Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Meta tallet me servilizmin e Erjon Veliajt

Më shumë se kaq, Edi Rama nuk ka ç’të bëjë për të joshur Ilir Metën. Në fillim largoi Saimir Tahirin nga qeveria, ndërsa tani ka ngarkuar me mision Erion Veliajn, për të bërë gjithçka për t’u afruar Ilir Metën. Aftësitë për të bërë lëvdata dhe komplimenta Erjon Veliaj e tregoi në inaugurimin e shkollës Kongresi i Lushnjës, aty ku Ilir Meta ka bërë filloren dhe ku nëna e tij punonte mësuese. Nostalgjinë e Metës, Veliaj e shfrytëzoi për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe për t’i thënë se konfliktet brenda koalicionit duhen lënë pas. “Nëse në Bashkinë e Tiranës nuk bashkëpunojmë me të gjitha grupimet, me grupime politike, me grupime qytetare, me grupime nxënësish, me grupime prindërish, Bashkisë së Tiranës nuk i shkon puna mirë. Ndaj edhe mua më vjen mirë, që sot, nën këtë shembull bashkëpunimi, jam këtu me një mik të nderuar, Kryetarin e Kuvendit, ish-nxënës i kësaj shkolle, i cili ka ndjekur me vëmendje punën në Tiranë dhe sa herë që dëgjoj ndonjëherë debatet politike ku sigurisht, kur njerëzit kanë përgjegjësi marrin përsipër edhe kritika, marrin përsipër edhe vërejtje, e rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë maksimumin që të korrektojmë edhe të bëjmë çmos që çdo vërejtje, e çdo kritikë të reflektohet dhe çdo ditë puna të ketë progres”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Të njëjtat mesazhe paqeje brenda koalicionit shprehu edhe Lindita Nikolla, megjithëse pak ditë më parë, Monika Kryemadhi dhe gratë e tjera të LSI iu përveshën në akuza për dështimin e reformës në drejtësi.

Veliaj dhe Nikolla shpërfillën faktin që ishin në oborrin e një shkolle. Moskokëçarës që ishin para qindra fëmijëve ato vazhduan të shpërndajnë mesazhe politike me merakun tek Ilir Meta.

Ky i  fundit u duk më i kufizuar në fjalët që tha para fëmijëve, duke shmangur politikën. Madje elozheve të Erjon Veliajt iu përgjigj me tallje.

“Dua ta falenderoj Lali Erin për kujdesin që tregoi për shkollën Kongresi i Lushnjës. Disa u mërzitën se e panë me duar bosh, prisnin t’u sillte fiq, por ju merrini të gjitha nota 10 se edhe fiqtë do vijnë, por mos u vini në presion. Edhe po morët ndonjë 9 nuk ka problem” tha Meta duke u tallur me Erion Veliajn dhe Lindita Nikollën. Video me poshte:

Please follow and like us: