Albspirit

Media/News/Publishing

Rreziku rus në Ballkan/Majlinda Bregu jep alarmin: Mund të preket Shqipëria

Kryetarja e këshillit të integrimit Europian, Majlinda Bregu, foli në studion e ABC News për rrezikun rus në Ballkan. Bregu tha se ky rrezik është real dhe nuk përjashtohet mundësia e ndikimit edhe në Shqipëri.

Sipas saj, ndryshe nga BE, Rusia e ka interes strategjik të politikës së jashtme Ballkanin dhe financimet ruse mund të shërbejnë për të mbajtur në këmbë regjime autoritare.

Bregu u shpreh me tone kritike veçanërisht ndaj BE-së, kur tha se në përpjekje për të ruajtur stabilitetin po zhduken standardet demokratike, por theksin ajo e vë dhe tek rreziku rus si një shqetësim real për Ballkanin.

“Pak kush e di se Ballkani Perendimor është prioritet i politikës së jashtme ruse, por asnjëherë nuk ka qenë prioritet strategjik i politikës së jashtme të BE-së”, tha Bregu.
Për ta shtjelluar më shumë këtë, ai shton se shenjat e alarmit në rajon janë dhënë herët.

“Në rast se do të kishte pasur pak më shumë vëmendje për shenjat e alarmit të cilat kanë vite që janë prezente në rajon, mbase do të kishte pasur edhe një reagim më të shpejtë po them qoftë edhe letrën e senatorëve amerikanë, por edhe nga ana e Bashkimit Europian”.

Sipas saj, fqinjët sllavë janë më të ndikuar, por as Shqipëria nuk është e paprekshme.
“Shqipëria është vendi më pro perëndimor në Ballkan dhe sigurisht kjo është një gjë që na jep ne sigurinë së brendshmi, por askush nuk mund të përjashtojë që influenca ruse dhe njëkohësisht tentativa për kërcënim të mos jetë i ndjeshëm edhe për Shqipërinë për sa kohë që është aq i ndjeshëm në kufijtë e shteteve fqinje. Financimet ruse gjejnë veçanërisht terren aty ku ka përpjekje për të mbajtur gjallë regjime autoritare”, nënvizon Bregu

“Është rreziku i influencës për të mbajtur gjallë regjimet autoritare, është një rrezik i kombinuar tashmë jo vetëm me influencën ruse por me tendencat populiste apo pjesën e terrorizmit dhe kërcënimit të terrorit; pra janë të gjitha bashkë një panoramë e cila e bën më të domosdoshme një vëmendje më të madhe për ta konsideruar Ballkanin perëndimor si një prioritet strategjik të politikës së jashtme të BE. Vetëm konsolidimi i demokracive do t’i jepte hov perspektivës europiane të Ballkanit Perendimor. Është koha për të mos thënë që duhet të ishte qysh dje për të kthyer një vëmendje më të madhe për Ballkanin Perëndimor”, vijoi më tej ajo.

Please follow and like us: