Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqtarët, 9 ditë ​afat për t’i shpëtuar Vettingut

Gjyqtarët dhe prokurorët, me pasuri të pajustifikuara dhe kontakte të papërshtatshme me krimin, do të kenë edhe 9 ditë afat për t’i shpëtuar procesit të Vetingut.

Fundi i këtij muaji shënon edhe fundin e afatit ligjor për njerëzit e drejtësisë, të cilët mund t’i paraqesin dorëheqjen Presidentit të Republikës, për të shmangur skanimin e trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, për lidhjet me krimin dhe testimit të aftësive profesionale.

Pavarësisht bllokimit të konstituimit të organeve të Vetingut nga politika, neni 56 i ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, parashikon që subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni, ndërsa Komisioni i Rivlerësimit merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.

Ndërkaq, për shkak të pezullimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, ILDKP dhe DSIK kanë llogaritur 1 Janarin si datën e hyrjes në fuqi të ligjit, ku për rrjedhojë 31 Janari ishte afati i fundit për dorëzimin e deklaratave të pasurive dhe plotësimin e formularëve për kontrollin e figurës. Referuar datës së hyrjes në fuqi të ligjit të Vetingut si dhe nenit 56 të po këtij ligjit, afati për paraqitjen e dorëheqjeve tek Presidenti është fundi i muajit mars.

Neni 56 i ligjit të Vetingut

Dorëheqja

1. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni. Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit.

2. Pas dhënies së dorëheqjes, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të përfitojë pagesë kalimtare, sipas nenit 7, pika 1, të ligjit “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”.

Please follow and like us: