Robert Kote: Janë kryer krime me ndërtimet në Krujë, në Berat, Gjirokastër, etj, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Kulturës
Pedagogu i arkitekturës që nga viti 1964, ing. Robert Kote pohon se në Shqipëri vazhdon të ndërtohet duke shkatërruar. Për pedagogun, faktet që po përjetojmë mbi rrënimet e banesave tradicionale dhe të ashtuquajtur “Bypass” në Gjirokastër, për të ashtuquajturën “Veliera” në Durrës dëshmojnë vazhdimësinë e mosrespektit ndaj trashëgimisë kulturore të kombit tone: “I ashtuquajturi “Bypass” është veçse një rrugë e re automobilistike që kalon lakushëm ndërmjet dhe duke shembur disa godina me vlera të çmuara për trashëgiminë tonë. Për mua nuk është aspak i domosdoshëm. Të ndërtosh rrugë e të shtrosh sheshe me gurë janë procese ndërtimore nga më të lehtat dhe shumë fitimprurëse për ata që i ideojnë dhe i ndërtojnë. Kur ndërkohë për shermbull hekurudhat tona janë katandisur si mos më keq: me vetëdashje shtetërore. Atje në Gjirokastër kanë ndërtuar dhe një lloj shëtitoreje shumë të gjatë përgjatë rrugës kombëtare shtruar me gurë ku muret mbajtëse prej betonarmeje janë të veshura me rrasa guri, që nuk është aspak tradicionale në arkitekturën gjirokastrite. Do të kisha kënaqësi të rindërtohej ai Akuadukt antik jo për të transportuar ujë, por për të qenë një shëtitore e këndshme mbi Gjirokastër nga ku mund të sodisja panoramat e bukura, të admiroja nga lart qytetin duke mos u lodhur nëpër të përpjetat e nga kalaja të shkoja tek liqeni, që buron nga nëntoka.
Përsa i përket “Veliera” , pikësëpari ajo nuk ka asnjë ngjashmëri me velat e anijeve. Përkundrazi ai epitet i vënë asaj tende horizontale dëshmon budallallëk. Mendoj se ai lloj investimi nuk është i domosdoshëm. Jo vetëm për faktin se dihet që kudo të gërmohet në Durrës gjen xhevahire, por se për shembull mund të ndërtohet një ashtuquajtur lungomare, pra një shëtitore përgjatë detit si për shembull e kanë fqinjët tanë përtej detit. Në Bari të Italisë ajo lungomare konsiderohet si ndër më të bukurat në Mesdhe. Shëtit këndshëm, shikon dhe peshkatarët kur kthehen nga gjuetia, madje e shesin peshkun aty: mbron bregdetin dhe krijon mundësira për të zhvilluar të gjithë sportet ujore, që ne ende nuk i njohim e nuk kemi mundësinë ti zhvillojmë si p.sh kanotazhin, garat me Vela, etj. Po mund të ndërtohet një farë lloj mbulese tende p.sh tek sheshi qendror mbi rrënojat arkeologjike. Italianët mendojnë të mbulojnë koloseumin e Romës. Mendoj se do të bënte mirë Dakoja i Durrësit të rindërtonte një anije iliriane të mbretëreshës Teuta, ajo e bukura që qëndron mbi ish bankën e shtetit të Durrësit dhe ajo të ishte me vela, pra të ishte një Veliera durrsake”, përfundon intervistën e tij Robert Kote, duke nënvizuar edhe një herë se janë kryer krime me ndërtimet në Krujë, banesa rrënoja janë dhe në Berat, etj, dhe gjendja që është sot në monumente tregon sa ka bërë për t’i mbrojtur Ministria e Kulturës.