Albspirit

Media/News/Publishing

Tillerson nuk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi sot se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel në muajin prill.

Megjithatë, ai do të udhëtojë për në Itali dhe në Rusi në të njëjtin muaj, për të marrë pjesë në takimin e grupit G-7.

Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se zoti Tillerson do të humbasë kështu mundësinë për takimin e tij të parë me 28 vendet aleate të NATO-s, me qëllim që të jetë i pranishëm në takimin e Presidentit Donald Trump me homologun kinez Xi Jinping, në pronën e zotit Trump Mar-a-Lago, në Florida.

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit thanë se Tom Shannon, zëvendëssekretar shteti në detyrë për çështjet politike, do të përfaqësojë SHBA-në në takimin e NATO-s.

Zyrtarët amerikanë vunë në dukje se Sekretari Tillerson do të takohet në Uashington me pjesën më të madhe të ministrave të jashtëm të NATO-s këtë të mërkurë, kur do të zhvillohet takimi i Koalicionit për Mposhtjen e Shtetit Islamik.

Reagon Engel: “Është një gabim”

Ligjvënësi Eliot Engel, numri dy në komisionin e marrëdhënieve me jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se zoti Tillerson po bën një gabim duke anashkaluar bisedimet në Bruksel.

“Administrata Trump po bën një gabim të rëndë që do të lëkundë besimin e aleancës më të rëndësishme të Amerikës dhe do të ushqejë shqetësimet se administrata është thjesht shumë e afërt me Vladimir Putinin”, thuhet në një deklaratë me shkrim të ligjvënësit Engel.

“Nuk mund të imagjinoj se përse administrata do të ndërmerrte këtë hap, përveç se për të dhënë një sinjal ndryshimi në politikën e jashtme amerikane që e shtyn vendin tonë larg institucioneve më të rëndësishme të demokracisë perëndimore dhe që e afron SHBA-në më pranë regjimit autokratik në Kremlin”, thuhet më tej në deklaratë.

Presidenti Trump e konsideroi NATO-n “të ezauruar” në muajin janar, megjithëse Nënpresidenti Mike Pence shprehu mbështetje të palëkundur amerikane për aleancën gjatë një konference për shtyp muajin e kaluar në Bruksel.

Please follow and like us: