Albspirit

Media/News/Publishing

Vendimi i Gjykatës së Hagës për Kosovën dhe pengmarrjet e Ramush Haradinajt

Mal Berisha

Drejt Hagës për Shpalljen e Ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës.

Atë ditë të 21 korrikut të vitit 2010 po udhëtoja nga qendra e Tiranës, drejt aeroportit të Rinasit dhe dëgjoja programin botëror të BBC. Papritmas dëgjova një lajm që ndërpreu programin: Udhëheqësi i guerilëve shqiptar të Kosovës Ramush Haradinaj sapo është arrestuar dhe është duke u dërguar në burgun e Scheveningenit në Hagë. Ai do të ballafaqohet me akuza të reja për krime të rënda të kryera gjatë  luftës në Kosovë.

U shokova, dhe thashë me vete: Si është e mundur? Nesër shpallet opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Dhe ja përsëri dikush e godet kaq fort Kosovën. Në moment telefonova kryeministrin dhe e njoftova për lajmin. Ai ende nuk ishte informuar. i tregova se isha udhës për në Hagë për të ndjekur seancën e nesërme të gjykatës ku pritej të jepej opinioni mbi ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Më uroj rrugë të mbarë. Ndjeva shqetësimin në zërin e tij dhe pak para se të mbyllnim telefonat më tha:

-Dëgjo, sa ditë do qëndrosh në Hagë?

-Tre  ditë,  i thashë.

-Shko bashkë më ambasadorin tonë dhe takojeni Ramush Haradinajn në burg. Bëji të fala nga unë dhe siguroje për mbështetjen tonë. Rrugë e mbarë!

Ankthit të pritjes për dhënien e opinionit përfundimtar mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga GJND, iu  shtua edhe ky fakt. Përse tani? Përse sot? Përse duhej kompromentuar çdo gjë? A nuk prisnin dot edhe dy ditë, tri apo katër?

Pengmarrja e Parë në Hagë

Ramushi nuk ishte nga ata burra që fshihej. Ai u dorëzua herën e parë në mënyrën më burrërore. Vetëm një burrë, një shqiptar nga Dukagjini mund të bënte atë që bëri ai. Në rastin e arrestit të parë, kur ai ishte Kryeministër, mblodhi kabinetin e tij dhe ju shpërndau detyrat si çdo ditë tjetër. Askush nuk dalloi dot qoftë edhe një drithërimë në zërin e tij. Komunikoi, bisedoi, bëri edhe shaka. Mbledhja mbaroi. Kur anëtarët e kabinetit të tij ishin gati të largoheshin, ai iu tha:

-Oh me falni se kam edhe diçka për t’ju kumtuar sot: Që prej këtij momenti unë nuk jam më Kryeministri juaj. Sapo të dalim nga kjo sallë unë iu dorëzohem organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe udhëtoj për Hagë i akuzuar për krime lufte. Kosovës i uroj suksese!

Gjithkush që ishte në atë sallë mbeti i shokuar. Ai u dorëzua vetë. U bë edhe gjyqi ndaj tij. Ai doli i pafajshëm dhe u kthye në atdhe. Natyrisht që postin e Kryeministrit e humbi por fitoi një emër të madh. Në politikë ai u bë edhe më aktiv. Por ja, tani gjendet në Hagë përsëri.  Përsëri peng për herë të dytë.

Në Hagë, në pritje për vendimin e GJND

Në mbrëmjen e datës 21 korrik 2010, arrita në Hagë. Aty më priti ambasadori ynë z. Gazmend Barbullushi. Ai ishte një mik dhe koleg shumë i mirë. Atë natë darkuam bashkë dhe u takuam edhe me delegacionin e Kosovës të drejtuar nga Ministri i Jashtëm z. Skënder Hyseni.  Gjatë darkës shkëmbyem shumë biseda, tregime, shqetësime.

Ambasadori i Kosovës në Hagë na tregoi për ndodhinë e asaj dite më delegacionin serb. Kishte koinçiduar që pala kosovare ishte vendosur në një hotel në qendër të Hagës dhe kishte arritur më përpara se pala serbe. Anëtarët e delegacionit të Kosovës po pinin  kafe në lobin e hotelit. Në atë çast vjen delegacioni serb i drejtuar nga Vuk Jeremiç, Ministër i Jashtëm i Serbisë. Ata futen në hollin e hotelit dhe ndërsa stafi i ambasadës po merrej me sjelljen e bagazheve dhe check – in, Jeremiç vuri re se në hollin e hotelit ishte Ministri  Hyseni dhe pala kosovare. Ai menjëherë i drejtohet ambasadorit të vet:

– Në një hotel me këta jemi të vendosur ne?

– Nuk e di, ishte përgjigjur ambasadori i tij. Nuk e  kam idenë për këtë.

– Si nuk e ke idenë?! Në një hotel me këta do rri unë? iu hakërrye ambasadorit.

– Nuk më paska vajtur mendja, ishte përgjigjur ambasadori.

– Atëherë, mu zhduk që këtej dhe nuk dua të shoh më! Ju tjerët merrni valixhet dhe të ikim menjëherë.

Kështu delegacioni serb u largua menjëherë dhe u vendosën në një hotel tjetër në Hagë.

Kjo ngjarje dukej si një ugur i mirë për ne  shqiptarët. Në fakt, gjykata e kishte mbajtur aq mirë sekretin e opinionit të vet, saqë askush nuk mund të thoshte me siguri se cili do të ishte vendimi. Thjesht mund të hamendësohej.  Kështu kaloi ajo mbrëmje me ethet e pritjes së të nesërmes…

Shpallja e Opinionit të GJND

Ambasadori Barbullushi kishte njohje të lavdërueshme me anëtarë të ndryshëm të Gjykatës Ndërkombëtare. Por frika e tij se kishte gjykatës që ishin tërësisht kundra dhe sa ata mund të përbënin shumicën ishte shumë e madhe. Ai merak i tij tanimë ishte kthyer në një ankth edhe për ne tjerët. Sidoqoftë tani duhej thjesht të prisnim orën 15.00 të datës 22 korrik 2010 dhe të dëgjonim kumtimin e vendimit.

Në orët e para të paradites bëmë një shëtitje para ndërtesës së gjykatës. Ajo është një ndërtesë shumë e bukur, ndoshta më e bukura e Hagës e njohur me emrin Pallati i Paqes ose në gjuhën hollandeze: Vredespaleis.

 Pallati i Paqes, Vredespaleis, Hagë

 Kjo gjykatë është hapur me datën 28 gusht të vitit 1913. Ajo është krijuar fillimisht si një ndërtesë  simbolike për Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit për ti dhënë fund luftës, si produkt i Konferencës së Paqes së Hagës së vitit 1899. Në atë kohë Andrea Dickson White ishte njeriu që kontribuoi më shumë për ndërtimin e kësaj gjykate. Për këtë ai i shkroi mikut të tij Andre& Carnegie. Në fakt ideja ideja për ngritjen e Pallatit pat filluar në një diskutim midis diplomatit rus Frederik Martnes dhe diplomatit amerikan Andreë &hite në vitin 1900. Ata donin të gjenin një vend për Gjykatën e Arbitrazhit dhe ta  vendosnin në Hagë.  White iu drejtua mikut të vet filantropist Andre& Carnegie. Ky i fundit në vitin 1903 i dha atij një milion e gjysëm dollarë, një shumë e jashtëzakonshme për kohën.  Andre & Carnegie ishte një industrialist i famshëm skocez – amerikan i lindur në vitin 1835 dhe një nga filantropistët më të famshëm në botë. Ai është njeriu që i dhuroi Ne& Jorkut atë që sot quhet Carnegie Hall, një nga qendrat më të bukura muzikore në botë, pa përmendur sa e sa vepra tjera që ka dhuruar gjatë jetës së tij. Pallati është i stilit të rilindjes së vonë.  Ndërtesa është vërtetë një vepër arti. Të tilla janë edhe dhuratat që e dekorojnë atë. Aty ka vazo 3.2 tonëshe e dhuruar nga Rusia, dyer të rënda të dekoruara të dhëna nga Belgjika, mermer të sjellë nga Italia, një shatërvan nga Danimarka, qylyma murale nga Japonia, orë për Sahatin e Kullës nga Zvicra, qylyma persiane nga Irani, dru prej Indonezisë dhe Shteteve të Bashkuara. Brenda tij gjenden buste, portrete të kampionëve të paqes nga e tërë bota dhe nga të gjitha fushat. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i rëndësishëm juridik i Kombeve të Bashkuara. Gjykata u themelua në vitin 1945 bazuar në një Kartë të Kombeve të Bashkuara dhe filloi punë në muajin Prill të vitit 1946.
Me pak fjalë, ky ishte pallati në të cilin do të futeshim atë ditë për të dëgjuar vendimin mbi opinionin e asaj gjykatë të përbërë prej 15 anëtarësh. Stuartët e gjykatës na treguan se ne duhej të uleshim në anën e djathtë të sallës.  Pasi ishim ulur, erdhi delegacioni serb. Jeremiçi hyri me kokën lart, “parakaloi” (përsëri gabim) para delegacionit tonë dhe me shpejtësi shkoi dhe u vendos në anën tjetër të sallës. Këto veprime më kujtonin plotësisht veprimet diplomatike të kohës së luftës së ftohtë, kur thjesht gjetja rastësore në një mjedis me diplomatin – armik, mund të pasohej me masa represive ndaj atij që nuk kishte bërë kujdesin e duhur.

Në atë moment mu kujtua një histori e treguar nga Konsulli i Përgjithshëm në Stamboll, Enver Zeneli kur po e dorëzonte detyrën në vitin 1992. Ai më pat thënë se ju jeni me fat që do punoni në këtë kohë. Gjatë kohës së punës time, më thoshte ai,  këtu kam qenë i instruktuar që në asnjë rrethanë të mos i jepja dorën rusit, amerikanit, izraelitit.  Nëse kjo ndodhte, unë duhej të kthehesha vetë në shtëpi dhe të mbaja përgjegjësinë. Kështu që ndonjëherë kur shkoja në pritje futesha në salle dhe fap, psh me shfaqej përpara rusi, ndërsa menjëherë djathtas hopa më shfaqej amerikani. Pastaj i shmangesha atij dhe ja ku më dilte përpara një tjetër, izraeliti për shembull. Mos o zot po të qëllonte edhe kinezi! Çfarë duhej të bëja atëherë? Menjëherë duhej të largohesha, ose…

Çastet e shpalljes së vendimit

Gjatë kohës kur Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada po lexonte vendimin, një gjykatës trupmadh, mbante një kontakt me sy me ambasadorin tonë dhe dukej sikur i thoshte që: Edhe pse unë nuk desha, ja që e arritët atë që deshët. Në fakt më vonë ambasadori më tregoi se ai ishte një gjykatës nga Republika Ceke, i cili kishte qenë kategorisht kundër. Por natyrisht kur shumica në atë gjykatë voton pro ose kundër, pakica i bindet plotësisht shumicës. Kështu vendimi shpallet si vendim unanim.

Leximi i materialit zgjati aq sa nuk e mbaj mend. Ajo që u skalit në kujtesën tonë ishte fjalia magjike e shqiptuar nga gjykatësi Ovada:

Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”.

Në u ngritëm në  këmbë dhe filluam të përqafoheshim nga gëzimi. Ishte përjetim i rrallë. Dhe në atë përjetim atë ditë më mbeti në mendje largimi kokulur i Vuk Jeremiçit dhe anëtarëve të delegacionit të tij. Pastaj edhe ne u larguam të lumtur sa më s’ka për të festuar bashkë me delegacionin e Republikës së Kosovës.

Vizitë tek i Pengmarruri për herë të Dytë

Ditën tjetër bashkë me ambasadorin vajtëm të shihnim heroin e Kosovës, Ramush Haradinajn  në burgun e Hagës, Scheveningen. Pas procedurave të gjata dhe shpjegimeve për natyrën e takimit, një seri dyersh prej hekurash u hapën dhe u mbyllën njëra pas tjetrës. Arritëm në kafenenë e burgut, u ulëm pranë një tavoline në një si ndarje më vete, ose një dhomëz e ndarë midis tjerave prej nga shiheshim shumë mirë për çdo veprim që mund të bënim nga një treshe policësh të cilët ishin ulur në një si podium. Pas pak aty dha ballë Ramushi. i fortë,  i qeshur, i vendosur, ai shtrëngoi duart me ne dhe u ulëm. Patëm një bisedë interesante dhe unë së pari e urova për Opinionin pozitiv të Gjykatës së Hagës për Kosovën. Ai e shfaqi hapur gëzimin për këtë. Pastaj biseda u përqendrua tek arresti i tij dhe tek pafajësia  e cila do ta kthente përsëri si hero në Prishtinë. Në një moment të bisedës e pyeta:

A e keni parë ndonjë prej serbëve që  gjenden këtu?

Po më tha, i pata parë më parë kur isha herën tjetër, por edhe unë ju shmangem edhe ata më shmangen mua. Milosheviçin e shihja por sa herë e shihja më kapte një ankth dhe ai e ndjente si dukej sepse përherë fshihej pas rojeve dhe qëndronte larg. Radovanin nuk e kam parë. Ai vazhdoi me emrat dhe sapo përmend Sheshelin, ky i fundit kaloi aty pranë na pa dhe u ndal.

O Ramush, si je? i foli ai në serbisht.

Mirë, mirë u përgjigj Ramushi,  ia ktheu me indiferencë. Pastaj ai i tha disa fjalë të cilat ne nuk i kuptuam por Ramushi na i përktheu. I kishte thënë se këtë radhë je këtu sepse  deshën t’ia bënin më të lehtë Tadiçit vendimin e GJND së. Ti je kurbani i kësaj dite.

Ndërsa Shesheli fliste unë pashë në sytë e atij krimineli tërë urrejtjen e tij ndaj shqiptarëve të përmbledhur në atë vështrim agresiv ndaj Ramushit.

Patëm bisedë të gjatë me Ramushin derisa u ndamë me premtimin se asgjë nuk do të kursehej për çlirimin e tij.

Gëzimi i fitores në Hagë kishte edhe brengën për sakrificën e Ramush Haradinajt. Në atë aspekt ndoshta Shesheli kishte të drejtë. Ishte peng për herë të dytë, i atij vendimi të Hagës.

Pengmarrja e Tretë

Prej disa kohësh, z. Haradinaj gjendet i marrë peng për herë të tretë. Tani ai pret një vendim të një gjykate tjetër të një rajoni të Francës, vendit të lirive njerëzore(!)

Edhe pse z Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga GJND në Hagë, ai përsëri është ndaluar në Francë, bazuar në një urdhër të lëshuar nga Interpoli me kërkesë të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, lëshuar në vitin 2004!(?) Të ndalosh çlirimtarët me kërkesën e një krimineli, pastaj ti gjesh të pafajshëm, pastaj ti zësh prapë, prapë ti lëshosh dhe prapë ti ndalosh, nuk është asgjë më pak se pengmarrje.

mal berisha haradinajSi atëherë në vitin 2010 kur e vizitova në Hagë, vajta dhe e takova në Strasburg me datën 18 mars 2017. Këtë radhë jo me detyrë shtetërore por në një gjest individual respekti për veprën dhe sakrificat e tij. Kësaj radhe ishte një vizitë tek një mik, tek një patriot, tek një çlirimtar i Kosovës, tek një luftëtar i paepur për lirinë, tek një njeri që e ka gjakun e vëllezërve në themelet e kësaj lirie. Kjo nuk ishte aspak një vizitë tek një politikan kosovar, madje as tek një ish-kryeministër, por tek një shqiptar i ballafaquar me padrejtësinë në emër të drejtësisë.

Mirë u kthefsh në Kosovë!

Hagë 23 korrik 2010, Strasbourg, 18 Mars 2017.

/thealbanian.co.uk

Please follow and like us: