Albspirit

Media/News/Publishing

GENC LEKA: KUR NË DRITARE RRI ME MALL

Sadik Bejko

1.
Genc Leka (1941-1977) për arsye politike u ndalua të jetë mësues, për arsye politike u ndalua të shkruajë e të botojë. Po për këtë arsye dhe u pushkatua.
Ja 4 poezi: një për dashurinë, dy për prindërit dhe një poezi për vdekjen.

KUJTIMI YT
Kujtimi yt më hodhi këtë natë
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah ëndërr e kaltër, këputur për mes)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Shtegun e blertë kur nuk e gjen gjëkund
Vezulluar prapë mbrëmjes e çdo mëngjes.

(Genci e vuajti një dashuri të parealizuar, derisa… ajo vdiq)

NËNËS
Eh ç’do perëndojnë nënat tona
Dhe si dielli i bukur plot shkëlqim
Këtij “qielli” më s’do lindin dot.
Ndaj me mall gjer n’orët më të vona
Do na rrahin zemrat me trishtim
Dhe për to gjithnjë do derdhim lot.

(Nëna vdiq rreth 20 vjet pas Gencit)

POEZIA E FUNDIT
O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
……..
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

(Shkruar në gusht 1976, pak ditë para arrestimit që i mori jetën)

+++
Si vegim më erdhe këtë natë…
(Ku t’i shpjerë shpirti këta lot?)
Si dikur hedh fletë vjeshta e artë.
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë,
Kurse ti këndej nuk vjen më dot.
…….
Kushedi sa herë nëpër net
Ti do vish i heshtur si vegim,
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë,
Gjak do rrjedhë plaga pashërim.

Kjo ngjan me një poezi dashurie, një dashuri e ndërprerë
nga vdekja a nga diçka e rëndë pa kthim. Por, sipas dëshmisë së
tij, kjo poezi i kushtohej të atit, Bardho Lekës, vdekur në arrati,
si armik zyrtar i Shqipërisë së kohës.
Babai i Gencit u varros në Prizren më 1966. U arratis në Jugosllavi më1954. I la ‘jetimë’ Gencin dhe dy motrat, vajza të mitura.
Qoftë duke u ndalur vetëm në rrafshin fonetik e ritmik vërehet mjeshtëria, sofistikimi, në formën e këtij poeti: rittmi skandon i sakte, varg 11-rrokësh, rima të një sistemi krejt origjinal….Një strofë (6-vargëshe) një poezi.

Genci ruhej, nuk donte të ishte i drejtpërdrejtë në vargje. Herë-herë ai fliste për brenga, për thyerjen e jetës, por e lëmonte dhembjen, kurrë nuk e shkroi ashpërsisht, nuk e përtheu kurrë saktësisht në vargje trishtimin e tij.

2.
Genc Leka thoshte se shumë nga poezitë e tij ngjajnë me
pardesynë që mund të vishet nga të dyja anët.
Poezia pa titull, që fillon më vargjet “Kur në dritare rri me
mall” duhet lexuar pikë për pikë si e tillë. Në të dy kuptimet: në atë universal dhe në atë ngushtësisht personal.
Secili mund ta lexojë sipas vetes.

Kur në dritare rri me mall
Me lulet e saksisë,
Më shfaqen si vegim, përballë,
Gërmadhat e shtëpisë.

Pastaj më ngjan sikur bën zë
E ndrojtur fëminia,
Që fle mes gurësh përgjithnjë,
Mes ëndrrave të mia.

Në të parë, kjo poezi shpreh atë trishtimin e përjetshëm
njerëzor, trishtim për dje e për sot, pengun për ikjen njëherë e përgjithmonë të gjithkujt nga fëmijëria.
Veҫse situata në strofën e fundit vjen e bëhet pak më e rëndë se sa kaq : aty sikur konkretisht një lumturi është shtypur përgjithmonë mes gurësh, nën gërmadhat e një shtëpie të dikurshme.
Sa është e vërtetë kjo?Komenti i ekspertëve të hetuesisë mbi këtë poezi e dënonte Genc Lekën për pesimizëm, për shprehjen e një
trishtimi pa rrugëdalje. Madje skur insinuohej se me ikjen e babait, me “tradhtinë” e atdheut prej këtij,
i biri, Genc Leka, mbeti pa të ardhme.
Ka diҫka faktike në themeL të kësaj poezie, apo është fantazi e pastër prej poeti?
Siҫ e thamë, poezia “Kur në dritare rri me mall” duhet lexuar dy herë.
Po të shkosh në Bërzeshtë, në vendlindje, gjen dy gërmadha të shtëpive të familjes së Genc Lekës: një gërmadhë e shtëpisë së fëmijërisë dhë tjetra gërmadha ku jetoi deri sa vdiq ai dhe nëna e tij.
Pra, po “ta kthejmë pardesynë nga ana tjetër”, siҫ thoshte ai, siҫ sugjeronte Genc Leka për një lexim dykuptimsh të poezisë së tij, poezia lidhet me një kujtim të drejtpërdrejtë. Poezia është shkruar për një gërmadhë reale, jo për një “vegim”.
Kur Bardho Leka u arratis nga Shqipëria, shtëpinë e tij dykatshe, shtëpinë e një armiku të
rrezikshëm, shteti e rrëzoi për tokë, rrafsh me themelet. Genc
Leka, në kohën kur ka shkruar poezinë “Kur në dritare rri me
mall”, banonte në një shtëpi tjetër, në një shtëpi përdhese, përballë me gërmadhat e gurët e shtëpisë së madhe e të lumtur të
fëmijërisë së tij.
Ta kenë ditur këtë fakt ekspertët e hetuesisë, të
cilët e rendisin edhe këtë poezi lirike si të rrezikshme për shtetin?!
3.
Diktatura siҫ ua shprishi Lekajve jetën me gjallje, ua shkatërroi dhe iluzionin e të mbledhurit të kockave bashkë e pranë e pranë në vdekje. Nuk do të preheshin kurrë bashkë. Nuk do të kishte varrezë që t’i mblidhte tok ata. Të mallkuarit.
Sot Bardho Leka prehet në varrezat e Prizrenit. Gjiska, e shoqja, në varrezat e fshatit Bërzeshtë. Genc Leka pas zhgroposjes nga Përroi i Firarit ku mori dhe pas pushkatimit, prehet ne varrezat e qytetit të Librazhdit që nga viti 1994. Zhuli, gruaja e Gencit, tashmë prehet në varrezat e qytetit të Korҫës.
“Kur në dritare rri me mall”, kur del në dritaren e varrit, vallë kë ka pranë, kë mund të kundrojë sot Genc Leka?
Asnjë nga të afërmit e tij. Diktatura i dënoi me vetmi edhe në jetën tjetër.

Genc Leka nga fillimi i viteve 1970 shkroi poezinë “Lulet e Horasanit”. Një strofë nga kjo poezi
mund të vihet si epitaf për varret e dy poetëve, mund të ndrijë si flakadan mbi mbasjetën e tij dhe të Vilson Blloshmit.
Me gjallje e kishte parashikuar se për ata të dy një ditë do të flisnin, do të kujtoheshin:

Toka që e deshët aq shumë,
si një shpirt që s’gjeti ngushëllim,
Priti sa të binit ju në gjumë
Dhe pastaj u drodh në dëshpërim.

Please follow and like us: