DUKE PËRKUJTUAR MUSINE KOKALARIN NE “VATËR”
Dalip GRECA/DIELLI-SHBA/
Me 11 Shkurt u përkujtua 100 Vjetori i Lindjes së Musine Kokalarit, disidentes më të spikatur shqiptare,intelektuales,shkrimtares të dënuar nga diktatura komuniste dhe e përndjekur deri në fund të jetës. Veprimtaria që u organizua në mjediset e Vatrës, pati si nisiatore organizatën e grave”The Hope & Peace”, dhe u mbështet nga Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”.
Në këtë veprimtari përkujtimore morën pjesë vatranë, ish të persekutuar të regjimit komunist, familjarë të Musine Kokalarit, që kishin ardhë nga shtete të ndryshme si Virxhinia, Uashingtoni, Filadelfia, Nju Jork-u etj. Shumë nga ata ishin pasardhës të familjeve vatrane.
Veprimtarinë e ka moderuar Beqir Sina. Dr. Gjon Bucaj ka përshëndetur organizatorët dhe pjesmarrësit dhe ka vlerësuar qëndresën e shkrimtares disidente Musine Kokalari,intelektuales së persekutuar nga diktatura komuniste, politikanes perëndimore, që sfidoi regjimin e Enver Hoxhës dhe nuk u përul deri në shuarjen e saj.
Krahas organizatoreve, peshën e kësaj përkujtimoreje e kanë mbajtë familjarët, të afërm dhe mbesa e Martires Musine Kokalari, Evi Kokalari, e cila u kujdes për gjithcka, nga komunikimi me Vatrën, sjellja e materialit fotografik dhe dokumentar, printimi i fotografive, sjellja e ushqimeve e pijeve dhe gjithcka. Evi Kokalari i tha editorit të Diellit, gjatë një takimi para veprimtarisë, se dëshironte që veprimtaria t’i ngjante një feste ditëlindjeje, c’ka Musinesë iu privua në të gjallët e saj nga diktatura komuniste. Gjithësesi para auditorit të mbushur, u shpalos jeta e Musine Kokalarit, vizioni i saj demokratik, kapaciteti intelektual, talenti në fushën e shkrimeve, shpirti njerëzor përballë dhunës së ushtruar, stoicizmi i saj përballë agresivitetit të dhunshëm, sfida që ajo i bëri xhelatëve të saj. Përmes emocioneve, znj. Artemis Kokalari(Castilo) solli vlerësimet dhe mbresat e saj në këtë 100 vjetor të lindjes të një prej femrave intelektruale më qëndrestare në Europën Lindore.
Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, ka bërë vlerësimin e figurës së Musine Kokalarit, në emër të shtetit shqiptar.
Këtë veprimtari e ka përshëndetur edhe veprimtarja me banim në Kanada, znj. Remka Huruglica. Poetja Rita Saliu, krahas vlerësimit të figurës së Musine Kokalarit solli dhe një poezi të saj.
Pëllumb Lamaj, ish i dënuar në burgjet e diktaturës, kishte zgjedhur vargje poetike për të nderuar shkrimtaren disidente, politikanen socialdemokrate me vizion perëndimor, vargje, drithëruse, që fshikëllojnë ish komunistët e konvertuar, të cilët shkelën mbi idealet e Musine Kokalarit dhe të ish burgosurëve e të përndjekurëve politikë, të atyre që sic i etiketoi Lamaj, ndërruan ngjyrat:-E pështytë, me këmbë e shkelët pacavuren e kuqe, dhe oh, u gdhitë pishtarë demokracie, të parët që ia mbathët në Perëndim, ishit po Ju, deri në 7 palë brezash, pa fe , pa atdhe, Ju që mbi botën e vjetër kaptialiste, do të ndërtonit jetën e re Interrnacionale Komuniste, botën e re….
Ndërkohë që në ekran u shfaq dokumentari me fotografi e dokumente, përgatitur nga Dritan Haxhia me ndihmën e familjes,ka dhënë spjegime paralele Enit Kokalari Lulushi(e cila atë ditë u anëtarësua në Vatër). Në ekran kalojnë momentet kryesore nga jeta e Musine Kokalarit: Shtëpia ku u lind, tipike gjirokastrite, mjediset ku kaloi caste nga jeta, rrobat që veshi, histori nga familja intelektuale Kokalari,një pjesë prej të cilëve i vrau,burgosi, internoi, izoloi diktatura,…parakalojnë jetë familjare, dorëshkrime, libra(Sic më thotë Nënua Plakë, botuar më 1941 në Tiranë në shtypshkronjën Gutenberg), esse, studime, diploma, varri i stolisur nga familja pas shembjes së diktaturës, fjala e Mbrojtjes së Musinesë para trupit gjykues, kur kryetari i Gjyqit, Frederik Nosi, i ulërinë egërsisht, pa u stepur nga butësia femërore apo nga bagazhi i saj intelektual. Përballja është më shumë se sa sfidë. Sjellim për lexuesin shënimet që ka lënë vetë Musineja:”Erdhi dita që do të jepja llogari përpara bangës të akuzuarve. Dola tek mikrofoni. Më pyeti Kryetari, Frederik Nosi:
– A e pranoni akt akuzën?
– Në bazë të pikëpamjeve tuaja politike, po. Në bazë të pikëpamjeve të mia, jo.
– Mjaft me sofizma – uluriti Frederik Nosi.
– Atëherë është e kotë të më pyetni. Lexoni procesin dhe unë shumë e kënaqur u ula tek vëndi tim.
Pretenca qe e fortë. Sa herë që vërtitej, gjithmonë akuzohesha unë. Mendova se do më dënonte me vdekje. Veç kësaj, prokurori më akuzoi se mora fajet e të tjerëve sipër. Unë s’thash as jo as po.
Erdhi dita e mbrojtjes së të pandehurve. Unë s’pranova avokat. E përpilova vetë mbrojtjen. Po ama ata nuk dinin se çfarë përmbante. Prokurori më akuzoi se ishim një bllok që donim të përmbysnim Pushtetin. Më dënoi 30 vjet. Unë me mbrojtjen në dorë, u afrova tek mikrofoni. Fillova leximin.Thashë: “Në këtë gjyq janë të pandehur 36 veta. Katër grupe. Në tre grupe kemi vetëm një gjë të përbashkët: një notë drejtuar aleatëve, që të shtyheshin votimet dhe si koalicion demokratik të mernim pjesë në zgjedhje. Jo për përmbysjen e Pushtetit, po për zgjedhje demrokatike”….
Si kryetari, si prokurori u ngritën në këmbë dhe thanë: “Ne nuk lejojmë të vazhdosh mbrojtjen”.
– Në qoftë se e ndaloni ju, nuk e lini të burgosurin të mbrohet, unë e lë, se më urdhëruat të mos vazhdoj.
Shkova tek vëndi tim. Pas pak erdhi oficer Manoli dhe më mori mbrojtjen. E dhashë.
Kur thanë për fjalën e fundit, kërkova drejtësi. Kryetari më dënoi 20 vjet. Gjyqi vazhdoi 15 ditë. Më në fund, më shpunë në burg. Kishte pak. Më të shumtat ordinere. Vajtja ime pruri rregulla. Nuk lejohej më takimi jashtë portës, po hapesh një penxhere e vogël tek porta. Erdhën shumë veta të më takonin. Lanë vetëm familjarët.”…
Dhe jeta e saj kaloi nëpër një kalvar vuajtjesh, torturash, izolimi. Ja si e përshkruan vetë Musineja kalvarin e saj: Si furtuna me luftë mbërriti revolucioni. Me 12 Nëntor gjatë luftës së Tiranës na muarnë dy vëllezër. Dhe i vranë. Pasoja të naivitetit dhe besimit se nga ata nuk vjen gjë e keqe. I vranë pa bërë gjë. Të parat thika mbas shpine….33 vjet me radhë, dallgët e revolucionit më goditën pa ndërprerje. Më ndajtën nga të gjithë. Më izoluan. Nga gjiri i familjes më shkëputën përgjithmonë. Lidhjet u dobësuan. Më duket sikur s’kam qenë kurrë midis njerëzve. U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu po më keq se kafsha. Në fqinjësi që kanë krijuar një batak. Në punë që më shfrytëzuan si një kafshë për një copë buke, sa u detyrova dhe e lashë vetëm një muaj para pensionit. Më lajmëroi Komiteti Ekzekutiv të veja dhe të kërkoja punë tjetër. Donin që unë të kërkoja punë tjetër…..”
Folësit në këtë veprimtari përkujtimore sjellin copëza nga jeta e Musinesë, sjellin fakte, denoncojnë, dënojnë: Organizatorja Mimoza Dajci, Drita Carcani, Agron Alibali, Tom Mrijaj, Elona Muca, Dia Saraci, Violeta Mirakaj, secili sjell kontribute në vlerësimin e martires, që në ditën e organizimit të veprimtarisë do të kishte festuar 100 vjetorin e Lindjes.
Gjatë veprimtarisë iu dorëzua familjes Kokalari një certifikatë mirënjohje dërguar nga Tirana prej dr. Liliana Pere, kryetare e Organizatës së Gruas Shqiptare në Botë.
Në emër të familjes dhe të afërmëve në Shqipëri dhe në SHBA, Evi Kokalari,mbesa e Musine Kokalari, ka përcjellë falenderime për organizatorët, pjesmarrësit, folësit dhe të gjithë ata që dhanë kontribut në këtë 100 vjetor të Lindjes së Musinesë. Ajo i ka ftuar pjesmarrësit që të shijonin ushqimet dhe pijet e një koktejli të pasur të shtruar në mjediset e bibliotekës së Vatrës. Simbolike dhe e gjetur ishte torta e përgatitur për ditëlindjen e martires. Mbi tortë shkruhej”T’isha një Lule 1917-2017″.
***
Këto ditë në Tiranë iu hap Dosja e Musine Kokalarit. Dolën dhe pseudonimet e atyre që ia nxirosën jetën.Në fakt vetëm pseudonimet, por pas tyre natyrisht janë hijet e hijenave që e spiunuan. Qenkan më shumë se 20. Mjerë ata që kanë shitë shpirtin për t’ia nxirë jetën martires. Mjerë dhe mjeranët e sotëm që tentojnë të përfitojnë nga persekutimi i saj. Dëshmia e lënë me shkrim të trondit: “Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje sa andej këtej”.“Ç´fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”….Jetë tragjike!