Albspirit

Media/News/Publishing

Trajtimi i së kaluarës komuniste, Kumbaro: Detyrë e shoqërisë shqiptare të kontribuojë për të vërtetën!

Mirela Kumbaro Furxhi/

Arsyeja kryesore pse pranova pa hezitim këtë ftesë është vetë tema e takimit “Vendet e Kujtesës”. Ky emërtim është i vonët, me sa di unë, edhe në Europë, diku në vitet 80. Nuk i përkon ndonjë përkufizim juridik, por më shumë si një cilësim i vendeve në të cilat kanë ndodhur ngjarje të jashtëzakonshme të së shkuarës, shpesh në rrethana traumatike – dhe jo vetëm luftë, them unë – për të cilat shoqëria ka vendosur t’i mbajë në mendje duke i përcjellë, ose i kanë mbetur në mendje sepse trauma ende s’ka kaluar.

Të tillë e konsideroj edhe periudhën e diktaturës në Shqipëri, si një traumë që ende s’ka kaluar. Dhe këtë nuk e them si minister, por si njeri që ka kaluar gjysmën e jetës në diktaturë. Nuk besoj se do të më mjaftojë jeta për ta asimiluar plotësisht atë që prodhoi diktatura për 40 vjet në Shqipëri. Ishte e gjatë, e egër dhe totale. Të gjithë e kemi pësuar, madje edhe ata që i kanë shërbyer e kanë pësuar duke deformuar vetëveten ose duke gjymtuar ndërgjegjen e tyre. Thënë kjo, bëhet i veshtirë rrëfimi i menjëhershëm I 40 viteve, e ca më pak analiza objektive e tyre. Kjo është arsyeja pse kemi zgjedhur të lëmë vendet të tregojnë për ato që kanë ndodhur në to. Projekti ynë më I fundit, muzealizimi i shtëpisë me gjethe nuk është më një lajm i padëgjuar.

Që kur e prezantuam më shumë se 2 vjet më parë, projektidenë në publik, kam ndjekur me vemendje reagimet, kritikat, sugjerimet. Dhe nëse më lejoni të bëj një klasifikim të tyre do t’ ndaja në grupe:

1. Ata që nuk pranojnë ta diskutojnë fare dhe e kritikojnë këtë projekt sido që të jetë, madje as që duan të dëgjojnë qoftë edhe për ta kritikuar. E hedhin poshtë se kësisoj është një argument më shumë për të batërdisur gjithçka bën kjo qeveri, pavarësisht nëse është stadium, muze apo rrugë.

2. E hedhin poshtë sepse e quajnë kozmetikë se para së të bënin këtë duhet të bënin shumë gjëra të tjera si për shembull muzealizimin e burgut te Spaçit, pra duke qenë se s’është bërë ai, as këtë mos ta bënin.

3. E hedhin poshtë sepse misteri që ka mbështjellë këtë shtëpi, si dhe gjithë historinë e dosjeve është më mirë të mos preket farë e të rrijë aty në terr rreth të cilit gjithkush mund të thurrë pëlhurën e vet pa ngjyrë sic në fakt e kanë thurrur në politikë e jashtë saj prej më shumë se 25 vitesh, dhe madje ende përpiqen ta bëjnë.

4. Janë edhe ata që e pranojnë idenë e një muzeu të tillë por që kritikojnë me domosdo konceptin, madje pa e njohur atë, kritikojnë një emër, një titull, një metaforë duke shuar gjithë punën e bërë në tre vjet e që tash ka marrë formë, pra që merren me gjethen që mbulon shtëpinë dhe jo me vetë shtëpinë.

5. Pastaj janë ata që nuk ia shohin fare interesin dhe se mendojnë se kjo punë s’i hyn kujt në punë dhe kot që hapim punë.

6. Por ka dhe një grup kureshtarësh që presin rezultatin final, që duan të shohin pa të gjykojnë, janë gazetarë që shpesh kanë ardhur ta vizitojnë, ta filmojnë, të bëjnë intervista e fotografi. Media të vendit e të botës nga BBC te Euroneës, nga LeMonde te El Pais, etj.

7. Në të gjitha rastet ky projekt tërheq vëmendjen e publikut dhe medias. Po në fakt cili ishte qëllimi ynë? Pse i hymë këtij projekti? Në radhë të parë nuk është një rastësi dhe as një improvizim. Personalisht, ndonëse lindur e rritur në Tiranë, më ka befasuar se si, edhe 25 pas diktaturës, shumë vende tipike të regjimit vijonin të mbeteshin të mbyllura, ose të pashfrytëzuara duke u lënë të rrënoheshin ose duke ruajtur në mënyrë profane copën e historisë që mbajnë brenda. Thjesht t’i hapësh nuk mjafton. Por që duhen hapur për këtë s’ka dilemë. Thjesht ideja t’i bësh të vizitueshme nuk mjafton.

Por që t’i bësh të vizitueshme kërkon në radhë të parë projekt dhe investim. Diktatura që kaluam nuk është vetëm disa faqe në tekstin e historisë në shkollë, tekst i cili ndërronte ngjyrë e theks sa herë janë ndërruar qeveritë, e ndoshta do të na duhet të presim ende disa breza sa shkrimi I historisë sonë të shekullit XX të qetësohet nga tallazet e mosmarrveshjet ballkaniko-mesdhetare të historiografëve. Duke i rezistuar tundimit të studiuesit që jeton brenda meje, po nxitoj të them së shkrimi i historisë nuk është detyrë e politikës dhe as nuk mëtoj t’i shkoj asaj hullie.

Por, është detyrë e politikës të ndërtojë mekanizma financiarë dhe profesionalë që dëshmitë e kohës të mos vdesin, që dëshmitarët të mund të shprehen, që dokumentet arkivore të mos zhduken e ca më keq të transformohen, apo të keqpërdoren siç, mos o zot, janë përdorur duke na i tundur para hundës herë si lecka kutërbuese e herë si pisqolla. Është detyrë e të gjithë shoqërisë shqiptare të kontribuojë në nxjerrjen në pah të të vërtetave, të tregimit të vuajtjeve dhe të martirëve, të viktimave dhe të mekanizmave që prodhuan viktima. Një prej tyre ishte dhe psikoza e terrorit, e përgjimit, e presionit, e përndjekjes që ka dhunuar në ferrin e diktaturës mijëra shqiptarë por edhe që në fund të fundit burgosi një popull të tërë. Askush nga ne nuk i shpëtoi në një masë apo në një tjetër represionit sepse gjithë Shqipëria ishte një burg. Ne jemi brezi që e jetuam.

Ne jemi brezi që duhet ta tregojmë. Ne jemi brezi që duhet t’ua shpjegojmë të rinjve që s’e njohën para se të jetë shumë vonë. Ta tregosh këtë është emancipim, ta dokumentosh është profesionalizëm, të ndërtosh mjetet dhe të gjesh rrugët për ta realizuar është detyrë. Kjo është arsyeja pse vendosëm që Shtëpinë e Gjethit, siç është dhe vetë emri i kodifikuar i objektit në dosjet e Shërbimit Informativ Shtetëror, ta nxjerrim nga rutina e zyrave të rrënuara, siç e gjetëm në vitin 2014, ta restaurojmë, të shpëtojmë çdo dokument, pajisje dhe dëshmi, të hulumtojmë gjithë historinë e krijimit të këtij instrumenti terrori të diktaturës komuniste, të flasim me dëshmitarë të të gjitha roleve, nga ata që kanë mbetur ende gjallë, para se të jetë shumë vonë. Shkurt ta kthejmë në Muze të asaj cope të historisë që mbajti peng Shqipërinë dhe ne të gjithë, brenda psikozës vrastare të mureve që kanë vesh dhe të komshiut spiun.

Duhet ky muze për ne që të mos harrojmë të keqen, për të mos na lëshuar Kujtesa dhe mendimi i dedikuar për viktimat, duhet për fëmijët tanë e për fëmijët e fëmijëve tanë që të kuptojnë Shqipërinë por edhe prindërit e tyre më mirë, por edhe për miqtë e vizitorët që duam t’i shtojmë jo vetëm përmes natyrës së bukur dhe historisë së lashtë por edhe përmes historisë moderne të Shqipërisë, një histori ndryshe nga të tjerat. A është ky muze i vetmi ? JO. A duhej të ishte filluar kjo punë më herët? PO! Shumë më herët dhe jo vetëm me këtë objekt. Duhej të ishte filluar qysh pas rënies së diktaturës, duhej të ishte filluar nga burgu i tmerrshëm i Spaçit, i cili është rrënuar keq në këto 26 vite, ka humbur autenticitetin dhe pjesë të rëndësishme të dëshmive fizike të objekteve, të dokumenteve. Ne e kemi vënë në zonë mbrojtjeje për ta ruajtuar nga shtrirja e minierave që rreken të hapen rrotull, por kjo nuk mjafton.

Për të qenë e sinqertë me ju, e kemi studjuar edhe me bashkepunëtorë e miq të huaj që janë ekspertë të kësaj tipologjie muzesh. Rezulton për momentin një operacion shume më i komplikuar teknikisht dhe financiarisht si për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, për rindërtimin e ngrehinës, për gjetjen e objekteve nëse ato ekzistojnë ende, për ndërtimin e parametrave të sigurisë – kusht i domosdoshëm për ta bërë të vizitueshëm nga të gjithë grupmoshat. Por pa asnjë dyshim që rindërtimi i kujtesës në Burgun e Spaçit mbetet një objektiv i patjetërsueshëm. Ndërkohë muzeu i pergjimeve të komunizmit ku arritëm të shpëtojmë e të ruajmë dëshmitë dhe objektet është në fazën e tij finale. Ekipi i kuratorëve, hulumtuesve, studjuesve dhe arkitektëve ka punuar në gati tre vjet për të rindërtuar historinë dhe për të plotësuar projektin që në shkurt 2015 e prezantuam vetëm si ide.

Pavarësisht se pas prezantimit të parë publik dhe konsultave individuale ne kemi bërë edhe dëgjesë publike – ku ftuam përfaqsues të shoqatave dhe institucioneve që merren drejt për së drejti me fatin dhe historinë e njerëzve që kanë qenë persekutuar nga regjimi, që kanë qenë viktima të diktaturës komuniste, që kanë pësuar në kockë e në familje se cfarë domethënë të ishe armik, i përgjuar, i përndjekur, i shenjuar nga mekanizmat e terrorit të diktaturës, – në fakt gjithë kjo kohë ka qenë për ne një kohë dëgjesash kur kemi mbajtur vesh çdo gjë që është thënë e sugjeruar, por edhe kritikuar e qesëndisur.

Besojmë se sot, fatmirësisht ka shumë forma komunikimi dhe të gjitha janë të mira dhe të dobishme. Janë studjuar shumë dokumente e arkiva, për çka dua të falenderoj sinqerisht, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Ministrinë e Brendshme, por edhe Arkivën e shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare, se fundmi edhe Autoritetin per Informim te dosjeve te ish-Sigurimit duke na mundesuar akses ne dosje specifike sipas rregullave te parashikuara, si dhe të gjithë ata dëshmitarë që në tryezë apo pas perdes, me letra apo me gojë kanë ndarë me ekspertët kujtesën e tyre. Kemi pasur në këta muaj edhe konsulencën e ekspertëve gjermanë të muzeve të së njëjtës natyrë në Gjermani ku kemi shkembyer pervoja që besoj kanë qenë shumë të vyera dhe dua të falenderoj ambasadën gjermane për këtë mbështetje.

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në takimin “Vendet e Kujtesës”, organizuar nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Please follow and like us: