e presidentit në një “noter kryeministror”! Sepse kushtetuta flet qartë për emërim e shkarkim ministri nga presidenti me propozim kryeministri. Pra, së paku, nuk duket si shkak themelor teksti kushtetues, por më shumë  shmangia e përplasjes publike, që edhe mund të shfrytëzohej në “nivel argumenti” nga një president tjetër i një vendi fqinj; por mund të ketë dhe arsye të tjera të paditura, deri dhe spekulative…

⁕  ⁕ ⁕

Le të ndalojmë pak në kushtetutën tonë. Në nenin 4 të saj thuhet se: “2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe “3. Dispozitat e Kushtetutës zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe”. Po ashtu, ky dokument themeltar në nenin 6 pika 2 (6/2) thekson se: “Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik…”.

Pra që këtu lind e drejta e Presidentit për të argumentuar refuzimin e tij, nisur dhe nga verifikimi e pranimi i akuzave publike ndaj kandidatit për ministër.

Më 2008, në Pragë u miratua dhe Deklarata mbi Ndërgjegjen (Vetëdijen) dhe Komunizmin në Evropë. Aty është e deklaruar se krimet e kryera gjatë komunizmit në mjaft raste ishin dhe krime kundër njerëzimit sipas përkufizimit të Nurembergut. Kjo vlen dhe për regjimin monist në vendin tonë. Ndërkohë Kushtetuta jonë ne nenin 29 pika 1 parashikon se “Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë me ligj në kohën e kryerjes së saj, me përjashtim të veprave, të cilat në kohën e kryerjes së tyre, përbënin krime lufte ose krime kundër njerëzimit sipas së drejtës ndërkombëtare.” Dhe më pas në pikën 3, po aty, theksohet gjithashtu se “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”. Bazuar në formulimet e mësipërme, Presidenti duhet të kishte reaguar duke kërkuar zbardhje e hetim të akuzave publike. Për më tepër, siç u tha më sipër në nenin 98/1, në konferencën e shtypit, ku ai praktikisht i mori për të mirëqena ato akuza, atëherë në bazë të pohimit kushtetues 98/1 sipas të cilit “ministri emërohet dhe shkarkohet” prej presidentit, atij i lindte e drejta e mos dekretimit (emërimit) në një rast të tillë të veçantë. Pra, ose ai gaboi duke i pranuar ato akuza publike, ose pa të drejtë ia lejoi vetes marrjen e rolit të një noteri thjesht ceremonial. Pra, pranoi të ishte një “viktimë” e përsëritur e Rilindjes, që prej më shumë se 3 vjetësh synoi ta kthente këtë institucion në një institucion pa zë; brenda një filozofie uzurpuese të pushteteve të tjera, të konsideruara të pavarura sipas parimeve të po kësaj kushtetute.

⁕  ⁕  ⁕

Në çdo rast Presidenti Nishani nëse kishte dyzime e dyshime mund dhe t’i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rastin konkret dhe për një interpretim të neneve të caktuara të Kushtetutës në lidhje me të. Por, situata mesa duket nuk ishte e favorshme, ndryshe nga raste të tjera, ku në kryerjen sa më mirë të detyrës së tij, presidenti, në aktivitetin e ushtrimin e asaj detyre kërkon ndihmën dhe interpretimin e asaj gjykate. Por, ngërçi i madh i krijuar në zbatimin e reformës në drejtësi ka bërë që i gjithë sistemi i drejtësisë të jetë në një situatë kaotike, madje çdo gjykatë është tashmë e ndrydhur nën presionin e Vetingut, i cili, për më tepër, sipas Ministrit të Drejtësisë, si proces e strukturë ka dalë edhe jashtë kornizave kushtetuese të miratuara me konsensus.

Në portale e media, lexova që disa kolegë analistë i kishin sugjeruar Presidentit të Republikës deri dorëheqjen e tij si një rrugëzgjidhje për të mos hedhur firmën e tij mbi një dekret të tillë tepër shqetësuese e taksues, të paktën, sipas tij, nga ana morale. Kjo mund të ishte një zgjidhje thjesht kohore, gati minimaliste. Në këtë rast detyrën e përkohshme të presidentit do ta kryente Kryetari i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Sidoqoftë, kjo mund të shoqërohet edhe me shqetësime të tjera. Nga ana tjetër, vetë presidenti në detyrë, me gjithë probabilitetin praktikisht zero, e ka shprehur me kohë dëshirën dhe gatishmërinë për një mandat të dytë. Por, sipas kushtetutës, në nenin 88 pika 4, thuhet se “Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidojë në zgjedhjen presidenciale që bëhet pas dorëheqjes së tij.”…

Sidoqoftë, Presidenti, nisur nga rezultati, nuk kishte pse ta organizonte atë konferencë shtypi, por vetëm ta mbyllte procesin thjesht me një njoftim shtypi, përfshirë aty dhe ndonjë shqetësim moral – si “larje ndërgjegje” të tij. Sepse me zhurmën e krijuar, e bëri edhe më të pafuqishme firmën e tij, e cila, në vetvete, ka mjaft peshë e domethënie mbi çdo dekret. Madje, në atë mënyrë, me dashje a pa dashje, duke shpëlarë e fshirë çdo gjë, që u tha e publikua për kandidatin e Rilindjes për Ministër të Brendshëm, deri duke shkaktuar një problem real për LSI-në në Kuvend e opozitën në bulevard, lideri i të cilës ka deklaruar se ky Ministër i ri i Brendshëm nëse emërohet “duhet të kalojë mbi trupat e opozitës për të hyrë në zyrën e tij”. Të presim çdo të ngjasë në ditët në vijim: do të ketë zhvillime të vrullshme apo retorika politike do të vazhdojë “punën” e saj të përditshme!…

Please follow and like us: