Albspirit

Media/News/Publishing

Arsyet pse Shqipëria mund të marrë një pikë nga Italia

Laura Koronaci

 

Ndjekësit sporadikë të ekipit kombëtar të futbollit ndoshta ende nuk e dinë se këtë të premte Shqipëria do të përballet në Palermo me përfaqësuesen e Italisë, katër herë kampione bote dhe një herë kampione Evrope.

….dhe kjo nuk është domosdoshmërish shenjë e keqe!

Ndeshja e 24 marsit është konsideruar një nga ndeshjet vendimtare për kuqezinjtë në shumë dimensione. Rezultati i saj lidhet drejtpërdrejtë me shanset matematikore që ka Shqipëria për tu renditur e dyta në grup, duke vazhduar kështu ëndrrën e madhe për në kampionatin botëror që do zhvillohet verën e ardhshme në Rusi. Në radhë të dytë, mund të themi se kjo ndeshje lidhet edhe me fatin e trajnerit, tashmë “hero” kombëtar, Gianni De Biasi.

Taktikut italian po i vjen fundi i kontratës me FSHF-në dhe me shumë mundësi ai nuk do të rinovojë me kuqezinjtë. Por çfarë ndodh nëse ai shkëlqen ndaj Italisë, atdheut të tij? Padyshim që një barazim apo në rastin më të mirë një fitore ndaj “të kaltërve” do ishte një arritje e madhe për De Biasin dhe karrierën e tij si trajner. Në gjykimin tij, një rezultat pozitiv do e bënte atë edhe më të kërkuar nga drejtuesit e klubeve evropiane.  Kjo është edhe arsyeja e parë pse mendoj se këtë të premte De Biasi do bëjë maksimumin, duke marrë qoftë edhe një pikë nga Italia.

Arsyeja e dytë lidhet me atë që shkrova në fillim. Fakti që kjo ndeshje nuk po prodhon një jehonë të madhe mes qytetarëve, tregon se pritshmëritë  nga ekipi janë më të vogla, rrjedhimisht edhe presioni tek lojtarët është më i ulët. 11 futbollistët do të zbresin në fushë për të luajtur ashtu sikurse në poker, “all or nothing”.

Ndërsa arsyeja e tretë ka të bëjë me mungesat, kryesisht në repartin e mbrojtjes. Ky fakt e ka “frikësuar” De Biasin, por mendoj se diçka pozitive mund të dalë edhe prej kësaj situate. Kombëtarja ka treguar se në momente të vështira, di të mobilizohet dhe të veprojë në unitet te plote. Kjo është edhe një nga armët më të forta të kuqezinjve. Puna në grup këtë herë, e ndikuar edhe nga mungesat e Mavrajt apo Gjimshitit do të jetë më e frytshme.

Dhe… për të gjithë supersticiozët, De Biasi ka zgjedhur me kujdes hotelin ku do të qëndrojë kombëtarja në Palermo, në mënyrë që të mos kenë fatin e ekipeve që ka mundur Italia në dy ndeshjet e mëparshme të zhvilluara në këtë qytet.

A nuk mjaftojnë kaq?!

Please follow and like us: