Albspirit

Media/News/Publishing

Lista e zezë me ministra, deputetë e gazetarë që paralajmërohen me vrasje

 

Ministra, deputetë, politikanë e gazetarë, madje edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është në listën e zezë të organizatës “Syri i Popullit” për t’u eliminuar.

Lista dhe dokumente të tjera të kësaj organizate, një prej anëtarëve të së cilës plagosi avokatin kosovar Azem Vllasi pak ditë më parë në Prishtinë janë bërë publike sot.

Në listë vihen re një numër i madh zyrtarësh e ish-zyrtarësh të Kosovës e Maqedonisë, për të cilët është shpërndarë një urdhër ‘top sekret’ për likuidimin e tyre.

Për organizatën “Syri i Popullit”, e cila ka marrë përsipër atentatin kundër avokatit kosovar Azem Vllasi, sigurisht keni dëgjuar. Por, ajo që ishte plotësisht sekret, ishte lista e personave që ishin shënjestër e saj për ekzekutime.

“Gazeta Fjala” ka siguruar këtë listë me emrat e mbi 30 figurave publike në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, të etiketuar si “tradhtarë”, që duhet ekzekutuar nga Lëvizja “Syri i Popullit”.

Në të gjenden emrat e politikanëve prej viteve ’80, politikanë të qeverisë në azil dhe të fondit të 3 përqindëshit të përfshirë aty me arsyen “përfitues prej djersës së popullit në diasporë”, pastaj politikanët e Grupit të Unitetit 2005-2007, me arsyen se ishin “pranues të dokumentit antishqiptar të Ahtisaarit”.

lista e Syrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa, Kryeparlamentari Kadri Veseli, e kreu i AKR-së Behgjet Pacolli janë vetëm disa nga personat që ishin shënjestër e ekzekutimit.

Gjithashtu, në këtë listë gjenden edhe personat kyç që janë marrë me decentralizimin dhe enklavat serbe. Por, edhe politikanë të opozitës së tashme dhe njerëz të mediave e publicistë.

lista e Syrit 2

Kjo organizatë, sipas vetë projekt-promemories së saj të cilën e ka siguruar “Gazeta Fjala”, për të “vrarë tradhtinë”, ka pasur për detyrë të bëjë atentate mbi zyrtarë shtetërorë dhe politikanë në Kosovë, Maqedoni dhe Kosovë Lindore.

lista e syrit 4

Gjithashtu, ashtu siç edhe u veprua pas atentatit mbi avokatin Azem Vllasi, pas çdo aksioni të tyre, duke dhënë arsyet e veta, kjo organizatë kishte planifikuar të lëshonte edhe komunikata për të marrë përgjegjësinë për ekzekutimet që do i bënin.

Lëvizja “Syri i Popullit”, sipas përshkrimit në këtë promemorie, ka vëzhguar në mënyrë sistematike të gjitha personalitetet publike, në gjithë hapësirën shqiptare (edhe në Shqipëri), pushtetin lokal dhe qendror, si dhe klerikët fetarë.

lista e syrit 3

“Organizata do të hakmerret ndaj të gjithë atyre që kanë marrë votën e popullit dhe asgjë nuk kanë bërë për popull, por janë korruptuar e pasuruar. Do të hakmerret mbi gjithë ata që në emër të luftërave çlirimtare janë pasuruar dhe për popull nuk kanë bërë asgjë”, shkruan ndër të tjera në promemorien e organizatës “Syri i Popullit”.

Përveç kësaj, në dokument thuhet se kjo organizatë është mjaftë mirë e organizuar që nga Shtabi i përgjithshëm e deri tek grupet guerile.

lista e deputeteve syri
“Syri i Popullit”, thuhet të jetë krijuar nga Lëvizja për Ribashkim Kombëtar (LPRK), për shkak se sipas përshkrimit të organizatës, ishte imperativ i kohës dhe domosdoshmëri.

“Gazeta Fjala” ka siguruar edhe listën e delegatëve të Lëvizjes për Ribashkim Kombëtar, të nënshkruar nga vetë delegatët me stilolaps.

lista e deputeteve syri 2

Në emër të angazhimit për bashkim kombëtar, LPRK dyshohet se me ide radikale po i nxitë anëtarët e vet për veprime të dhunshme ndaj politikanëve në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.

Please follow and like us: