Ukraina u vë sanksione politikanëve serbë që vizituan Krimenë
Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, SSU, ka vendosur t’u vë sanksione politikanëve serbë që zhvilluan një vizitë tre-ditore në Krime.
Zëdhënësja e SSU-së, Elena Gitlyanskaya, e ka publikuar këtë njoftim në Facebook.
Ajo ka bërë të ditur se sanksionet u janë vënë katër shtetasve të Serbisë dhe një shtetasi të Republikës Çeke për “qëndrim ilegal në territorin e Krimesë”.
Ndërkaq, Sekretari i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka thënë se në Krime kanë qëndruar edhe shtetas të Ukrainës, e të cilët, sipas tij, do të verifikohen.
“Nëse konfirmohet qëndrimi i tyre në Krime, do të nisin procese penale ndaj tyre, sipas legjislacionit vendor”, ka thënë ai.
Mediat serbe raportojnë se lideri serb i SNP-së, Nenad Popoviq dhe disa “biznesmenë tjerë serbë” janë ftuar në një forum ekonomik në Yalta, Krime, që do të mbahet pas rreth një muaji.
Lideri i Republikës së Krimesë, territor i aneksuar nga Rusia, Serge Aksyonov, e ka publikuar këtë njoftim në Facebook, një javë pas takimit të tij me Popoviqin.
Ka qenë pikërisht ky takim që ka shkaktuar tensione mes Serbisë dhe Ukrainës. Ambasadori i Ukrainës në Beograd ka protestuar kundër vizitës dhe kundër deklaratave të anëtarëve të delegacionit serb në territorin që Rusia e ka aneksuar më 2014.
Qeveria dhe ministria e Jashtme e Serbisë nuk kanë reaguar ende ndaj këtij veprimi të Kievit zyrtar.
Por, Popoviq ka thënë se Krimeja i takon Rusisë, kurse Kosova i takon Serbisë.
“Krimeja i takon Rusisë, sikurse Kosova Serbisë”, citohet Popoviq nga B92.