Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Rehova: Nishani i jep një dorë opozitës duke emëruar Fatmir Xhafën

Saimir Tahiri u largua nga ministër i Brendshëm për shkak të trysnisë të disa vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën. Ndryshe nga çfarë pretenduan analistët shqiptarë, të cilët përgjithësisht përcjellin si analizë thashethemet që lëshojnë qëllimisht kampet përkatëse, fundi i Tahirit erdhi sepse Edi Rama u vu para zgjedhjes ose të largonte Saimir Tahirin ose politikanët e huaj do të dilnin hapur në mbështetje të kauzës së opozitës kundër lidhjes së politikës me krimin.

Kështu, gërshetimi i presionit të huaj dhe protestës së opozitës larguan njeriun më të rëndësishëm në qeveri për Edi Ramën.

Por në mënyrë të pashpjegueshme, në vend që ta përdorte këtë lëvizje të detyruar për ta zbehur ose deligjitimuar kauzën e opozitës përmes zëvendësimit të Saimir Tahirit me ndonjë figurë të pranueshme në publik—njeri të papërfolur për korrupsion dhe me aftësi të mira teknike—Edi Rama emëroi kandidaturën, ndoshta, më të papërshtatshme të mundshme, atë të Fatmir Xhafës.

Ish-hetues gjatë regjimin komunist, pavarësisht nëse ka marrë pjesë apo jo në gjyqe politike, ish-numri dy i rinisë komuniste, i përfolur për korrupsion gjatë qeverisjes Nano dhe me një lidhje të afërt me trafikun e drogës, duke qenë se i vëllai i tij është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge—Fatmir Xhafaj është vetë mishërimi i arsyes pse opozita ka braktisur Kuvendin dhe kërkon largimin e Edi Ramës.

Mund të hamendësohet gjatë sepse Edi Rama zgjodhi Fatmir Xhafën, por të gjithë mund të bien dakord se Fatmir Xhafaj nuk u zgjodh as për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, as për të qetësuar LSI-në, as për të qetësuar opozitën.

Sikurse mund të mendohej, emërimi i Fatmir Xhafës u dha zjarr dhe fuqizoi akuzat e opozitës: opozita arriti menjëherë ta portretizonte në publik Xhafën jo vetëm si hetues, por madje hetues të ashpër apo hetues të sigurimit, sikurse edhe si njeri të lidhur direkt me trafikun e drogës. Në favor të saj, opinion publik duket se nuk e priti mirë emërimin e Xhafës: në fund të fundit, të gjithë e kuptojnë se një person vëllai i të cilit kërkohet nga disa shtete nuk duhet të emërohet në pozicionin që e ka për detyrë të zbatojë urdhrin ndërkombëtar dhe arrestojë vëllain e tij.

Emërimi i Xhafajt pati edhe një efekt tjetër: bërja publike e të shkuarës së Xhafajt dhe lidhjeve të tij të supozuara me krimin hodhi dyshime, në mos diskreditoi reformën në drejtësi, e cila është kauza e përdorur nga Zoti Rama për të diskredituar bojkotin e Kuvendit nga opozita. Sepse është pak e besueshme që njerëz të lidhur me krimin të jenë kaq të shqetësuar për korrupsionin e gjyqësorit.

Opozita u mobilizua për diskreditimin e Zotit Xhafaj dhe në vrullin e fjalëve u përbetua në mënyrë banale se Xhafaj do të hynte në zyrë vetëm mbi trupat e opozitarëve.

Por në fakt Xhafaj ministër i Brendshëm është dhurata më e madhe që mund t’i vinte kauzës së opozitës.

Me dekretimin e Fatmir Xhafajt, PD ka tashmë një arsye të kuptueshme dhe bindëse për të gjithë për të mos hequr dorë nga kërkesa për qeveri teknike dhe për të mos hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit. Madje me emërimin e Xhafës sot ka më shumë njerëz që mund të ndihen të afërt me qëndrimet e opozitës.

Kjo është edhe arsyeja që Presidenti Nishani e dekretoi Fatmir Xhafajn. Edhe atij i erdhi mundësia që jo vetëm t’i japë një dorë kauzës së opozitës, por ta bëjë këtë duke u dukur si burrë shteti që e ka Kushtetutën të shenjtë. Dhe Zoti Basha nuk humbi asnjë minutë për ta vlerësuar Presidentin si të tillë vetëm pak minuta pasi ai deklaroi se Fatmir Xhafaj nuk e meriton të jetë ministër, por ai nuk ka mundësi kushtetuese ta ndalojë këtë gjë.

Please follow and like us: