Albspirit

Media/News/Publishing

Hahn në Maqedoni: Presim qeverinë e re, respektoni rezultatin e mos provokoni

Pas takimeve me partitë politike paralamentare në Maqedoni, kanë reaguar eurokomisioneri, Johanes Hahn dhe tre eurodeputetët, Ivo Vajgël, Knut Flekenshtajn dhe Eduard Kukan, të cilët kanë bërë të qartë se liderat e vendit duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

“Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare. Prandaj, ne e inkurajojmë Presidentin që urgjentisht të rishikojë vendimin e tij. Nuk ka kohë për të humbur. Ne tani presim që të gjithë liderët politik dhe institucionet të lejojnë të rrjedhë procesi demokratik në interes të qytetarëve të vendit. Vonesat e muajve të fundit janë tashmë duke e dëmtuar ekonominë e vendit. Andaj, kërkojmë formimin e shpejtë të një qeverie të re të përkushtuar për të zbatuar reformat e vonuara. Palët dhe qeveria e re pritet të vazhdojnë zbatimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Përzhinës”, thuhet në njoftimin e nxjerrë prej tyre.

Sipas Hahn dhe eurodeputetëve, është e rëndësishme që të gjithë të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat provokuese. Për të mos nxitur tensione ndëretnike apo të dëmtojnë marrëdhëniet e mira me fqinjët.

“Askush nuk duhet të joshet të luajnë me zjarr. Ne jemi thellësisht të shqetësuar për tensionet dhe gjuhen e urrejtjes. Liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore në shoqëritë demokratike, por ata mbajnë dhe përgjegjësi. Gjithashtu, retorika negative kundër komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave jo-qeveritare është plotësisht kundër-produktive. Kjo dëmton imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, dhe kredibilitetin e atyre që e përdorin atë. Në fund, ne duhet të shohim në ditët e ardhshme aftësi serioze dhe të përgjegjshme politike nga institucionet relevante për të mundësuar një krijim të shpejtë të një koalicioni të ri dhe solid. Kjo është e vetmja mënyrë për të ri-marrë sërish rrugën e BE-së – e cila është ajo që qytetarët tuaj duan dhe meritojnë”.

Please follow and like us: