Pse kaq shumë parti kanë themeluar shqiptarët?!
Arben Llalla
Çështja e krijimit të partive politike shqiptare duket sa interesante dhe e çuditshme, për faktin që shqiptarët janë rreth 7 milionë në Ballkan, ndërsa kanë themeluar rreth 150 parti politike. Vallë mos jemi kaq profesionistë në politikë!? Nga u buron shqiptarëve dashuria për partitë politike?
Shqipëria me një popullsi afërsisht 4 milionë në vitin 2009 rregjistroi në zgjedhjet për në Kuvend mbi 80 parti, ndërsa në zgjedhjet vendore të vitit 2011 rreth 60 forca të tilla politike. Në Republikën e Kosovës me një popullsi rreth 2 milionë, shqiptarët kanë krijuar mbi 50 parti. Në Maqedoni janë 10 parti shqiptare. Në Malin e Zi, ku shqiptarët janë diku 50 mijë banorë me rreth 30 mijë votues, gjallojnë 6 parti dhe në Luginën e Preshevës 7 parti.
Por, në të vërtetë pse kaq shumë parti politike kemi themeluar gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë?!
Krijimi i partive politike shqiptare në fakt është ndikuar nga agjenturat e shumta që veprojnë në Ballkan. Shumë shqiptarë për karrierë politike janë kthyer në vasalë apo informatorë të vendeve të huaja. Në këtë mënyrë është bërë i mundur frenimi i zhvillimit ekonomik dhe kombëtar i shqiptarëve në Ballkan. Sot, agjenturat e huaja të inteligjencës po e shkatërrojnë Shqipërinë, ashtu si më 1997. Qysh kur është njohur nga Lidhja e Kombeve si shtet Shqipëria më 1920, Mbretëria e Serbisë dhe e Greqisë parashtruan kërkesë që do ta njihnin pavarësinë e saj, por me një ekonomi dhe politikë të dobët.
Që në fillim të shekullit XX në vendin tonë kanë vepruar dhe veprojnë ende qendrat e inteligjencave të huaja. Këto qendra kanë qenë aktive edhe në kohën e diktaturës komuniste me dijeni të vetë Enver Hoxhës. Sistemi diktatorial i diktatorit bëri të mundur që klasa nacionaliste shqiptare të burgosej, izolohej ose të eliminohej. Ndërsa intelektualë me origjinë joshqiptare u avancuan deri në rang ministri në atë periudhë, me qëllim që gjithnjë të jenë gati, kur do t’ju duhej vendeve që i kontrollonin për destabilizimin ekonomik dhe politik të Shqipërisë.
Sot, krijimi i një partie politike me pikëpamje kombëtare sabotohet qysh në nisje, koha ka treguar se një lider i partive politike shqiptare në Ballkan, në qoftë se nuk i shërben direkt shërbimeve të huaja, atëherë këto shërbime inteligjente e rrethojnë këtë lider me informatorët ose agjentë të tyre, duke bërë që dështimi i partisë dhe i vetë liderit të jetë i sigurtë, kur i nevojitet atyre.
Për të qenë më i qartë ne do ofrojmë një shembull të tillë jo për udhëheqësit partiakë shqiptarë, meqë ju mbet’ hatri dhe inatosen, pse gjërat ua them hapët, por të një vendi fqinj me ne, i cili është anëtarë i NATO-s dhe i BE-së. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e partisë greke PASOK, Andrea Papandreun. Faktet që do paraqesim nuk janë më sekret shtetëror dhe ndërkombëtare, sepse ato janë të bëra tashmë publike, por ne po e japim këtë shembull, me qëllim që klasa politike shqiptare të gjejë gjuhën e marrëveshjes për ecurinë përpara të Shqipërisë dhe shqiptarëve, sepse organizatat e fuqishme botërore po krijojnë rendin e ri të politikës botërore dhe ne duhet të jemi në stacion, kur të kalojë treni për të mos të mbetur nën hije që në emër të shqiptarëve të flasin sllavët ose grekët, ashtu si ka ndodhur deri më sot.
Andrea Papandreu, një lider i financuar nga SHBA…!?
Në vitin 1940 Andrea Papandreu shkoi në SHBA për të vazhduar Universitetin dhe më 1951 u martua me një amerikane me origjinë hebreje, Margaret Chant. Babai i saj, Dougllas ishte kryetari i sektit fetar Jakuva të Amerikës. Nga kjo martesë Andrea dhe Margaret bënë katër fëmijë, midis tyre dhe Jorgo Papandreun, kryeministrin e deridjeshëm të Greqisë.
Në fillim të viteve 1970 Greqia sundohej nga diktatura ushtarake e kolonelëve dhe “ndërmarrjet” ekonomike-politike nuk dëshironin që anëtarësimi në BE i Greqisë të bëhej në kohën që drejtohej nga diktatura ushtarake. Prandaj, ruajtësit e rendit politik botëror shfrytëzuan studentët për përmbysjen e qeverisë të diktatorit Jorgo Papadhopulos. (Gjithnjë për përmbysjen e qeverive ruajtësit e rendit botëror zgjedhin lëvizjet studentore).
Sapo ra diktatura në Greqi, SHBA dhe Rocekefeller Chase Manhattan Bank nënshkruan një marrëveshje me Andrea Papandreun në gusht të vitit 1974 duke i dhënë 100 milionë dollarë për themelimin e partisë dhe ardhjen e saj në pushtet sa më shpejtë. Por, e veçanta është në dokument se gjithnjë përdoret fjala “Qeveria Papandreu”, kur dihet që Papandreu erdhi në pushtet në vitin 1981.
Në marrëveshje janë përfshirë disa pika ose detyra shtëpie si:largimi nga pozicionet drejtuese do të bëhet nga amerikanët; për të kënaqur ekstremistët majtistë qeveria gjithnjë do rishikojë marrëveshjet me SHBA; minimizimi i fuqisë së Partisë Komuniste greke deri në kufirin që është rënë dakord me KGB-në ruse; armët bërthamore të ruajtura në Greqi do të zëvendësohen ose do të shkëmbehen me armë të reja, kur të thotë “grupi”; Çështja e Qipros nuk do të diskutohet; tolerancë për terrorizmin… Në dokument janë fshirë disa fjalë të rëndësishme.
Siç dihet Andrea Papandreu qëndroj në pushtet nga viti 1981-1989, kur plasi skandali me përmasa të mëdha ekonomike të 700 milionë dollarëve, çështja “Ktimatikis”, siç njihet në SHBA. Bëhet fjalë për pastrim të parave dhe përvetësim të tyre nga familjet me pushtet në Greqi.
Më 1990 erdhi në pushtet partia e djathtë Demokracia e Re e udhëhequr nga Kostandin Micotaqi, i cili e mbajti pushtetin vetëm tre vjet dhe përsëri Andrea Papandreu fitoi zgjedhjet dhe drejtoi Greqinë deri sa vdiq më 1996. Më tej, drejtimin e qeverisë e mori Kosta Simitis që e pozicionoi Jorgo Andrea Papandreun ministër të jashtëm pas skandalit diplomatik të arrestimit të udhëheqësit të kurdëve, Abdullah Oçalan.
Gjatë mandatit të tij si ministër Jorgo Papandreu punoi për t’u bërë kryetar i PASOK-ut duke dobësuar klanet e fuqishme të drejtuesve të tjerë si Teodoros Pangallos, Akis Tsoxaçopulos, Laliotis e të tjerë, të cilët ishin shokë dhe themelues të PASOK-ut bashkë me babanë e tij.
Megjithëse sipas dokumentit del që Andrea Papandreu ka nënshkruar një marrëveshje me disa pika me SHBA-në dhe Bankën Rocekefeller Chase Manhattan ai diti të bëjë një politikë shumëngjyrëshe. Për shumë vite deri sa ishte në pushtet Andrea Papndreu pati shumë akte terroriste në Greqi deri në rrëmbimet e avionëve të pasagjerëve, vrasjen e diplomatëve dhe agjentëve të CIA, vrasje të politikanëve dhe sipërmarrësve grekë e kështu me radhë. Por, ai diti si t’i justifikonte këto akte përpara opinionit të brendshëm dhe të jashtëm. Për shumë vite asnjëherë nuk u zbuluan autorët e këtyre akteve terroriste. Edhe kur zbulimi amerikan dhe anglez zbuluan një arab me pasaportë jordaneze i quajtur Fuad Hysein Share, i cili fuste lëndë eksplozive me avionët Olympic në Izrael, ai nuk u arrestua. Agjenti amerikan, i cili e zbuloi dhe u mor me hetimin e rastit u përzu nga Greqia si i padëshirueshëm, ndërsa Andrea Papandreu deklaroi: “Aktet e çlirimit kombëtar nuk mund të konsideroheshin terrorizëm.”
Në dukje Papandreu shfaqte simpati për Afrikën dhe botën e tretë, por në të vërtetë ai e dinte mirë se grekët i urrenin zezakët dhe emigrantët e huaj.
E mora si shembull krijimin e liderit të PASOK Andrea Papandreu për t’ju bërë të qartë politikanëve shqiptarë andej dhe këtej kufirit që vjen një ditë dhe e vërteta del në shesh, se “dobiç” të kujt janë dhe për kë punojnë. Historia nuk fal, ajo është shkencë që bazohet në fakte të pamohueshme.